2012-04-18 13:25:41

Takimet e Gjeçovit 2012 në Zym të Hasit


Në fshatin Zym të Hasit, në komunë të Prizrenit, më 14 prill u mbajt manifestimi i përvitshëm kulturor “Takimet e Gjeçovit 2012”.
Në fshatin Zym të Hasit, komunë të Prizrenit, ditën e shtunë, më 14 prill të këtij viti, u mbajt manifestimi tradicional kulturor i 41-të me radhë “Takimet e Gjeçovit”. Kujtojmë se fshati Zym qe vend i fundit ku françeskani i madh shqiptar Atë Shtjefën Gjeçovi veproi si meshtar rregulltar, si njeri i kulturës e atdhetar i paepur. Pikërisht ndërsa po kryente misionin e tij të përditshëm për Fe e Atdhe, duke punuar në ndërgjegjësimin kombëtar, shpirtëror e kulturor të popullit shqiptar, atë Shtjefën Gjeçovi u vra pabesisht. Dha kështu jetën për Zot e popull të vet. E manifestimi kulturor “Takimet e Gjeçovit” që mbahet që nga viti 1971 është një rast i volitshëm për t’u njohur me këtë figurë poliedrike kombëtare e kishtare dhe vlerat që ia kultivoi e transmetoi.
E kështu po t’i kthehemi manifestimit të këtij viti që u mbajt në Zym, i cili në program pat përkujtimin e dy ngjarjeve kryesore: 310 vjetorin e strehimit të ipeshkvijve të dioqezës së Shkup-Prizrenit pranë Kishës së Zymit të Hasit dhe Jubileun e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në manifestim morën pjesë personalitete të larta kishtare e shtetërore kosovare dhe nga bota e kulturës e qytetarë të shumtë nga të gjitha viset.
Në pjesën e parë të manifestimit u kremtua Mesha e Shenjtë nga ipeshkvi i Vendit në bashkëpunim me meshtarë e rregulltarë, gjatë së cilës u përkujtua 310 vjetori i strehimit të disa ipeshkvijve të dioqezës së Shkup-Prizrenit në Zym të Hasit, si imzot Pjetër Karagiqi (1702-1727), imzot Mihill Suma (1727-1743) dhe imzot Gjon Nikollë Kazazit (1743-1752)”.
Pas Meshe, në përkujtim të kësaj ngjarjeje u zbulua një obelisk nga kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi dhe ipeshkvi i Kosovës imzot Dodë Gjergji.
Pjesa e dytë e manifestimi kishte një program të pasur kulturor. Sivjet u shënua 100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi theksoi mes tjerash: “Sivjet shënojmë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Ditës së Flamurit. Gjeçovi punoi për këtë ditë dhe e priti atë, u gëzua për atë, por, brezi i tij se jetuan dot. Më këtë rast dua t’ju kujtoj edhe dy fakte që ndërlidhën me këtë Ditë të Madhe. Vetëm tridhjetë e tri ditë pas shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, në Prekaz të Drenicës, Ahmet Delia ngre pushkën e rezistencës si jehonë vazhdimësie kundër robërisë që vazhdojë për gati një shekull. Ndërkaq, vetëm 19 ditë më vonë, pikërisht në janar të 1913-ës, po këtu në Kishë të Zymit, në përkrahje të Pavarësisë, mblidhen burra e kuvendarë për të biseduar për fatet e pjesës së robëruar. Derisa në kambanoren e kishës valëvitej flamuri kombëtar, Patër Prela me zërin e tij bubullimë i bënte jehonë Vlorës heroike, Vlorës së flamurit. Përvjetorët e këtillë, aq më tepër kur shtrihen në përmasë shekulli, padyshim që në sfondin e vet përmbajnë shkaqet, shkaset e motivet për kujtesën e kujtimet e lavdishme e të dhimbshme, për reflekse e reflektime, krahas mbushjes së shpirtit me ndjenjën emocionale të atdhedashurisë e të lirisë...Në jubileun e pavarësisë së Shqipërisë, vjen fuqishëm zëri i kushtrimit nga viti i madh 1912, nga brezat e dëshmorëve të para dhe pas saj, për të mbrojtur fitoret historike, për të kultivuar vlerat e traditës së shkëlqyer të kombit tonë dhe për të përparuar e zhvilluar vendin e të parëve tanë, ky është obligim që duhet të na përcjell në çdo kohë të ditës 24 orëshe. Para nesh është beteja e madhe e zhvillimit ekonomik, e zhdukjes së varfërisë, e zhvillimit demokratik dhe e sundimit të plotë të ligjit e të rendit në shoqëri. Mirëqenia i duhet kombit e jo vetëm individit. Në kujtim të 28 Nëntorit 1912, brezi ynë përkulet me pietet para gjithë themeluesve të shtetit shqiptar dhe dëshmorëve të lirisë e të pavarësisë".
Pastaj u si zakonisht u mbajt “Ora letrare ‘Anton Pashku”, me shpalosjen e krijimeve të poetëve (Edi Shukriu, Halil Matoshi, Jonuz Fetahaj, Gjon Gjergjaj, Resul Shabani, Basri Çapriqi, Mustafa Spahiu, Hajdar Mallakaj, Ndue Ukaj, Fatime Ahmeti, Ramadan Mehmeti, etj.) nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova Lindore dhe diaspora shqiptare.
Në vazhdim të manifestimit “Takimet e Gjeçovit 2012”, organizatorët ndan çmimet “Unaza e Katarina Josipit”, pastaj “Pena e Pjetër Bogdanit”, “Pena e Shtjefën Gjeçovit” dhe “Pena e Anton Pashkut”.
Në kuadër të këtij manifestimi u hap edhe ekspozita figurative e Kurbine Çollakut, si dhe u shfaq një program kulturo-artistik i SHKA “Katarina Josipi” të Zymit.
Do përmendur se manifestini i parë “Takimet e Gjeçovit” u mbajt me 14 tetor 1971 me nismën e gazetarit e shkrimtarit zymjan Frrok Kristaj. Po mbi kete ceremoni nga Prishtina te ndjekim sherbimin e Rabie Ibrajt.........RealAudioMP3


Atë Shtjefën Gjeçovi (1874-1929) kolosi i Fesë e Atdheut, është një nga tri figurat vigane që krishterimi i fali kulturës kombëtare shqiptare. Frati françeskan shqiptar kosovar, Atë Shtjefën Gjeçovin, për kontributi e tij, radhitet përkrah gjenive të tjerë të krishterimit ndër shqiptarë, si imzot Pjetër Bogdani, imzot Gjon Kazazi, Atë Gjergj Fishta, Atë Anton Harapi e të tjerë.
Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Ai mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.
Atë Shtjefën Gjeçovin, lindi, më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës në një familje thellësisht katolike dhe shumë patriotike. Në pagëzim ia vunë emrin Mëhill e shkurtimisht e thirrën Hilë. Që i vogël shfaqi shenja jo të zakonshme zgjuarsie, prandaj famullitari françeskan, me leje të prindërve, e mori një ditë për dore dhe u nis bashkë me të për në Shkodër, në Kolegjin françeskan. Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e murrmë, të lavdishëm, të fratit. Vijoi mësimet në Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bonjë-Hercegovinë, ku është përgatitur një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve, Fishta. Më vonë françeskanët e rinj do të merrnin rrugët drejt Austrisë e Italisë. Nisi të interesohej për gjithçka kishte të bënte me historinë e popullit të vet: për fillimet e krishterimit, për arkeologji, etnografi, gjuhësi, letërsi e natyrisht edhe të hidhte në letër shkrimet e para, pa harruar kurrë se detyra e tij kryesore do të ishte predikimi i Ungjillit të Krishtit.
U kthye në Troshan më 1896, 22 vjeçar, famullitar i ri me fe të gjallë e kulturë të thellë. Predikoi Ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste, Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, Gjakovë, Zllakuqan e Zym.
Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të gjitha fushat e kulturës e të arsimit. Shkroi në të tria gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta bënte të pavdekshëm, "Kanunin e Lekë Dukagjinit" monument i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin "Doktor i shkencave in honoris causa".
Lista e veprave të tij është shumë e gjatë, Botoi, me emër të plotë ose me pseudonimt Lkeni i Hasit e Komnen edhe Kanina, shumë shkrime nëpër të përkohshmet e ndryshme si të “Albania”, “Hylli i Dritës”, “Populli”, “Brezi i ri”, etj. Megjithatë, veprimtaria e Gjeçovi nuk kufizohet vetëm në artikujt e gazetave, por ky ishte edhe një përkthyes i suksesshëm dhe një autor i veprave originale. Më 1904 botoi veprën “Jeta e shë Luçis, pajtores s‟arkidieçezit të Durrësit”, me 1905 shkroi tragjikomedinë “Markhulli Kryqytas”. Veprën “Agimi i Gjytetniis” e botoi në Shkodër më 1910. në vitin 1912 shqipëroi dhe botoi dramën “Atil Riguli” të poetit italian Pjetro Metastasio. Më 1912 përktheu “Shna Ndou i Padues” të A. M. Dal-Gal, pastaj “Vajza e Orleansit ose Joana d‟Art” të Bergamos, e poashtu, shkroi edhe dramën “Mojsi Golemi". Atë Shtjefën Gjeçovi dha kontributin e tij edhe më lëmin e arkeologjisë. Ky arriti të mblidhte e radhiste materiale arkeologjike, duke kriuar kështu një koleksion të pasur arkeologjik në muzeumin françeskan të Shkodrës. Në lëmin e arkeologjisë dallohet studimi i tij me titull “Trashigime thrako-iliriane” që botohej në revistën ”Populli”, e më vonë edhe në “Hylli i Dritës”, Shpërblyesi i botës ose Jeta e Jezu Krishtit.
Shumica e veprave i mbetën në dorëshkrim. Madje edhe "Kanuja" u botua pas asaj dite ogurzezë të vitit 1929, kur ra nën plumbat serbe, duke shuguruar me gjakun e vet bucat e asaj toke, për të cilën kishte shkrirë jetën, të cilat nuk lageshin për herë të parë me gjak frati. Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve, të dhënat për të lartuar në elter një tjetër frat shqiptar, Atë Luigji Pali, martir i fesë e i atdheut.
Por pa dyshim vepra më e rëndësishme e Atë Shtjefën Gjeçovit është përmbledhja e rregullave të së drejtës zakonore dhe dokeve të popullit me titull “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, disa kapituj të të cilit filluan të botoheshin me 1913 dhe vazhduan më vonë në “Hylli i Dritës”, por që dolën si libër në vete më 1933, pra pas vdekjes së Gjeçovit. Përmbledhjen e tij, e cila ishte në dorëshkrim, e rënditën, plotësuan dhe e botuan etërit françeskan si vepër postume. Kjo, është përmbledhja e së drejtës zakonore shqiptare, me rëndësi të madhe për studime në disiplina të ndryshme shkencore.
Ndërmjet shkrimeve të shumta kushtuar Atë Gjeçovit, po kujtojmë se për të është shkruar edhe një monografi me titull "Shtjefën Gjeçovi: Jeta, vepra me autor Ruzhdi Matën, Mandej një biografi e sivëllazënve të tij françeskanë, të cilët e njohën nga afër, sidomos Atë Pashkë Bardhit, historianit të fretërve.
Duke përkujtuar sot Atë Gjeçovin, bëmë vetëm një skicë të shpejtë të një figure që i ngriti vetvetes me vepra një monument të pashkatërrueshëm nga koha.
Në Atë Shtjefën Gjeçovin u bë atentat në afërsi të fshatit Zym më 14 tetor 1929 nga xhandarët jugosllavë.







All the contents on this site are copyrighted ©.