2012-04-14 15:22:59

E Diela e Mëshirës Hyjnore dhuratë e madhe për mbarë njerëzimin


Këtë të diele të dytë të Pashkëve, Kisha kremton solemnitetin e festës së Mëshirës Hyjnore. Kulti i Mëshirës Hyjnore mbetet i lidhur ngushtë me figurën e rregulltares mistike polake, Faustina Kovalska, lindur në fillim të shekullit të kaluar e vdekur në moshën 33 vjeçe, më 1938. Sot përshpirtëria e rregulltares, lartuar në nderimet e elterit nga Papa Gjon Pali II, është përhapur në shumë vise të botës.

Po ç'i kujton njerëzimit e Diela e Mëshirës Hyjnore?
Themelimi i së Dielës së Mëshirës Hyjnore nga Shërbëtori i Zotit, Gjon Pali II, duhet vlerësuar si dhuratë e madhe për Kishën e për mbarë njerëzimin. Kjo e Dielë i krijon Kishës mundësinë t’ia kumtojë botës mëshirën e Zotit e t’i flasë për madhështinë e saj të pambaruar.

Përhapja e jashtzakonshme e kultit të Mëshirës Hyjnore, që nga beatifikimi i motrës Faustina më 18 prill '93, tek kanonizimi i saj më 30 prill 2000, buron nga nevoja që ka çdo njeri për Mëshirën Hyjnore, sepse - siç thoshte Papa Gjon Pali II - ku tjetër, përveçse në Mëshirën Hyjnore, mund të gjejnë strehë e shpresë njeriu e bota?

Po kush ishte Shën Faustina Kovalska?

Shën Faustina është dhuratë e Zotit për kohën tonë, është dhuratë e trojeve të Polonisë për mbarë Kishën. Jezusi i besoi mistikes polake detyrën t’ia përcillte mbarë njerëzimit mesazhin e mëshirës Hyjnore. Misioni i motër Faustinës na kujton të vërtetën mbi Mëshirën Hyjnore, sepse e dimë që ajo është një e vërtetë e zbuluar në Shkrimin Shenjt. Motër Faustina na e kujton këtë të vërtetë në forma të reja, që i janë transmetuar nga vetë Jezusi gjatë dukjeve të tij. Mendoj sidomos për nderimin e figures së mëshirës Hyjnore, që vjen nga vegimi i 22 shkurtit 1931. Pastaj për orën e Mëshirës, që ia kërkoi vetë Jezusi, për lutjen që Krishti ia mësoi motër Faustinës që t’ ia drejtonte Mëshirës së tij Hyjnore. Mendoj, pastaj, për festën e Mëshirës Hyjnore, themeluar nga Papa Gjon Pali II gjatë kanonizimit të Motrës Faustina, që Kisha e kremton si "E Diela e Mëshirës Hyjnore". Mendoj edhe për përhapjen këtij kulti, që sot vijon përmes atyre që quhen "apostujt e Mëshirës Hyjnore".
E sot, pikërisht në përkim me të Dielën e Mëshirë Hyjnore, Benedikti XVI është në pragun e 85-vjetorit të ditëlindjes dhe ntë shtatëvjetorit të papnisë…
Edhe për Papën Ratcinger kjo e Dielë e Mëshirës Hyjnore kremtohet në një atmosferë të posaçme. Sepse edhe për Papën është dhuratë kjo mundësi për ta kremtuar 85-vjetorin pikërisht natën e ditës kur Jezusi premtoi të reshte mbi njerëzimin një det hiresh që burojnë nga mëshira e tij. Prandaj tani që Papa Ratcinger kremton 85-vjetorin e ditëlindjes e 7-vjetorin e papnisë, mijëra besimtarë që u mblodhën rreth tij në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, i lartuan një lutje korale Mëshirës Hyjnore për Benediktin XVI. E në sa kremtojmë gjithë këto festa, kujtojmë fjalët e Benediktit XVI shqiptuar më parë gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore kushtuar kultit të Mëshirës Hyjnore:
Ati i Shenjtë Ratcinger u ndal tek kujtimi i shenjave të kryqëzimit të cilat, sipas tregimit të Shën Gjonit ungjilltar, dalloheshin qartë në Korpin e lumnuem të Krishtit:“Këto plagë të shenjta, ndër duar, ndër këmbë e në kraharuar, janë burim i pashterrshëm feje, shprese e dashurie për të gjithë, posaçërisht për shpirtrat që kanë më shumë etje për Mëshirën Hyjnore – tha Papa e në vijim shpjegoi se pikërisht prej këndej u frymëzua edhe Gjon Pali II i cili, duke vlerësuar përvojën shpirtërore të rregulltares së përvujtë, motrës Faustina Kovalska, shprehu dëshirën që e Diela pas Pashkëve t’i kushtohej në mënyrë të veçantë Mëshirës Hyjnore. E Provania Hyjnore deshi që ai t’i mbyllte sytë për dritën e kësaj toke pikërisht natën e kësaj feste. Misteri i dashurisë përdëllyese ishte gjithnjë në qendër të papnisë së Tij – nënvizoi Benedikti XVI - duke kujtuar më pas edhe Enciklikën
Dives in misericordia
si dhe fjalët e shqiptuara nga Papa Vojltila ditën e shugurimit të Shenjtërores së Mëshirës Hyjnore në Krakovi, më 17 gusht të vitit 2002: “Sa nevojë ka bota e sotme për Mëshirën Hyjnore”, duke vënë kështu në dukje – vërejti Benedikti XVI – se kulti i Mëshirës Hyjnore nuk është devocion i dorës së dytë, por përmasë e fesë dhe e lutjes të të krishterit.







All the contents on this site are copyrighted ©.