Koncert i orkestrës së Lajpcigut për 85-vjetorin e Papës: arti si lavdërim i Zotit
Një him i madh lavdërimi, që e frymëzoi Papën ta falënderonte nga zemra Zotin për
vitet e papnisë: ky ishte, për Benediktin XVI, ekzekutimi i Simfonisë n. 2 në Si bemol-maxhor
op. 52 “Lobgesang” për solistë, kor e orkestër, vepër e Feliks Mendelssohn, që u luajt
të premten e kaluar në Sallën e Palit VI, përplot me dashuronjës të muzikës, e dashamirë
të Papës.
Programi i
zgjedhur nga Drejtori i orkestrës, mjeshtri italian, Riccardo Chailly(Shei), për të
kremtuar 85-vjetorin e Papës, pati si protagonistë orkestrën dhe korin e Gewandhaus
të Lajpcigut, një nga formacionet më të lashta të botës. I pranishëm në koncert, përkrah
Papës, i vëllai, imzot Georg Ratcinger si dhe autoritetet e Saksonisë e të qytetit
të Lajpcigut. “Do të desha t’i vë të gjitha artet, posaçërisht muzikën, në shërbim
të Atij, që i krijoi e na i dhuroi”. Kjo ishte motua simbolike, që Mendelssohn-i shkroi
mbi partiturën e Simfonisë së dytë “Lobgesang”, Këngë e lavdërimit, vepër e moshës
së pjekur, të cilën ai e drejtoi për herë të parë më 1840, në Lajpcig, me rastin e
400-vjetorit të shpikjes së shtypshkronjës. Në përfundim të koncertit Papa, duke
përshëndetur në gjermanisht e italisht, përmblodhi me pak fjalë historinë e kësaj
vepre, për të nënvizuar natyrën e gjithë krijimtarisë së kompozitorit të madh gjerman: “Arti,
si lavdërim drejtuar Zotit, Bukurisë më të lartë, është në bazë të kompozimeve të
Mendelssohn e kjo, jo vetëm për muzikën liturgjike ose kishtare, por për mbarë krijimtarinë
e tij. Julius Schubring na kujton se për të, muzika kishtare, si e tillë, nuk ishte
një shkallë më lart se tjetra; secila në mënyrën e vet, duhet t’i shërbente Zotit”. Në
vijim Papa kujtoi se Mendelssohn ishte njeri i lidhur ngushtë me Zotin: si jeta, ashtu
edhe arti i tij, u ushqyen nga një fe e gjallë, plot besim e bindje në Autorin e të
gjitha bukurive: “Bota etiko-fetare e autorit tonë nuk shkëputej nga konceptimi
i artit, madje shkrihej me të: “«Kunst und Leben sind nicht zweierlei»:
arti e jeta nuk janë dy gjëra të ndryshme, por një e gjë e vetme, shkruante. Unjësi
jete, që e gjente elementin unifikues në atë fe, e cila përshkoi gjithë jetën e Mendelssohn-it
dhe e mësoi të zgjidhte rrugën e drejtë”. Mendelssohn nuk harroi kurrë
të lutej e ta falënderonte Zotin për gjithë të mirat që pati prej Tij. Prej këndej,
në Simfoni ndjehet fort mesazhi fetar, që lartohet kah qielli në koralen përfundimtare,
si himn shprese. Të nxit për reflektim, kjo këngë. E nxiti të reflektojë edhe Papën: “Shkroi
Schumann: ‘Na lini që, siç tingëllon teksti i muzikuar mrekullisht bukur nga Mjeshtri,
t’i flakim tutje veprat e errësirës e të rrokim armët e dritës!”. T’i rrokim,
pra armët e dritës, në çdo çast të jetës sonë – për këtë na ftojnë tingujt rrëmbenjës
të Simfonisë, që frymëzoi qindra shpirtëra njerëzish të pranishëm në Sallën e Palit
VI, bashkudhëtarë të Papës muzikant e pianist, përkrah Tij edhe në këtë kremtim muzikor
për t’i uruar: “Për shumë vjet!”.