2012-04-17 14:33:58

Një shtatë vjeçar purifikimi. Bilanc mbi papninë e Benediktit XVI


Papa Benedikti XVI u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit më 19 prill 2005. Është çasti për një bilanc të parë të papnisë së pasardhësit të të Lumit Gjon Pali II. Këtë bën një nga opinionistët italianë, vatikanisti Xhakomo Galeaci, në një artikull, ku vë në dukje pa doreza, problemet me të cilat është ndeshur Jozef Racinger dhe arritjet e veprimtarisë së tij në shërbim të Kishës Katolike universale. Vërtet, artikulli i tij fillon nga abuzimet seksuale të disa anëtarëve të klerit ndaj të miturve.
“Persekutimi më i madh kundër Kishës është mëkati brenda saj”, citon Galeaci, Papën aktual. Në udhëtim për në Fatima, mjafton një frazë e Benediktit XVI për të bërë hi e pluhur teoritë komplotiste e justifikuese për shkandullet e plagët e Kishës. Një frazë, që u bë manifest i papnisë së “purifikimit”. Tri data përvijojnë kufijtë e një vlerësimi të mundshëm mbi të: ditëlindja e 85-të, të hënën, 16 prill; përvjetori i shtatë i zgjedhjes si pasardhës i Shën Pjetrit Apostull, të enjten, 19 prill; dhe data solemne, e fillimit të papnisë, të martën, 24 prill. Askush s’ka bërë sa Jozef Racinger kundër abuzimeve seksuale të klerit dhe kundër skandaleve financiare të Kuries romake. Ia mbylli gojën priftit Marcial Maciel, pedofil, dhe çoi kontroll në kongregatën fetare të themeluar prej tij (Legjionarët e Krishtit), themeloi një organizëm kontrolli financiar në Vatikan, i detyroi të japin dorëheqjen dhjetra ipeshkvij në të gjithë botën, që i mbulonin pedofilët në radhët e klerit. Një teolog, që pasi u bë Papë, mori me vendosmëri përsipër detyrën e reformatorit. Por në qeverisjen e përditshme të Kishës nuk e harron kurrë objektivin parësor: të rikthejë fenë në Krishtin në qendër të jetës së Kishës e të njeriut të shekullarizuar. Pasi e forcoi Kishën me anë të luftës së vendosur kundër pedofilisë e me anë të reformës financiare, që fillon të japë frytet e para, Jozef Racinger po përqendrohet në një aventurë tjetër të rëndësishme: reflektimin mbi Koncilin II të Vatikanit, i cili duhet t’i japë shpirt Vitit të Fesë e të fillojë një epokë të re për krishterimin e Kishën Katolike në botë.
Vija e ndjekur nga Papa është gjithnjë e më shumë ajo e transparencës, e gatshme – nëse është e nevojshme – të fillojë edhe hetime të brendshme, siç u bë për të gjetur fajtorët e daljes së dokumentave të rezervuara, që kritikonin nuncin aktual në Uashington, kryeipeshkvin Viganò, kur administronte Guvernatoratin. Si kardinal, Jozef Racinger nuk është marrë kurrë as me intriga, as me krijimin e ndonjë baze pushteti për vete, e nuk i ka interesuar asnjëherë të ndikojë grupe opinioni brenda e jashtë Kishës. Pasi u bë Papë, iu desh t’i bëjë llogaritë me sjelljet, që nuk i kanë pëlqyer kurrë, por kjo nuk e ndryshon objektivin e tij: ta jetojë krishterimin dhe t’ia komunikojë njerëzve. Duke filluar nga të rinjtë. E në marrëdhëniet me brezat e rinj e ka ndihmuar sigurisht, përvoja me grupet rinore të famullisë së parë, ku ka shërbyer si meshtar, në Munih, në gusht 1951 e në Frajburg, në vjeshtën e ’52-shit.
Si pedagog në Tubingë, që prej vitit 1966, e kishte zakon të ftonte për drekë studentët, disa prej të cilëve i patën dhuruar një biçikletë të përdorur, blerë në ankand, për të shkuar në universitet nga shtëpiza pranë liqenit Aasee. “Mendoj veçanërisht për të rinjtë: do të vazhdoj të dialogoj, t’ju dëgjoj, për t’ju ndihmuar ta takoni Krishtin gjithnjë e më shumë”, u pati thënë Papa Racinger të rinjve, në fjalimin e tij të parë publik, shtatë vjet më parë.
Sigurisht, nuk mungojnë pengesat. Mendimi teologjik dhe baritoria e Benediktit XVI “keqkuptohen rëndë vazhdimisht”, ndeshen me “kritika e paragjykime”, kundër të cilave “është detyrë urgjente” të paraqitet “fizionomia e vërtetë” e magjisterit të tij, pohon kardinali Kurt Koh, kryetar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, në parathënien e librit të tij “Misteri i kokrrës së sinapit. Bazat e mendimit teologjik të Benediktit XVI”, i cili u paraqit me rastin e 85-vjetorit të Papës, në Qendrën Ndërkombëtare të Romës. Kardinali Koh vë theksin sidomos mbi “kritikën e thellë dhe shpesh, të përsëritur” se “Benedikti XVI është kthyer mbrapsht dhe dëshiron ta çojë Kishën para Koncilit II të Vatikanit”. Në të vërtetë, vëllai i Atit të Shenjtë, Georg, në librin e shkruar me gazetarin Mikael Heseman, “Vëllai im, Papa”, hedh dritë mbi mendimin e Jozef Racinger për Koncilin.
Nga tregimet e të vëllait, i cili përmend mbledhjet e ipeshkvijve të Austrisë e të Gjermanisë gjatë Koncilit II të Vatikanit në seminarin e Shën Marisë së Shpirtit, kuptohet më mirë roli i Jozef Racinger si ekspert në Koncil, dhe del në pah atmosfera e asaj epoke të jashtëzakonshme në Kishë. Janë të qarta edhe kundërshtitë ndërmjet kryeipeshkvit të Këlnit, Frings dhe kardinalit Otaviani, i cili si prefekt i Zyrës së atëhershme Sant’Uffizio e kryetar i komisionit teologjik, bëri gjithçka për të penguar reformat. Jozef Racinger, si teolog i ri, pati shërbyer si “ghostwritter” (pena, që shkruante në të vërtetë fjalimet e artikujt) për kardinalin Jozef Frings, i cili luajti rol të rëndësishëm në Koncilin II të Vatikanit. E pikërisht për kardinalin, ai ka shkruar një relacion mbi Koncilin, që u prit nga dëgjuesit si programi teologjik i takimit katolik, të mbledhur nga Gjoni XXIII. Tani, gjysëm shekulli më vonë, do të jetë po Jozef Racinger, kësaj radhe si Papë, në krye të reflektimeve mbi frytet e sfidat e po atij Koncili.







All the contents on this site are copyrighted ©.