2012-04-19 19:06:48

Çelësi i fjalëve të Kishës: misioni i Papës si Pasardhës i Shën Pjetrit


Sot, mbushen shtatë vjet, që nga zgjedhja e Benediktit XVI në fronin e Shën Pjetrit. Shërbimi papnor e ka bazën në fjalët e Jezu Krishtit, i cili i dha Shën Pjetrit Apostull çelësat e Mbretërisë Qiellore dhe e bëri “gurin e këndit” për ndërtimin e Kishës së vet. Në këtë shërbim, në shërbimin “petrin” të Atit të Shenjtë, do të përqendrohet emisioni ynë i sotëm.
Libra pa fund janë shkruar për tekstin “petrin” të Ungjillit sipas Mateut: “Ti je Pjetër-Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell”(16,18-19). Për të analizuar këtë tekst - për të cilin, dikush mendon se është përpunuar në fund të shekullit IV, sipas dëshirës së Damazit papë, për t’iu përshtatur kërkesave të të krishterëve të kohës - duhet të kemi parasysh dy gjëra. Së pari, Ungjijtë nuk pasqyrojnë fjalë për fjalë ç’ka thënë Jezusi. Ata na japin fjalën e interpretuar nga pikpamja teologjiko-baritore. Së dyti, shën Mateu në veçanti është ungjilltari më i kujdesshëm për përmasën kishtare të tekstit. Vërtet, fjala “ekklesìa”, term i papërdorur nga ungjilltarët e tjerë, vendoset prej tij në tekstin që përmendëm dhe në një kapitull tjetër (18,17). Pra, shën Mateu mund t’i ketë interpretuar në këtë këndvështrim edhe fjalët e Jezusit.
Para nesh, shtrohen dy pyetje: A mos Kisha e zanafillës i ka ndryshuar fjalët e Jezu Krishtit për të justifikuar primatin petrin të Papës? Apo kemi të bëjmë me një interpretim baritor e kishtar të thelbit të fjalëve, që i ka thënë vërtet Jezu Krishti? Të dyja hipotezat kanë pasur e vazhdojnë të kenë përkrahës mjaft luftarakë. Por ekziston një e dhënë e pamohueshme, që favorizon të dytën. Pjesa e cituar e Ungjillit të Shën Mateut na zbulon pa dyshim një bazë semite, pasi përdor gjuhën bibliko-judaike e jo atë greko-romake e aq më pak atë kishtare të mëvonshme. Kjo justifikon të paktën pretendimin për lashtësinë e tekstit. Në të, gjendet emri aramaik “Kephà” (gur), që i atribuohet Simonit e që në origjinal, nuk lakohet si në greqisht “Pétros/pétra”. Atë e përdor drejtpërdrejt Shën Pali Apostull, i cili megjithëse kishte kontradikta me Shën Pjetrin, i njeh atij funksionin e “shtyllës”, “kolonës” së Kishës, së bashku me shën Jakun e shën Gjonin (Gal 2,1-14).
Formulimi “portat e ferrit” (Ade në greqisht) është helenizimi i hebraishtes “portat e vdekjes”, gjë që është verifikuar gjerësisht nga literatura biblike e judaike. Imazhi i “çelësave” është simbol biblik i autoritetit dhe i përgjegjësisë. Mund të përmendim këtu si shembull, një pjesë të njohur nga Libri i Isaisë profet (22,22), ku flitet për ndryshimin e pushtetit në mbretërinë e Ezekisë (shekulli VIII-VII p. K.) e për zëvendësimin e një veziri: “Mbi shpatullën e tij do të vë çelësin e shtëpisë së Davidit; ai do të çelë e askush s’do të mbyllë, ai do të mbyllë e askush s’do të çelë”. Nga ana tjetër, edhe sfondi, në të cilin zhvillohen ngjarjet e paraqitura në Ungjillin e Shën Mateut, është semit. Në kapitullin 16(17), pikërisht duke iu drejtuar Shën Pjetrit, i cili e kishte njohur si Mesi, Jezusi përdor fjalët “mish e gjak”, shprehje semite e mirëfilltë për të treguar realitetin e mangët njerëzor: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell!”
Edhe në binomin juridik “të lidhësh e të zgjidhësh”, që shën Mateu e përdor më vonë për të gjithë apostujt (18,18), baza është përdorimi i gjuhës judaike-rabinike: “asar e shera” në aramaikisht tregojnë skomunikimin e anullimin e tij në sinagogë, por kanë edhe vlerë jo thjesht disiplinore, sepse mund të interpretohen edhe si “ndalim e lejim” të një sjelljeje të caktuar, nga pikpamja e mësimeve të ligjit. Në të ashtuquajturin “Dokument esen” të Damaskut, që i referohet grupit, në të cilin mendohet se bënte pjesë edhe Krishti, përgjegjësi mund “të zgjidhë të gjitha lidhjet” ndërmjet anëtarëve të bashkësisë. Historiani judaik Xhuzepe Flavio, në shekullin I p. K. Shkruante se farisenjtë kishin të drejtë të zgjidhnin e të lidhnin, “lùein e désmein” përmend ai në greqisht (Lufta judaike I,5,2,n.111). Ky binom shihet sërish në Ungjillin e katërt e i referohet bashkësisë së apostujve me sinonimet “afìemi/kratéin”- falni e nuk falni mëkatet (Gjn 20,23).
Së fundi, mund të themi se nuk ka dyshim që Shën Pjetri, për të gjithë ungjilltarët, gëzon një primat mbi të tjerët. Për shembull, është gjithnjë i pari në listën e të 12-ve e është emri më i përmendur në Besëlidhjen e Re, pas atij të Jezusit. Gjithashtu, atij ia beson Jezusi i Ringjallur grigjën e besimtarëve (Gjn 21,15-17). E gjithë kjo nuk mund të mos jetë rezultat i fjalëve të vërteta të Jezusit historik, pra teksti “petrin” i Shën Mateut ungjilltar, pavarësisht se mund të jetë formuluar mbi bazën e praktikës kishtare të zanafillës, i ka rrënjët në fjalët e Jezusit, thënë në aramaikisht. Shën Pjetrit, Krishti i delegon një detyrë jo vetëm disiplinore, por i kërkon të japë mësim me autoritet për shëlbimin e botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.