2012-04-25 11:29:12

Më 25 prill kalendari kremton shën Markun, ungjilltar


Kisha, sot më 25 prill, kremton shën Markun, autor i Ungjillit më të lashtë. Ky Ungjill është “udhë katekumenale” që çon në thelbin e mesazhit të Jezusit. Për Kishën katolike 25 prilli është dita e festës kushtuar Shën Markut Ungjilltar. Shën Marku është njeriu që shkroi katekizmin e Shën Pjetrit për bashkësitë e para të krishtera, duke hartuar kështu Ungjillin më të vjetër kanonik.
Në të gjitha epokat e njerëzimit janë të paktë shkrimtarët që hartuan vepra, të cilat përshkuan shekuj e hapësira, duke u ribotuar, duke u përkthyer e duke u studiuar në të katër anët e tokës. Këtë fat pati Ungjilli i Markut, që u shkrua rreth vitit 70 pas vdekjes së Krishtit. Titullohej: “To Euaggelion” – “Lajmi i mirë”.
Për bashkësitë e para të krishtera, Marku ishte ‘hija’, që ndiqte hap pas hapi shtegtimet e dy apostujve të mëdhenj: Palit të Tarsit e, më pas, Simon Pjetrit. Duket se kishte detyrën e sekretarit, kopistit e përkthyesit, që dinte mirë greqishten e që iu kushtua punës për t’i bërë fjalë të shkruara, mësimet gojore të prijësit të parë të Kishës së Krishtit, Pjetrit Apostull. Kur vdiq Pjetri në vitin 64, Marku kuptoi sa vlerë kishte materiali i mbledhur për vite me radhë, pa asnjë kriter. Iu vu, atëherë, punës dhe, pas gjashtë vjetësh, realizoi atë, që do të ishte Ungjilli më i lashtë.
Ungjilli sipas Markut përshkruan skenën, në të cilën fiton pjekurinë thirrja e të Dymbëdhjetë Apostujve - Galileja, tokë e njerëzve të varfër, që nuk vlerësohej nga judenjtë, por që Jezusi e zgjedh si teatër të misionit të tij. Përvujtëria, në kontrast me mburrjen e njerëzve, është tipar i përhershëm i jetës së Krishtit. Njerëzit që zgjedh janë peshkatarë, jeta e të cilëve tronditet nga tri fjalë: “Pendohuni, besoni dhe lajmi i mirë” – që lidhen ngushtë ndërmjet tyre. Kuptimi më rrënjësor i pendesës është ndjekja e Krishtit. Të pendohesh nuk do të thotë thjeshtë të bësh kthesë morale në jetë. Pendesa është më tepër një orientim i ri i jetës drejt personit të adhuruar të Jezusit Zot, është hapje e plotë e shtigjeve të jetës për Jezusin, është dhurim i jetës për Krishtin. Sepse sundimi i Jezusit mbi nxënësit e vet është një akt dashurie që nuk shtyp, por çliron, që kërkon përgjigje të menjëhershme e të plotë, që të fton ta ndjekësh.
Kështu shkruhet në Ungjillin e Markut, i cili ka për qëllim t’ua paraqesë besimtarëve të rinj Jezusin si ‘Mesia i pritur’. Ungjilli i Markut është një tekst i treguar me gjuhë të thjeshtë, të përshtatshme për atë që nuk e njeh Krishtin por që, përmes tregimit të fjalëve të Tij e të ngjarjeve të jetës së Tij, mund të arrijë tek zbulimi i forcës përtëritëse të mesazhit.
Marku na bën të vëmendshëm ndaj Mësuesit shpirtëror; na ndihmon ta dëgjojmë Mësuesin, që flet me ne e në ne; na ndihmon t’i përgjigjemi, të flasim me Zotin, duke dëgjuar fjalën e Tij. Na udhëheq në këtë udhë ‘katekumenale’, që është Ungjilli i Markut, në një shtegtim të përbashkët me dishepujt e Mësuesit Hyjnor, drejt Jerusalemit, e na siguron se në barkën tonë, pavarësisht nga shqotat e historisë – është vetë Krishti!.
Kujtojmë se festa e Shën Markut, nën titullin e Pajtorit të Venedikut, ndikoi në shtyrjen e kremtimit të Zojës së Këshillit të Mirë apo Zojës së Shkodrës. Festa e Zojës së Këshillit të Mirë nisi të kremtohej më datën 26 prill që kur Kështjella e Shkodrës, Rozafa ra në dorë të venecianëve të cilët, duke dashur t’i kremtojnë të dyja festat, e lanë festën e Shën Markut me 25 prill, kur e kremtonte Venediku, ndërsa e shtynë për një ditë më vonë festën vendase të Zojës së Kështjellës, Zojës së Këshillit të Mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.