2012-04-14 15:26:43

Evropa e Shpirtit: mëse 300 lëvizje e bashkësi të krishtera në sheshe në 150 qytete të kontinentit të vjetër


“Së bashku për Evropën” është titulli i nismës, që po përgatisin rreth 300 lëvizje e bashkësi të krishtera në 150 qytete të kontinentit të vjetër, për 12 majin e ardhshëm. Edhe Brukseli, seli e institucioneve evropiane, do të jetë e lidhur me video me këtë iniciativë. Të krishterët e të gjitha konfesioneve duan kështu t’i kërkojnë politikës të nxisë ndërtimin e një “Evrope të re të shpirtit”, duke përtërirë rrënjët e krishtera të kontinentit.
Manifestimi është frymëzuar nga takimi i Lëvizjeve kishtare dhe Bashkësive të Reja, lindur në Kishën Katolike me iniciativën e të Lumit Gjon Pali II, në Rrëshajët e vitit 1998. Duhet kujtuar gjithashtu, 31 dhjetori i vitit 1999, kur, në përfundim të ceremonisë së nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët të Kishës Katolike dhe të Federatës Luterane Botërore mbi doktrinën e justifikimit, në Ottmaring të Gjermanisë, u takuan përgjegjësit e Lëvizjeve katolike dhe ungjillore. Filluan kështu marrëdhënie të reja ndërmjet tyre, që u pasuan nga një takim publik në Munih, më 8 dhjetor 2001, gjatë të cilit, anëtarët e 45 lëvizjeve, bashkësive e grupeve të Kishës Katolike, të asaj Ungjillore e të Kishave të tjera, formuluan “paktin e dashurisë së ndërsjelltë”, themel i bashkimit. Morën edhe vendimin për të bërë së bashku diçka për Evropën, që ajo të jetë familje popujsh të bashkuar, kombesh të pajtuara, siç ishte në synimin e themeluesve.
Më 8 maj 2004 u mblodhën në Stokholm, në manifestimin “Së bashku për Evropën”, anëtarët e mëse 150 lëvizjeve të konfesioneve të ndryshme të krishtera. 200 qytete të 45 vendeve u lidhën drejtpërdrejt ndërmjet tyre, duke dhënë një dëshmi të jashtëzakonshme uniteti e vullneti për të kontribuar në bashkimin e Evropës. Pasuan takime të tjera, gjithnjë me synimin e ndërtimit të “Evropës së shpirtit”.
Kësaj radhe, të krishterët do të mblidhen në Romë, më 12 maj, e pikërisht në Kapitol, duke filluar nga ora 15.30. Programi është i pasur me tryeza të rrumbullakta e me intervista mbi familjen, me të dhëna mbi integrimin e dialogun, me propozime për të mirën e përbashkët e për një ekonomi të drejtë, por edhe me koreografi të ndryshme e këngë. Në të njëjtën kohë, në sheshin e Ngushëllimit, do të zhvillohet një manifestim i fëmijëve, të cilët, pas leximit të Manifestit të Brukselit 2012, do të bashkohen me të rriturit. Të rinjtë do të jenë në sheshin e Kapitolit nga ora 18 deri në orën 20, me dëshmi e muzikë. 3.000 pjesëmarrësit e parashikuar do të theksojnë impenjimin e tyre për një ekonomi, në shërbim të çdo njeriu e të krejt njerëzimit; përgjegjësinë para shoqërisë që qytetet të bëhen vende solidariteti e mikpritjeje për personat me prejardhje e kulturë të ndryshme; besimin në familjen e lidhur përmes paktit të pandashëm të dashurisë ndërmjet burrit e gruas, bazë për një shoqëri solidare me dyer të hapura drejt së ardhmes.







All the contents on this site are copyrighted ©.