2012-04-16 16:16:45

Ati i Shenjtë Jozef Racinger
e papnia e tij


Nga tiparet të karakterit të Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger që më shumë bëjnë përshtypje sigurisht janë përzemërsia e tij, butësia e tij, respekti i tij për çdo njeri, aftësia për të dëgjuar e për të vlerësuar çdo njeri: jo vetëm bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë, jo vetëm ata që kanë jetuar pranë tij për shumë vjet, por edhe ata njerëz që, gjatë audiencave e rasteve të ndryshme, e përshëndesin vetëm për një çast. Papa Benedikti XVI e dëgjon çdo njeri dhe për secilin gjen një fjalë të veçantë në çastin e përshtatshëm, si të ishte mik i tij i vërtetë.
85-vjetori i Benediktit XVI pothuajse përkon me shtatë vjetorin e papnisë së tij. E për këto shtat vjet papnie mund të thuhet shumëçka.
Papnia e Benediktit XVI mund të shikohet në këndvështrime të ndryshme, nga pika të ndryshme vrojtimi, nga profile të ndryshme. Të mendojmë, për shembull, për fjalimet e tij në audiencat e përgjithshme, për fjalimet drejtuar të rinjve, fëmijëve, familjeve, e drejtuesve të popujve e të kombeve të botës. Mund të themi se fjalimet e Benediktit XVI janë të dala nga thellësia i zemrës, duke pasur mirë parasysh që Papa ka pohuar se detyra e tij është të mbrojë fenë e njerëzve në Zotin. E ai vijon ta kryejë këtë mision, posaçërisht me njerëzit që e kanë zemrën të pastër e vullnetin e mirë, me ata që e kanë zemrën të thjeshtë, duke u prirë drejt takimit me Krishtin, që është çelësi i shndërrimit të jetës sonë.
Pastaj papnia e Atit të Shenjtë Ratcinger mund të shikohet edhe nga një këndvështrim tjetër – për shembull duke u nisur nga shtegtimet e tij apostolike baritore italiane e ndërkombëtare. Kujtojmë shtegtimin e fundit në Meksikë e në Kubë, e kujtojmë akoma vizitat tjera apostolike, me reflektimin mbi vlerën e pranisë së Zotit në jetën personale të njeriut e në përmasën shoqërore, kaq vendimtare për historisë njerëzore. Në shtegtimet e tij apostolike, spikat dialogu i madh ndërkulturor e ndërfetar dhe gatishmëria shembullore për t’i takuar të gjithë, për t’i kuptuar të gjithë, për t’u njohur nga afër me ndjenjat më të larta të çdo njeriu, të çdo bashkësie, të çdo kombi dhe të çdo grupi fetar e kulturor. Mendojmë se këto janë mesazhe të vazhdueshme, themelore që na përcjell Papa Ratcinger, frytet e të cilave do t’i shohim në vitet e ardhshme të papnisë së tij të jashtëzakonshme.
Prandaj, sot në 85 vjetorin e lindjes së Benediktit XVI, në radhë të parë urojmë të ketë shëndet të plotë, të ketë hirin dhe ngushëllimin e Shpirtit Shenjt Zot në këtë mision të jashtëzakonshëm të cilin është thirrur prej Hyjit ta kryejë që nga 19 prilli i vitit 2005. Urojmë edhe që njerëzit ta dëgjojnë ashtu siç e meriton, urojmë që mesazhet e tij ungjillore të kuptohen prej njerëzve të çdo kombi, feje e kulture. Të kuptohet se Papa e shoqëron person, çdo bashkësi njerëzore në shtegtimin për t’i dhënë kuptim jetës e për t’u takuar me Krishtin e Gjallë, që është Udha, e Vërteta dhe Jeta!







All the contents on this site are copyrighted ©.