Në kujtim të epopesë së Mic Sokolit, simbol i luftës së shqiptarëve për liri!
Prilli i vitit 1881 shënonte betejat e fundme të Lidhjes së Prizrenit dhe shpërndarjen
e saj nga Porta e Lartë, që nisi ekspeditën e kryesuar nga Dervish Pasha për të
shtypur me forcë lëvizjen autonomiste të shqiptarëve. Më 20 prill 1881 ushtritë
osmane, të ndara në dy kolona, morën urdhër të fillonin sulmin kundër forcave shqiptare
të vendosura në Slivovë dhe në Shtimje. Ndeshja e parë me ushtritë osmane
ndodhi më 20 prill në Slivovë. Edhe pse me municion të pakët, në saje të qëndrueshmërisë
së tyre, shqiptarët e ndalën për mjaft orë përparimin e armikut. Por gjendja e tyre
u keqësua kur hyri në veprim artileria fushore turke. Duke parë dëmin që po u shkaktonte
luftëtarëve një bateri e armikut, komandanti i këtij sektori, Mic Sokoli nga Bujani
i Malësisë së Gjakovës, së bashku me disa luftëtarë të tjerë, lanë pozicionet mbrojtëse
dhe u hodhën drejt kodrës ku ishte vendosur artileria turke. Qëllimi i tyre ishte
të sulmonin dhe të asgjësonin baterinë e armatosur, që po u shkaktonte dëme shqiptarëve.
Të gjithë këta luftëtarë trima, së bashku me komandantin e tyre Mic Sokolin, u vranë
duke u vënë gjoksin grykave të topave të artilerisë osmane. Luftonte gjoksi i shqiptarit
kundër topit të turkut! Heroizmi i Mic Sokolit mbeti në histori e u bë frymëzim për
vijimin e luftës për liri. Po aq frymëzoi edhe artistët që e pikturuan, e skalitën
e i kënduan trimërisë së pashoqe të prijësit shqiptar e shokëve të tij, që u bënë
simbol lirie! Por përballë epërsisë së armikut në numër e në armatime, shqiptarët,
me gjithë heroizmin që treguan, u detyruan të tërhiqeshin nga Slivova në Shtimje,
ku qëndronin forcat kryesore të Lidhjes së Prizrenit. Beteja e dytë ndodhi të
nesërmen, më 21 prill 1881, në Shtimje. Këtu luftimet qenë më të përgjakshme se
në Slivovë. Në luftimet e ashpra, të cilat vazhduan më tepër se 2 orë, morën pjesë
edhe vetë anëtarët e shtabit shqiptar, si Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Binak Alia, Rustem
Sadria e të tjerë. Edhe këtu vullnetarët shqiptarë luftuan me heroizëm të rrallë,
por nën breshërinë e dendur të artilerisë së armikut dhe kur municioni i armëve të
tyre filloi të shteronte, u detyruan të tërhiqeshin në drejtim të Suharekës. Në
betejat e Slivovës e të Shtimjes të dyja palët patën shumë të vrarë e të plagosur:
turqit rreth 800 veta, ndërsa shqiptarët 1 200 veta. Pas Shtimjes forcat e Lidhjes
Shqiptare u bënë më 22 prill 1881 tri prita të tjera ushtrive osmane, në Grykën e
Carralevës, në fshatin Dule dhe në hyrje të Suharekës, por marshimin e tyre nuk e
ndalën dot. Të nesërmen, më 23 prill 1881, pasi theu qëndresën e shqiptarëve, Dervish
Pasha, i shoqëruar nga 7 gjeneralë dhe me 24 batalione, hyri në Prizren ku shpalli
menjëherë shtetrrethimin dhe bëri arrestime të shumta. Qëllimi i Portës së Lartë
nuk ishte vetëm që të shtypte kryengritjen e armatosur kundërosmane, por të mbyste
edhe idenë e autonomisë së Shqipërisë, duke përfshirë këtu edhe kërkesën për formimin
e një vilajeti të vetëm shqiptar. Për këtë, pasi shtypi qëndresën në Prizren, Dervish
Pasha thirri këtu më 30 prill krerët e dikurshëm të Lidhjes për sanxhakët e Prizrenit,
të Prishtinës, të Pejës, të Mitrovicës, të Shkupit, të Dibrës, të Shkodrës, të Manastirit
etj., si edhe përfaqësuesit e qarqeve sulltaniste. Ai u kërkoi atyre të nënshkruanin
një deklaratë, ku dënohej veprimtaria e Lidhjes Shqiptare dhe sidomos kërkesa e saj
për bashkimin e vilajeteve shqiptare, të cilën e quante një akt armiqësor. Këtu
erdhën kryesisht krerët sulltanistë dhe vetëm disa nga drejtuesit e moderuar të Lidhjes,
si Ali Pashë Gucia, Iljaz Pashë Dibra, Hasan Pashë Dervalla dhe Esat Pashë Tetova,
të cilët e nënshkruan deklaratën e Dervish Pashës. Si rrjedhim, krerët e moderuar,
që e dënuan me shkrim idenë e vilajetit autonom, u quajtën nga sulltani të falur,
madje disa prej tyre, si Ali Pashë Gucia etj., u emëruan në poste të rëndësishme në
administratën e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit. E ndërsa krerët tradhtarë do
t’i gëzonin për pak kohë postet e larta, heronjtë e betejave të fundit të Lidhjes
së Prizrenit do të uleshin në një post të përjetshëm: në kujtesën e popullit të vet!