2012-04-23 15:30:25

Kardinali Bertone: Politika e ekonomia nuk janë të shkëputura nga etika


Mos kini frikë ta transmetoni, me vendosmëri, Fjalën e Zotit. Nga ajo buron jeta e vërtetë e forca e vërtetë, që të ndihmon t’u kundërvihesh kriminalitetit të organizuar e shkeljes së ligjit: kështu u shpreh sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, në homelinë e Meshës, kremtuar dje në Katedralen e Katanxaros. Gjithnjë në Katanxaro, Universiteti “Magna Grecia” i dorëzoi Hirësisë së Tij Laurën honoris causa në Jurisprudencë. Në Lectio magistralis kardinali Bertone u ndal posaçërisht tek tema “Ardhmëria për Evropën e Mesdheun”. Bashkimi monetar, financiar, ekonomik kanë rëndësi të madhe, theksoi, por vetëm këto nuk mjaftojnë. Ndjehet nevoja për një bashkim më të thellë, që bazohet mbi njeriun, vënë në qendër të të gjitha veprimtarive, me detyrat e të drejtat e tij të pacënueshme, por edhe me përmasën e mbinatyrshme.

Bashkësia kishtare dhe bashkësia politike janë, që të dyja, në shërbim të njeriut në Evropën e re. E në këtë front, të krishterët duhet ta ndjejnë veten në radhët e para, duke dhënë kontributin e tyre për të mirën e përbashkët. Kardinali Bertone foli për të ardhmen e Evropës, që laget nga Mesdheu, det i cili lidh ngushtë dy brigjet, përmes shkëmbimit të mallrave, të ideve, të traditave etike, politike, kulturore e fetare. Prej këndej, nuk mund të mos lindë pyetja: thua edhe sot ky udhëkryq qytetërimi mund të jetë forcë tërheqëse në shërbim të paqes ndërmjet popujve? Duket qartë, pohoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, se shtetet e Evropës së Bashkuar mund të rrinë bashkë, vetëm në se e ndjejnë veten të bashkuar në troje, të cilat e vënë njeriun në qendër të jetës, e etikën nuk e ndajnë nga politika e nga ekonomia. Evropa është atdhe i të drejtave të njeriut, pohoi kardinali Bertone, megjithatë, në se ato mbështeten gjithnjë më tepër vetëm mbi vetveten, krijojnë rrezikun e humbjes së arsyes së vetë qenies së tyre. Përkundrazi, trashëgimia kulturore e Evropës, na kujton se ideja e të drejtave të njeriut, ideja e barazisë ndërmjet njerëzve, e edhe koncepti i pacënueshmërisë së dinjitetit njerëzor, u zhvilluan pikërisht mbi bazën e bindjeve për ekzistencën e Zotit krijues. Duhet, prandaj, t’i propozohet çdo breznie kjo bazë etike, përballë sfidave të së sotmes, siç janë, për shembull, emigracioni dhe globalizimi. Më pas, një thirrje drejtuar politikës: politika e mirë duhet t’ia nënshtrojë dobinë së vërtetës, domethënë, të vërë gjithçka në shërbim të njeriut e të asaj qelize themelore të shoqërisë, që është familja, duke promovuar solidaritetin. Edhe ekonomia, që të funksionojë mirë, ka shumë nevojë për etikë; duhet të vlerësojë, në radhë të parë, njeriun e punës, e më pas, interesat e veçanta personale. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve politike e kishtare, dialogu ndërmjet instancave laike e fetare, përfundoi kardinali Bertone, mund të ndihmojnë për të përballuar me sukses sfidat aktuale, që nga kriza ekonomike, tek problemet e ambientit e të emigracionit.







All the contents on this site are copyrighted ©.