Më 16 prill kalendari kujton shën Bernardetën Subiru
Sot më 16 prill Kisha katolike përkujtoi Shën Bernrdetën Subirù, bijë e një mullisi
të varfër, lindur në Lurdë, ndërmjet Pirenejve. Më 11 shkurt 1858 në shtëpinë e saj
ishin djegur të gjitha drutë. Duhej të shkonte në mal për të bërë të tjera. Por përjashta
binte shi i rrëmbyer. Ishte gati e pamundur të bridhje nëpër pyll. Atëherë vajza shkoi
në Shpellën e Masabielës, ku barinjtë e vegjël mblidhnin shpesh degë të thata. Papritmas
ndjeu një fëshfërimë të lehtë gjethesh, që e bëri të ngrinte kokën në drejtim të Shpellës.
Pa një Zonjë me fytyrë të ndritshme e me buzë në gaz. Ishte e veshur krejt me të bardha
e një brez i kaltër ia shtrëngonte lehtë përmjetin. Këmbët i kishte të zbathura, në
sa në krahun e djathtë mbante një rruzare me kokrra të bardha, përshkuar në një fill
ngjyrë ari. - Kush je ti? - e pyeti. Po ajo nuk u përgjigj. E vajza u kthye disa
herë, e disa herë ia përsëriti pyetjen, derisa mori përgjigjen: "Unë jam Zoja e Papërlyer”. Mrekullia
e dukjes së parë, të cilën Bernardeta e përjetoi në një gjendje absolute ekstaze,
u pasua nga 17 dukje të tjera, deri më 17 korrik 1858. Pas këtyre dukjeve, Bernardeta
kaloi gjashtë vjet në Institutin e Motrave të Mëshirës të Neversit, ku kreu edhe periudhën
e rishtarisë. Kjo periudhë zgjati më shumë se duhej, për shkak të shëndetit të saj
të ligsht. Bëri, më pas, kushtet e përjetshme duke ndërruar edhe emrin: u quajt Motër
Maria Bernarda. Vdiq në moshën 35 vjeçe, më 16 prill 1879. Më 8 dhjetor 1933 Papa
Piu XI e lartoi në nderimet e elterit.