2012-04-18 17:28:58

Përgjigje e re e Vëllazërisë së Shën Piut X, që së shpejti do të shqyrtohet nga Papa.


Arriti dje, në Vatikan, përgjigjja e Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X, kërkuar nga kardinali Uiljam Levada, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.
Kërkesa u bë gjatë takimit të 16 marsit të kaluar, në Vatikan, me eprorin e Vëllazërisë, imzot Bernard Fellay. Me këtë rast kardinali Levada, duke dëshiruar të shmangë një çarje kishtare, me pasoja të dhimbshme e të pallogaritshme, e pati ftuar imzot Fellay-n ta sqaronte brenda muajit qëndrimin e tij, me qëllim që të arrihet në mbylljen e çarjes ekzistuese, siç ka uruar gjithnjë edhe Papa. Përgjigjja e imzot Fellay-t do të shqyrtohet, tani, nga diskasteri vatikanas, për t’iu nënshtruar, pastaj, gjykimit të Atit të Shenjtë. Njoftimin e jep Komisioni Ecclesia Dei, i ngarkuar ta lehtësojë bashkimin e plotë të anëtarëve të Vëllazërisë, themeluar nga imzot Marcel Lefebvre, që dëshirojnë të mbeten të bashkuar me Pasardhësin e Shën Pjetrit në Kishën katolike. Përgjigjja e imzot Fellay është “mjaft e ndryshme nga e para’ , gjykuar nga Selia e Shenjtë si e pamjaftueshme, dhe do të vlerësohet së shpejti, shton atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit. I pyetur nga gazetarët, atë Lombardi e quajti tekstin e ri ‘hap përpara dhe fakt inkurajues’. Teksti i ardhur nga bashkësia lefebvriane përmban, njoftoi atë Lombardi, edhe propozime për integrim ose saktësime lidhur me tekstin e “Hyrjes”, dokumentit doktrinor, dorëzuar më 14 marsin e vitit të kaluar nga Kongregata për Doktrinën e Fesë, Vëllazërisë Meshtarake të Shën Piut X, paraqitur si bazë kryesore për vijimin e rrugës së pajtimit të plotë me Selinë Apostolike. Kujtojmë se është fjala për procesin e nisur më 29 janar të vitit 2009, me vendimin e Benediktit XVI për t’u hequr shkishërimin katër prelatëve të shuguruar nga kryeipeshkvi Lefebvre dhe për të hapur, njëkohësisht, bisedimet doktrinore me Vëllazërinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.