2012-04-20 15:42:10

Ipeshkvijtë e Lindjes së Mesme ripropozojnë Ungjillin e paqes. Intervistë me imzot Çelin e atë Spadaron


Përfundoi sot, në Harisë të Libanit, Seminari kushtuar temës së komunikimit në Lindjen e Mesme, parë si mjet i ungjillëzimit, i dialogut e i paqes. Në takimin e organizuar nga Këshilli Papnor për Komunikimet Shoqërore, morën pjesë ipeshkvij e punonjës të komunikimit nga e gjithë zona e Lindjes së Mesme. Intervistuam organizatorin e Seminarit, imzot Klaudio Maria Çeli, kryetar i dikasterit papnor për komunikimin:RealAudioMP3

Përgjigje: - Më duket e rëndësishme që Kisha dhe barinjtë e saj, meshtarët dhe laikët e pranishëm në takim, t’i bëjnë vetes pyetjen si duhet të jetë komunikimi i tyre i sotëm? Cili është qëllimi i tij? Si komunikon Kisha me njeriun e sotëm? Është e natyrshme që këtyre pyetjeve t’u jepen një mori përgjigjesh, të cilat kanë të bëjnë me vëmendjen, që duhet treguar ndaj njeriut të sotëm, ndaj problemeve, që e shqetësojnë, vuajtjeve, kërkimit të së vërtetës. Kisha është pranë njeriut, si dje, ashtu edhe sot, e shoqëron në rrugën e tij, shpesh shumë e vështirë, por gjithnjë e bukur, sepse në kërkim të së vërtetës, të së mirës. Besoj se kjo është një nga sfidat e mëdha të Kishës në këto troje të mëdha historike. Mendojeni vetë ç’do të thotë për ne të mblidhemi në këto troje, që shtrihen nga Mesdheu, deri në Mesopotami; në këto vise, që jetuan kumtimin e madh, që panë patriarkët e fesë sonë, ashtu si panë e ndoqën Jezusin gjatë gjithë jetës së Tij tokësore e, pas ngjalljes, panë edhe dishepujt e tij e jetuan predikimet e para misionare, kur dishepujve të Jezusit iu desh të përballonin kulturën e epokës, kulturat e ndryshme të epokës.

Pyetje: - Cilat janë sfidat, që duhet të përballojë sot Kisha në misionin për kumtimin e Ungjillit?

Përgjigje: - Besoj se Kisha sot duhet të përballojë sfida të reja e pikërisht në kontekstin e komunikimit, që na e imponon kultura e sotme dixhitale: nuk është thjesht fjala për mjetet e komunikimit, por për mjedisin e jetës, që krijohet nga mjetet e komunikimit, pa harruar se në këtë mjedis jete, nis një kulturë e re. Sfida e madhe për Kishën e sotme, edhe për Kishat e ndryshme të Lindjes së Mesme, është pikërisht dialogu me këtë kulturë. Kisha duhet të flasë me një gjuhë, që të jetë e kuptueshme për njeriun e sotëm. Duhet të ketë parasysh se kumtimi i Ungjillit, mbrojtja e së vërtetës mbi burrin e gruan e sotme, duhet të zbresë deri në thellësi të zemrave. E kjo është sfida jonë e madhe sot.

Pyetje: - Ç’rezultate u arritën nga ky seminar?

Përgjigje: - Do të thosha se një nga rezultatet mund të jetë ky: të shikohet se këto Kisha, të pasura me tradita, por edhe plot me vështirësi, këto Kisha patriarkale, kanë shumë për të treguar. Ngjarjet e tyre janë jo vetëm të bukura, por edhe mësime të vërteta historie. Për ta fjala ‘paqe, ka një kumbim, që ne nuk mund ta percetojmë. Ka po atë kumbim, që pati kur u shqiptua për herë të parë, pikërisht në këto troje, nga vetë Jezusi i ngjallur, që solli paqen, me shprehjen “Paqja qoftë me ju”. Fjala paqe këtu tingëllon sa bukur, aq edhe dhimbshëm, pse brezni të tëra të këtyre trojeve, nuk e dinë ç’do të thotë paqe. Ja, pra, pse, jehoi me forcë fjala e Benediktit XVI kur, duke përfunduar Sinodin e Kishave të Lindjes së Mesme, theksoi se paqja është e mundur, se nuk duhet të dorëzohemi e ta konsiderojmë çështje të humbur. Prej këndej, tema e zgjedhur për këtë seminar, pati për qëllim të thellojë kumtimin e Ungjillit, që është dialog, është paqe. E unë besoj se bashkësitë e ndryshme duhet ta kumtojnë njëzëri Ungjillin, të krijojnë një klimë dialogu, plot respekt për të tjerët, e, mbi të gjitha, duhet të jenë konstruktore të paqes.

Në seminarin e Harisës foli edhe atë Antonio Spadaro, drejtor i revistës së jezuitëve ‘Civiltà Cattolica’, duke u përqendruar tek lidhja ndërmjet teknologjisë e fesë.
Atë Spadaro, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Teknologjia është shprehje e lirisë së njeriut: nuk është vetëm shprehje e vullnetit të pushtetit mbi realitetin, por edhe aftësi e njeriut për t’u realizuar lirisht në botë e për të ndërtuar ardhmërinë e vet. E kjo ka të bëjë me jetën shpirtërore të njeriut, sepse mund të veprojë keq ose për të bërë keq. Paradoksalisht, është pikërisht kjo, që provon faktin se teknologjia ka forcë shpirtërore, duke u bërë mjet i shprehjes së lirë e i shpirtit të njeriut...

Pyetje: - Një nga pohimet tuaja shkaktoi edhe një farë çudie: ju thatë se rrjeti nuk është mjet ungjillëzimi...

Përgjigje: - Po, rrjeti nuk është mjet, nuk është si punë çekani, që mund të përdoret si diçka objektive, pikërisht si mjet; përkundazi, është kontekst, kontekst eksperencial, mjedis jete. Këtë e shikojmë gjithnjë më shumë; të rinjtë, sidomos të ashtuquajturit “fëmijët e dixhitalit”, e jetojnë rrjetin si vend, ku mund të shprehin aftësitë e tyre për të hyrë në lidhje me të tjerët, ku njohin botën, realitetin. Prej këndej, rrjeti nuk është mjet, nuk mund të jetë as mjet i ungjillëzimit. Shumë- shumë, mund të themi ‘vend’ i ungjillëzimit. Kisha duhet t’i kërkojë njerëzit, atje ku janë, e sot janë edhe në rrjet, prandaj Kisha duhet të jetë edhe në rrjet.







All the contents on this site are copyrighted ©.