2012-04-17 18:37:30

Vepra e Papës “Jezusi i Nazaretit” bëhet audiolibër


Me rastin e 85 vjetorit të lindjes së Papës Benediktit XVI libraria e shtëpia botuese e Vatikanit për herë të parë realizoi dhe nxori në qarkullim në
audio-libër në gjuhën italiane një vëllim të veprës së Papës Ratcinger. Është fjala për veprën e kohëve të fundit “Jezusi i Nazaretit. Nga hyrja në Jerusalem deri në ngjallje”, kushtuar mundimeve, vdekjes mbi kryq e ngjalljes së Nazarenasit, botuar një më parë. Audiolibri është prodhim i Librarisë e Shtëpisë botuese të Vatikanit (Lev) në bashkëpunim me “Emons audiolibri”.
Audiolibri i Papës Benediktit XVI zgjat nëntë orë e 53 minuta. Aktori i madh italian, Ugo Pagliai, me zërin e tij të veçantë, i bënë të kapshme e të kuptueshme për të gjithë pjesët më tërheqëse e dramatike të tregimit të jetës së Jezusit, që përbëjnë thelbin qendror të Ungjijve. Papa citon burimet historike, paraqet arsyet e fesë së Kishës, ofron një studim ekzegjeze të thellë të teksteve ungjillore duke i bërë njëkohësisht të kuptueshëm për çdokënd.
Ugo Pagliai, aktor që nuk ka nevojë për prezantim, shpjegoi për gazetën vatikanase L’Osservatore Romano stilin e zgjedhur për leximin e veprës së Papës Benediktit XVI: bëhet fjalë për kriteret që përdorën prej vitesh për himnet e liturgjisë, të njohura si “less in more”. Kush i shqipton këto tekste është i ftuar të mendoi në domethënien e thellë të asaj që thotë e jo vetëm t’i shpreh në mënyrë artistike fjalët që shqipton. Nuk ka theksime të veçanta të zërit apo pjesë të “recituara”, për të shmangur elementet emfatike e sentimentaliste.







All the contents on this site are copyrighted ©.