2012-04-14 15:24:00

Mesazhi i Papës në katër homelitë e bukura të Javës së Shenjtë të Pashkëve


Gjatë Javës së Shenjtë, Papa na bëri ta përjetojmë kujtimin e Mundimeve e të Ngjalljes së Zotit tonë, Jezu Krisht, me katër homeli, vërtet të bukura, në të cilat theksoi se ngjarja e madhe e Pashkëve e ndryshoi përgjithmonë botën e jetën e njeriut. Po ju propozojmë sot, disa nga reflektimet e Benediktit XVI.
Që në të Dielën e Larit, Papa na tregoi mëshirën e Zotit për botën. Jezusi nuk vjen për të dënuar, por për të shëlbuar. Kështu, ftohemi edhe ne ta shohim me mëshirë njerëzimin e veç ta bekojmë atë:
“Vështrimi që merr besimtari nga Krishti është ai i bekimit: një shikim i urtë e i dashur, i aftë të kapë bukurinë e botës e të ketë mëshirë për dobësitë e saj. Në këtë vështrim duket shikimi i vetë Zotit mbi njerëzit, që Ai i do, e mbi gjithësinë, vepër e duarve të Tij”.
Udha e mëshirës kalon përmes Kryqit e është e ndryshme nga ç’presin njerëzit prej një Zoti. Vetë dishepujt çorientohen: “Jemi të thirrur të ndjekim një Mesi, që nuk na e siguron lehtë lumturinë tokësore, por na premton lumturinë e qiellit, lumninë e Hyjit”.
Në Meshën e Bagmit, Papa saktësoi se Kryqi kërkon të bëhemi si Jezu Krishti, të heqim dorë nga këmbëngulja për të shkuar në rrugën e vendosur vetëm nga ne e të vihemi në dispozicion të Krishtit. Në atë rast, Benedikti XVI pati fjalë të ashpra edhe për Kishën, gjendja e së cilës është “shpesh dramatike”. Edhe në mesin e meshtarëve, theksoi Papa, ka nga ata, që duan ta rinovojnë Kishën përmes mosbindjes. Por ai, që nuk bindet, shpall vetveten e jo Krishtin. Bindja është premisa e çdo përtëritjeje. Por, shtoi Ati i Shenjtë, bindja e vërtetë nuk kërkon të mos veprosh e të nënshtrohesh, por të krijosh diçka të re. Mjafton të shohësh lëvizjet e ndryshme kishtare, që kanë marrë jetë pas Koncilit II të Vatikanit:
“E nëse shohim njerëzit, nga të cilët kanë rrjedhur e rrjedhin këta lumenj të freskët të jetës, vërejmë se për të rikrijuar diçka është i nevojshëm gëzimi i fesë, radikaliteti i bindjes, dinamika e shpresës dhe forca e dashurisë”.
Duhet luftuar për fenë, e cila shpesh na mundon, nënvizoi Papa, veçanërisht në Meshën e Darkës së Mbrame. Benedikti XVI përshkroi me pasion luftën e Jezusit me Atin e me vetveten në Malin e Ullinjve, para kryqëzimit. Është luftë, që Ai e bën edhe për ne; luftë kundër ndyrësisë, që vërshon mbi njerëzimin. E shpirti i Tij është në ankth:
“Sheh detin e llomështitur nga gjithë ato gënjeshtra e turpe, të cilat vërshojnë mbi Të, në atë kelk, që i duhet të pijë. Është shkandullimi i krejtësisht të Pastrit e të Shenjtit, para përmbytjes së kësaj bote nga e keqja, që derdhet mbi Të. Ai sheh e lutet, jo vetëm për vete, por edhe për mua e për ty… e merr mbi vete mëkatin e njerëzimit, të gjithë ne, e na çon tek Ati”.
Në këtë luftë, Jezusi i kërkon Atit Qiellor t’ia largojë kelkun e hidhur, por shton: “Jo ajo që dua unë, por ajo që do ti”. Kështu shërohet mendjemadhësia e njeriut, “thelbi i vërtetë i mëkatit”, që na bën të kujtojmë se jemi të lirë e të pavarur, të pavarur madje, edhe nga Zoti. Por të krishterët – pohoi Papa – pikërisht sepse gjunjëzohen para Zotit, qëndrojnë drejt në këmbë përballë botës. Vetëm kush varet nga Hyji, është vërtet i lirë.
Në Vigjiljen e Pashkëve, Papa na tregoi se Krishti mbi Kryq e shkatërroi njeriun e vjetër e mendjemadh, duke bërë të rilindë krijesa e re. Ringjallja është drita e re, që ndryshon botën. Por, njeriu tundohet edhe nga aftësitë e veta e rrezikon të qëndrojë në errësirën e horizontit të tij të ngushtë:
“Nuk mund të besohet sa shumë dimë e mundemi në gjërat materiale, por nuk arrijmë të shohim çfarë shkon përtej tyre, Zotin dhe të mirën. Prandaj e kemi fenë, që na tregon dritën e Zotit, ndriçimin e vërtetë. Feja është hyrja e furishme e dritës së Zotit në botë, ajo na i hap sytë për shkëlqimin e vërtetë”.
E në fund, Papa i kthehet konceptit të mëshirës. Drita e Zotit nuk është e ftohtë. Ajo jo vetëm ndriçon, por edhe ngroh. Të krishterët – përfundon Benedikti XVI – duhet të përhapin në botë flakën e dashurisë e të mirësisë së Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.