2012-04-23 15:28:48

Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore: Jezusi është gjithnjë me ne në Eukaristi; të përgatiten mirë fëmijët për Kungimin e Parë.


Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Benedikti XVI foli për vlerën themelore të Eukaristisë në jetën e të krishterit. Papa u kërkoi, në mënyrë të veçantë meshtarëve, t’i përgatisin mirë fëmijët për Kungimin e parë. Pastaj, në Ditën e Universitetit Katolik, uroi që të rinjtë të përvetësojnë edhe vlerat morale e jo vetëm dijet teknike.
Të marrim pjesë denjësisht në Meshë, për t’u bërë dëshmitarë të njerëzimit të ri: këtë theksoi Benedikti XVI në lutjen e djeshme të Mbretëreshës Qiellore, duke u ndaluar posaçërisht tek Ungjilli i së dielës, që flet për dukjen e Jezusit të ngjallur në mes të dishepujve e për mosbesimin e tyre. Që të binden, Jezusi u tregon shenjat e Kryqëzimit, të cilat Ngjallja nuk i ka shlyer e u kërkon ndonjë gjë për të ngrënë. Janë shenja shumë të vërteta, falë të cilave dishepujt nuk mund të dyshojnë më e zemra e tyre hapet për fenë:
Shëlbuesi na siguron për praninë e Tij të vërtetë ndër ne, përmes Fjalës dhe Eukaristisë. Por, ashtu si dishepujt e Emmausit e njohën Jezusin në të thyer të bukës (cfr Lk 24-35), kështu edhe ne takohemi me Jezusin në Kremtimin eukaristik”.
Në vijim Papa, me fjalët e Shën Tomës së Akuinit, u kujtoi besimtarëve se është e nevojshme ta njohim Zotin, ashtu si na mëson feja katolike, me bindjen se Krishti është i tëri i pranishëmn në këtë Sakrament. Pastaj vërejti se, në Kohën e Pashkëve, Kisha zakonisht u jep Kungimin e Parë fëmijëve. Prej këndej, porosia e Atit të Shenjtë:
I nxis, prandaj, famullitarët, prindërit e katekistët ta përgatisin këtë festë të fesë sa më mirë, me shumë zell, por edhe me shumë thjeshtësi. Kjo ditë, natyrisht, mbetet e pashlyeshme në kujtesë, si çasti i parë në të cilin perceptohet rëndësia e takimit personal me Jezusin”.
Pas katekizmit, Papa kujtoi lumnimin, në Meksikë, të rregulltares Maria Ines Teresa e të Shenjtnueshmit Sakrament:
“Falënderojmë Zotin për këtë bijë shembullore të trojeve meksikane, që pak kohë më parë, pata gëzimin t’i vizitoj e që i kam gjithnjë në zemër”.
Më pas, në Ditën e Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, me temë “E ardhmja e vendit, në zemër të të rinjve”, i kushtoi një mendim të posaçëm pikërisht studentëve:
Është e rëndësishme që të rinjtë të fitojnë jo vetëm njohuri shkencore e teknike, por edhe vlera morale. Prandaj e themeloi Atë Gjemeli universitetin katolik, të cilit i uroj të ecë me hapin e kohës, gjithnjë besnik ndaj origjinës së vet”.
Në fund, duke përshëndetur frëngjisht, Papa theksoi në mënyrë të posaçme se në botën tonë, ku ka shumë ligësi, vuajtje, dhimbje, Zoti i ngjallur sjell paqe e na fton të bëhemi dëshmitarët e Tij deri në skajet më të largëta të Tokës.Italisht përshëndeti grupin e fëmijëve të Unitalsit, në mision për paqen. E fëmijët iu përgjigjen dashurisë me dashuri, duke brohoritur e duke lëshuar në qiellin e kaltërt, që dukej si kupolë e një bazilike madhështore mbi Sheshin e Shën Pjetrit, tollumbace ngjyra-ngjyra. Krijuan, kështu, atmosferën e gëzimit të Pashkëve, që vijon.







All the contents on this site are copyrighted ©.