2012-04-25 11:10:24

Kisha përkujton shtatëvjetorin e Meshës së fillimit të Papnisë së Benediktit XVI


“Kisha është e re”: shtatë vjet më parë, Mesha e fillimit të Papnisë së Benediktit XVI. Kremtim që, më 24 prill 2005, u ndoq nga më se 300 mijë vetë, në Sheshin e Shën Pjetrit e në Rrugën e Pajtimit. “Kisha është e re” pohoi Papa në homeli, kush beson, nuk është kurrë vetëm”. Po kujtojmë disa fragmente nga kjo homeli.

“Tu es Petrus”, “Ti je Pjetri”: Populli i Zotit e priti me gëzim Papën e ri, “punëtor i përvuajtur në vreshtin e Hyjit”. Paraditen e 24 prillit 2005, Sheshi i Shën Pjetrit, përplot me më se 20 mijë besimtarë nga mbarë bota, ishte në festë, i zbukuruar me një pranverë lulesh. Nga Lozha e Bazilikës së Vatikanit, nën stemën e Papnisë, varej sixhadeja e peshkimit të mrekullueshëm, që e paraqet Jezusin duke biseduar me Shën Pjetrin. Benedikti XVI, në homelinë e ndërprerë 37 herë nga duartrokitjet, ua hapi menjëherë zemrën besimtarëve, duke u folur për frymën me të cilën po e fillonte shërbimin e Bariut universal të Kishës:
“Programi im i vërtetë i qeverisjes, është të mos bëj vullnetin tim, të mos ndjek idetë e mia, por, së bashku me Kishën mbarë, të dëgjoj fjalën e të bëj vullnetin e Zotit, ta lë të më prijë, që ta udhëheqë Ai vetë Kishën në këtë orë të historisë sonë”.
Papa foli fjalë shprese, i inkurajoi besimtarët të shpresojnë në të ardhmen, sepse, nënvizoi, “Kush beson, nuk është kurrë vetëm, as në jetë, e as në vdekje”. E kjo shpresë lind nga siguria në të Ngjallurin - Krishti është i gjallë, e kështu edhe Kisha e tij:
Po, Kisha është e gjallë, kjo është përvoja e mrekullueshme e këtyre ditëve. Pikërisht në ditët e trishtuara të sëmundjes e të vdekjes së Papës, kjo u duk mrekullisht para syve tanë: Kisha është e gjallë. Kisha është e re. Ajo mbart në vetvete ardhmërinë e botës, e prandaj i tregon secilit nga ne rrugën drejt së ardhmes”.
Benedikti XVI foli, pastaj, për detyrën e bariut, që është i thirrur t’i kërkojë delet e humbura në shkretëtirat të shumta të njerëzimit tonë. Në shkretëtirat e vetmisë, të braktisjes, të dashurisë së shkatërruar. Shqetësimi i shenjtë i Krishtit, pohoi Papa, duhet t’i japë zemër bariut. Por për ta bërë këtë, nuk mjaftojnë forcat njerëzore:
“Lutuni për mua, që të mësohem ta dua gjithnjë më shumë grigjën e Tij, ju, Kishën Shenjte, secilin nga ju një për një e gjithë së bashku. Lutuni për mua, që të mos ik nga frika, përballë ujqve”.
Kush ia hap Krishtit portën e jetës, pohoi Ati i Shenjtë, nuk humbet asgjë. Përkundrazi, vetëm përmes miqësisë me Jezusin zbulohen mundësitë e mëdha të njeriut. Në përfundim, në gjurmët e Paraardhësit të tij të dashur, u drejtoi një përshndetje të veçantë të rinjve:“Vetëm në këtë miqësi ne provojmë atë, që është e bukur e atë që është e lirë. Kështu sot do të dëshiroja, me forcë të madhe e me bindje të madhe, duke u nisur nga përvoja e një jete të gjatë personale, t’ju them ju, të dashur të rinj: mos kini frikë nga Krishti! Ai nuk ju merr asgjë e ju dhuron gjithçka. Kush i dhurohet Atij, merr njëqindfish. Po, hapjani, në të dy kapakët, Portat Krishtit, e do të gjeni jetën e vërtetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.