2012-04-17 13:03:20

Busti “Atë Gjergj Fishta” në Jagodë


Më 12 prill në shkollën fillore “Atë Gjergj Fishta“ të fshatin Jagodë të komunës së Klinës në Kosovë, u përurua busti i françeskanit e poetit kombëtar Atë Gjergj Fishta.
Organizuar nga famullitari i vendit don Robert Jakaj, e realizuar me kontributin e vëllezërve Pal e Pren Nikollaj, bashkatdhetarë shqiptarë nga fshati Jagodë, në SHBA-së, e nën patronatin e kryetarit të Bashkisë së Klinës, z. Sokol Bashota, skulptura e Atë Gjergj Fishtës u realizua nga skulptori prof. Gani Bajraktari.
Në ceremoninë e përurimit merrnin pjesë personalitete të shumta qeveritare, e kishtare të Kosovës, nga bashkësia islame e Klinës, studiues, arsimtar, nxënës e qytetarë të shumtë, e personalitete tjera të ardhur edhe nga Lezha e Shqipërisë e nga diaspora. Më rastin e zbulimit të përmendores së atë Gjergj Fishtës u fol mbi veprimtarinë e tij fetare, letrare, politike, diplomatike e kombëtare. Një nga figurat më të rëndësishme të letrave shqipe, Atë Gjergj Fishta është personalitet që dhuroi jetën e talentin për çështjen dhe të mirën e kombit shqiptar.
Tash e tutje shkolla fillore e fshatit Jagodë e komunës së Klinës, do të ketë pamje më të mirë me bustin e venë të njërit ndër figurat më të çmuara të rilindjes sonë kombëtare, Atë Gjergj Fishtës, i cili gjatë ceremonisë përmendur u shqua e konsiderua si figurë që ka punuar për unifikimin e shqiptarëve.
Kryetari i Bashkisë së Klinës, z. Sokol Bashota, tha se është nder që një shkollë e Klinës të ketë bustin e këtij kolosi të letrave shqipe, i cili bëri që bota t’i njeh shqiptarët si komb.“Kontributi i Atë Gjergj Fishtës, përkushtimi i tij për kultivimin e gjuhës, na mëson se si duhet dashur atdheu dhe si duhet luftuar e punuar për të mirën e mbarë popullit”, tha Bashota.
Ndërsa Vikari i Përgjithshëm i Administraturës Apostolike të Kosovës, dr. don Lush Gjergji, kujtoi se figura e atë Gjergj Fishtës gërsheton në vete atdhedashurinë, teologjinë, filozofinë, letërsinë dhe humazmin. Don Lushi duke folur për veprën monumentale të françeskanit atë Fishta, kritikoi disa qarqe shqiptare që po mundohen të ulin vlerat e njerëzve të mëdhenj shqiptarë.
“Sot nuk janë më të tjerët që na sulmojnë e pengojnë, por jemi ne, disa prej nesh, të cilët edhe personalitetet e mëdha historike e kombëtare i vënë në dyshim duke u nisur nga heroi kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, e Lumja Nënë Terezë e atë Gjergj Fishta. Kjo mund të konsiderohet si një vetëvrasje historike, shpirtërore e kulturore, si përdhosje e historisë dhe rrezikim i së tashme dhe i së ardhmes”, u shpreh prifti kosovar don Lush Gjergji.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, z. Viktor Tusha, me tjerash tha se: “Ardhja ime sot është e veçantë, pasi që vij bashkë me një bashkëqytetar që quhet Atë Gjergj Fishta, i cili tashmë edhe pa monumente është i madh, por me këtë sot i bëjmë nder atij siç na bëri ai neve vite të tëra për kontributin e madh në lirinë e Shqipërisë”. Gjithnjë sipas tij, atë Gjergj Fishta ishte përkrahës i flaktë i shqiptarizmës, të cilën e gdhendi me pendën e tij, duke e vënë në analët botërore. Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Tusha i përgëzoi nismëtarët dhe gjithë ata që kontribuuan për ngritjen e këtij monumenti që është shenjë e një transmetimi vlerash për brezat që vijnë.
Edhe zëvendës Ministri i Drejtësisë së Kosovës, z. Daut Xhemajli, që përfaqësonte Qeverinë e Prishtinës, e vlerësoi lartë atë Fishtën si personalitet profetik të kulturës shqiptare i cili më krijimtarinë e tij ishte i gjithanshëm. Sipas tij, atë Fishta krijoi rrugën e unitetit shqiptar për fe dhe atdhe. “Atë Gjergj Fishta dha një kontribut të madh në hartimin e alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit dhe qe një edukator në rrugën e qytetërimit evropian”, tha Xhemajli.
Në këtë manifestim, aktori shqiptar z. Reshat Arbana interpretoi disa vargje të kolosit të letrave shqipe, atë Gjergj Fishtës.
Në vazhdim për jetën dhe veprimtarinë e atë Gjergj Fishtës u mbajtën edhe dy kumtesa tjera shkencore nga prof. Prend Buzhala e nga prof. dr. Anton Nikë Berisha, njofton zyra e famullisë kishtare e fshatit Jagodë. Po më hollësisht mbi këtë manifestim nga Prishtina na njofton Rabie Ibrajt.......RealAudioMP3

I formuar në periudhën e Rilindjes Kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.
Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeçar, zgjuarsia e tij i bie në sy famullitarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe "Ushtrimet e para poetike". Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.
Krijimtaria artistike
Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim Nobel, prozator, poet, përkthyes; "Militant i letërsisë shqipe" - cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe "Poet kombëtar i shqiptarëve" nga Eqrem Çabej.
Poezinë e parë Fishta e botoi në "Albania", më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.
Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. "Lahutës së Malësisë", veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike "Moisi Golemi dhe Deli Cena" u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta, si epik të quhej "Homer i Shqipërisë".
Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramatizmi i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.
Fishta arriti të botojë këngët e para te "Lahuta e Malcisë", kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit" dhe më 1909 përmbledhjen lirike "Pika voëset", më 1913 boton "Mrizi i Zanave". Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën "Foenix ". Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.
Në tetor 1913 botoi revistën "Hylli i dritës", ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve ' 90'-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.
Aktiviteti i tij patriotik
Deri më 1899, Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë "Bashkimi", të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.
Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj.
Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë "Bashkimi".
U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike që boton në revistën "Hylli i dritës", revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën "Posta e Shypnisë" (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin "Komisinë letrare" që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të dendura politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i "Lahutës së Malësisë" në 1937.
Korrespondenca e Fishtës me Musolinin dhe Jakomonin
Njihen dy letra që Patër Gjergj Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit. Letra e parë i takon vitit 1934 dhe është e postuar në Livorno, Itali. Kjo letër është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndjerë se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkoi Musolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe "e paraqitshme", gjë që nuk mund ta bënte Urdhri Françeskan dhe as Provinca e Fishtës, ndërkohë që të ardhurat nga shitja e veprës t'i kalonin kësaj province.
Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë krijimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja konsistonte në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës, ku përfshihen poezia ajo epike me "Lahutën e Malcisë", lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga Iliada e Homerit, Molieri, etj.
Ndërsa letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, me datë 27 prill të 1940 dhe po ashtu si letra e parë mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë Udhëheqësit - Duçe. Në këtë letër të shkurtër i shkruan për Prof. Xhino Botilioni, i Universitetit të Bolonjës, që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane - anëtar i kësaj Akademie Gjergj Fishta u bë në 1939 - i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë.
"Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me iniciativën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë". Për këtë Fishta "guxoi" t'i drejtohet Duçes dhe "gjykimit të tij të ndritur" për t'u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë. Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të Mbretit Viktor Emanuel III, është një lutje për të ndihmuar albanologun Norbert Jokl.







All the contents on this site are copyrighted ©.