2012-04-14 15:25:57

Atë Federiko Lombardi: “Përvjetoret “ e Papës Benediktit XVI


Më 16 prill, Papa Benedikti XVI ka ditëlindjen. Mbush 85 vjeç. Bashkë me urimet e të gjithë botës, i japim edhe ne urimet tona, në emër të gjithë shqiptarëve kudo që janë: “Gëzuar festën Atë i Shenjtë”! Në këtë përvjetor e përqendron komentin e tij javor, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i cili bën edhe një bilanc të shkurtër të papnisë së Jozef Racinger:
“85 vjet jetë e 7 vjet papni. Kur kardinali Jozef Racinger u zgjodh Papë, në një moshë të shtyrë, shumë pyetën nëse, pas viteve të karakterizuara nga sëmundja e Paraadhësit të tij të madh, papnia që po fillonte do të ishte aq intensive dhe e gjatë sa dëshirohej, e nëse një teolog, që kishte udhëhequr për një kohë të gjatë një dikaster specifik doktrinal, do të dinte të merrte mbi vete një detyrë kaq të ndryshme, siç është qeverisja baritore e Kishës universale.
Në këto shtatë vjet, janë kryer 23 udhëtime ndërkombëtare në 23 vende të ndryshme e 26 vizita në Itali, janë zhvilluar katër Sinode Ipeshkvijsh dhe tri Ditë Botërore të Rinisë, kemi mundur të lexojmë tri enciklika, si edhe fjalime e vepra të tjera të magjisterit papnor, kemi marrë pjesë në një Vit Paolin dhe në një Vit Meshtarak, e kemi parë Papën të përballojë me guxim, përvujtëri e vendosmëri – pra, me frymë të pastër ungjillore – gjendje të vështira, si kriza, rrjedhojë e abuzimeve seksuale. Kemi lexuar e publikuar në audio – fakt i ri dhe origjinal, ky – veprën e tij për Jezusin e Nazaretit dhe librin-intervistë “Drita e botës”.
Por mbi të gjitha, kemi kuptuar, nga koherenca dhe qëndrueshmëria e mësimeve të tij, se përparësia e shërbimit të Papës për Kishën dhe njerëzimin është orientimi i jetës drejt Zotit, atij Zoti, që na u bë i njohur nga Jezu Krishti. Kemi kuptuar se feja e arsyeja e ndihmojnë njëra-tjetrën në kërkimin e së vërtetës dhe në gjetjen e përgjigjes për pyetjet e secilit prej nesh e të krejt njerëzimit. Kemi mësuar se mënjanimi e harrimi i Zotit dhe relativizmi janë rreziqe të mëdha për kohën tonë. Për të gjitha këto, i jemi shumë mirënjohës Atit të Shenjtë. E, edhe tani, vazhdojmë rrugën së bashku me të: drejt Takimit Botëror të Familjeve e drejt Lindjes së Mesme, drejt Sinodit për ungjillëzimin e ri e drejt Vitit të Fesë. Në dorë të Zotit, në shërbim të Hyjit e të Kishës së Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.