Vashat duer-njoma pa çilë agimi kpusin sot gema me ia vu derës
si shej gazmendi, si shej urimi pse erdh Shën Gjergji krushku i Prandverës.
T’tana u stolisen dyert qi ka shpija me gema kumbullash e drandofillesh: pa
za t’përshndesin era e freskia kahdo qi t’sillesh.
Erdhi Shën Gjergji!
Me cërcërrime flutrojn dallndyshat npër rreze ari. Qoft’bekue dora qi n’derën
t’ime dy gema lulesh n’mëngjes i vari. Qoft’bekue dita qi n’mjeri t’soçme
nji doke gzimi pertrin me mallë, rritin e bukur t’prandverës s’moçme ambël
tue ngjallë.
Shën Gjergj, Prandvera, - zoja hirplote – prore ty t’pati
ndër né lajmtar: kët kremte lulesh papra ndër mote ti ia përsritë prillit shqiptar.
Ti lulevilet i hap’mbi tanda ku n’andrra t’reja zemrat na dridhen, e ti
mkamb’vallet nën manda ku shrregllat hidhen.
N’stërnipa mbrrijti si nëpër
mjegull hareja e pastër qi dikur solle. S’dijm me hov t’vjetër m’u lkundun
n’shregull! e vallja plogtas shtiellet okolle! Dhe n’i u përgjegjshim grishjeve
t’tueja, dhe n’qe se vallet endè s’kan’heshtë, prap s’dijm me t’lutun: shllimet
e hueja s’na lane t’thjeshtë…
Sa dyer t’stolisuna me lule t’bardha jan’rrzue
gjat’moteve, o dit’pagane! e sa duer vashash ka ngrimun mardha qi me kput’gema
dikur i bane! por psè ndër shekuj ndrruen njerzt e feja, zakon i moçëm, jo,
nuk u buer: me gema e lule kah dyert e reja prap çohen duer.
N’Shën
Gjergj t’ardhshëm le t’çohen prore duer t’bardha vashash n’spijat shqiptare: le
t’varin lule duert prandverore ku ruhen doket porsi visare. Bift’n’ato shpija
gzimi ma i dlirti, ma e ambla valle n’prill u këndoftë, andrra ma e bukur
qi deshron shpirti aty lulzoftë!