2012-04-23 13:51:00

Papa Kongresit Botëror të Baritorisë së Turizmit: ushqimi i shpirtit me bukuritë e natyrës e të artit, na bën të kundrojmë Zotin


Filloi sot në Kankun të Meksikës, Kongresi VII Botëror i Baritorisë së Turizmit, organizuar nga Këshilli Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe të Endacakëve, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore vendase. Tema e sivjetme “Turizmi ndryshe”, përfshin tri argumente kryesore, që do të diskutohen deri më 27 prill: turizmi në përgjithësi, turizmi fetar dhe turizmi i të krishterëve.
Në mesazhin e tij për këtë Kongres, Papa Benedikti XVI thekson se turizmi, së bashku me pushimet e me kohën e lirë, është një hapësirë e privilegjuar për përtëritjen fizike e shpirtërore, lehtëson takimin ndërmjet kulturave të ndryshme, është rast për t’iu afruar natyrës e favorizon dëgjimin e kundrimin, tolerancën e paqen, dialogun e harmoninë me botën, që na rrethon. Kjo është arsyeja për të cilën Kisha merret me këtë aspekt të jetës njerëzore, duke u përpjekur ta ungjillëzojë, pasi siç thuhet në Librin e Urtisë, Zoti, krijuesi i Gjithësisë, kundrohet për analogji me madhështinë e bukurinë e krijesave.
Por turizmi nuk është i imunizuar nga rreziqet. Turizmi seksual, denoncon Papa në mesazhin e tij, është një nga format më shkatërrimtare për jetën e njerëzve e të familjeve të tyre, së bashku me trafikun e organeve, me shfrytëzimin e të miturve, me abuzimet e torturat, që fatkeqësisht, ndodhin shpesh në kontekste turistike. Ati i Shenjtë bën thirrje të punohet më shumë për parandalimin e këtyre fenomeneve.
Por ç’duhet bërë për një “turizëm ndryshe”, siç thotë tema e Kongresit, për një turizëm të nxitur nga Kisha Katolike, që dallohet nga mënyra, me të cilën e organizojnë të tjerët? Benedikti XVI tërheq vëmendjen e baritorisë së turizmit drejt tri fushave kryesore. Së pari, të ndriçohet ky fenomen nga doktrina shoqërore e Kishës, duke promovuar turizmin etik e të përgjegjshëm, që respekton dinjitetin e njerëzve e të popujve, turizëm për të gjithë, i drejtë dhe ekologjik. Së dyti, u thotë Papa pjesëmarrësve në Kongres, mos harroni “via pulchritudinis”, rrugën e bukurisë. Kryeveprat e artit, që ndodhen nëpër kisha e në vende të tjera kulti, janë vepra feje e shprehin besimin në Zot, prandaj janë udhë të vërteta drejt Hyjit, i cili është Bukuri supreme. E së treti, Kisha duhet t’i shoqërojë të krishterët në kohën e pushimeve, në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë shpirtërisht prej saj. Pushim do të thotë edhe ushqim i shpirtit përmes lutjes e meditimit, duke e shndërruar jetën sipas mësimeve të Krishtit.
Ungjillëzimi i ri, përfundon Papa, na kërkon t’i kemi parasysh e t’i përdorim rastet e shumta, që na jep turizmi për ta paraqitur Krishtin si përgjigjja më e mirë e pyetjeve të njeriut të sotëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.