2012-04-19 12:24:13

Shtatë vjet me Benediktin XVI, Papën e gëzimit


Kisha kremton sot me mirënjohje ndaj Zotit, shtatëvjetorin e zgjedhjes së Jozef Ratcinger në Katedrën e Shën Pjetrit.
“Punëtor i përvuajtur në vreshtin e Zotit”. Më 19 prill 2005, Benedikti XVI i paraqitej kështu botës. Kanë kaluar shtatë vjet, që asokohe. Shtatë vjet, gjatë të cilave bariu, sa i butë, aq i fuqishëm, i Kishës Universale, e udhëhoqi me dorë të sigurtë e zemër bujare, barkën e Shën Pjetrit.
Imzot Bruno Forte, kryeipeshkëv i Kieti-Vastos, në mikrofonin tonë, e shikon kështu këtë papni:
Përgjigje: - Është papni dramatike dhe e ndritshme njëkohësisht. Dramatike, sepse i përket kohëve dramatike, kohë ndeshjesh ndërmjet qytetërimeve, në të cilat Papa i është kundërvënë me forcë çdo forme të dhunës. Por edhe kohë e krizës së madhe, që përshkon katundin global, botën e madhe-të vogël, të cilës Papa iu përgjigj me largpamësi, duke themeluar edhe një këshill papnor për ungjillëzimin e ri. Pikërisht në këtë kohë dramatike, të bie edhe më shumë në sy shkëlqimi i mesazhit të Benediktit XVI, që vijon me guxim ta ftojë botën të ecë në gjurmët e Krishtit, të shpresojë e ta shikojë krishterimin si rrugë të mundshme edhe për shpëtimin nga kriza aktuale. Këtë e shikojmë në ngulmimin e Papës mbi temat e mëdha të krishterimit, posaçërisht mbi temën e fesë, domethënë, të risimit të vërtetë, që ia kërkon me këmbëngulje të madhe, sidomos, Kishës.

Ashtu si Paraardhësi i tij i dashur, edhe Benedikti XVI vë me forcë theksin mbi rolin e lëvizjeve laikale në ungjillëzimin e ri. Temë e fortë, që i përshkon këto shtatë vjet papnie, për të cilën flet kryetari italian i lëvizjes “Risimi në Shpirtin Shenjt”, Salvatore Martinez, që i kujton takimet e tij me Papën…

Përgjigje: - Duke vënë në dukje dy kujtime. I pari, dhjetë muaj pas zgjedhjes, audienca ime private me Papën, në të cilën e ndjeva menjëherë se po takohesha me ‘Papën e mirë’, fisnik, sa në mendime, aq në vepra. Rrëshajët historike me lëvizjet, pastaj, në të cilat Bendikti XVI theksoi me forcë temën e madhe të karizmave. Është papni, që i fton laikët t’ia hapin edhe një herë rrugën e shpresës, Ungjillit të shpresës.

Këto shtatë vjet Papa ka ngritur vazhdimisht zërin në mbrojtje të dinjitetit të njeriut, të shpërfytyruar nga dhuna, nga egoizmi, nga mjerimi. Është bërë, kështu, zë i atyre që nuk kanë zë. Këtë nënvizon motra Eugjenia Boneti, misionare e Zojës së Ngushëllimit, drejtoreshë e zyrës “Kundër tregtisë së grave e të vajzave të mitura”, pranë USMI-t(Bashkimi i Kryeproreve Rregulltare) :

Përgjigje: Këto vite të Papnisë na kanë dhënë shumë, sepse në Benediktin XVI kemi gjetur një atë, që di të na dëgjojë, që di t’i dallojë kërkesat urgjente të së sotmes, posaçërisht emergjencat e emigracionit, të shfrytëzimit të njeriut. Atë e Bari, na jep forcë ta vijojmë impenjimin tonë, që çdo njeri të jetojë me dinjitet, sepse i dashur nga Zoti e i krijuar sipas shembëlltyrës së Tij.

Temë tjetër, që e dallon papninë e Benediktit XVI, është ajo e dialogut të frytshëm ndërmjet fesë e arsyes, impenjim që vlerësohet shumë nga gjenetisti Anxhelo Veskovi, kryetar i Komitetit shkencor të Neurothon:

Përgjigje: - Na ka dhënë drejtimin, duke na treguar si të ecim. Flas kryesisht për sektorin tim, të sëmundjeve degjenerative e të mjekimit me qelizat staminale. Papa më ka mësuar ta respektoj jetën njerëzore në çdo rrethanë, sidomos, kur punohet për të shëruar njerëzit, që vuajnë. Natyrisht, mësimet e Papës janë dritëdhënëse në rrugën tonë. Pata rastin ta njoh Atin e Shenjtë nga afër, e mund të them se më la një përshtypje të thellë, të paharrueshme. Duke ia ngulur sytë syve të tij, pashë në ta një paqe, që rrallë herë e kam parë.

Pyetje: - Ju mendoni se Papa mund ta ndihmojë edhe një shkencëtar?

Përgjigje: - Mbi të gjitha, shkencëtari në radhë të parë është njeri. Pastaj shkencëtar. E pastaj një Papë, që ka aftësinë të transmetojë jo vetëm vlera fetare, por edhe morale, filozofike, nuk mund të mos e ndihmojë edhe shkencëtarin.

Pyetje: - Ç’i uroni Papës në këtë përvjetor?

Përgjigje: - Urimi im është ta kemi mes nesh edhe njëqind vjet të tjera. E të mund të na prijë me atë paqe, që ia pashë në sy; paqe që, pa dyshim, vjen nga Lart.

Papa i fjalës për antonomazi, Benedikti XVI, me magjisterin e tij, është sfidë nxitëse për punonjësit e komunikimit. Për këtë reflekton drejtori i gazetës italiane “Avvenire”, Marko Tarkuinio:

Përgjigje: - Tek Jozef Ratcinger, që u bë Papa Benedikti XVI, ajo që ishte dija e tij e madhe e krishterë, u bë diçka më shumë e diçka më ndryshe. E konsideroj si shenjë kundërshtie tejet të bukur në botën e sotme. Ai i përmbysi klishetë mediatike, në një botë që përmbys rendin e vlerave; ofroi shkandullin e përmbysjes së klisheve të paramenduara, si për personalitetin e tij, ashtu edhe për predikimin në Kishë. E këtë e bëri edhe për qëndrimin përballë problemeve themelore të botës së sotme.

Pyetje: - Një shkandull, që duhet ta bëjë të mendojë, e shumë madje, botën e komunikmit…

Përgjigje: - Ky është shkandulli: në këtë botë të informacionit, që ushqehet me siguri të vagëlluara, që kërkon tituj bombastikë në ngjarjet e kronikës, në thashethemnajën e jetës së disa njerëzve, që njihen si të zgjedhur, që shndërrohen në metër të vlerës së njeriut e në masë të suksesit, është edhe Dikush, që thotë, me një zë të kuptueshëm edhe nga njerëzit më të thjeshtë, jo vetëm nga dijetarët, se ka një mënyrë tjetër jetese, se Një tjetër është qendra, është zjarri i vërtetë, rreth të cilit mund të ndizet shpresa e botës.

Pyetje: - Urimi juaj për shtatëvjetorin e papnisë së Atit të Shenjtë?

Përgjigje: - Që Viti i fesë, i cili po fillon, t’i japë përgjigje pyetjes, të cilën Papa e bëri ndonjë javë më parë në takimin me Kishën e Romës: “Ç’thotë bota për fenë tonë?”. Kjo duhet të na shqetësojë. Urimi, pra, është se ne, si popull i Zotit, dimë të themi, duke ndjekur dritën, që Papa na ndihmon ta shikojmë, se feja jonë është domethënëse, është forcë e mirë, në një botë të tronditur fort nga ndikimi i forcave negative.







All the contents on this site are copyrighted ©.