2012-04-13 18:46:36

Fondi Monetar Ndërkombëtar jep alarmin për jetëgjatësinë e njerëzve: mund të keqësojë financat shtetërore


“Kushtet e tregut të punës në zonën e euros vazhdojnë të keqësohen”. Kjo është analiza e Bankës Qendrore Evropiane, e cila u bën thirrje qeverive të përmirësojnë llogaritë e buxhetit e të zbatojnë reforma strukturore. Ndërkaq, vazhdon të shkaktojë debate vlerësimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi qëndrueshmërinë financiare globale. Sipas tij, zgjatja e jetës mesatare do të keqësojë ekuilibrin e pensioneve e të asistencës sociale të shteteve, duke sjellë si rezultat edhe rritjen e shpenzimeve të buxhetit në këtë fushë. Për shembull, nëse jeta mesatare në vitin 2050 do të zgjatet edhe me 3 vjet të tjera, kostoja për plakjen e popullsisë do të rritej me 50%. Fenomeni ka marrë emrin “rreziku i jetëgjatësisë”, për të cilin flet në mikrofonin tonë ekonomisti italian Xhakomo Vaçago, pedagog i Universitetit Katolik të Milanos:RealAudioMP3
Termi “rrezik” është, në thelb, një term teknik i përdorur nga sigurimet shoqërore për të treguar se po ndodh diçka, që do të kërkojë pagesë. Pra, pas tij, nuk qëndron ndonjë gjykim moral mbi jetëgjatësinë, nuk thuhet se të jetosh gjatë është keq e të jetosh pak është mirë. Duhet ta nënvizojmë këtë, përndryshe nuk mund ta gjejmë shtegun për zgjidhjen e problemit.
Ndokush prej analistëve mendon se zgjidhja e problemit mund të jetë dalja më e vonë në pension. Por, a nuk çon kjo në pakësimin e mundësisë së punësimit për të rinjtë?
Në afate të shkurtra, sigurisht që po. Nëse i lemë njerëzit të punojnë më gjatë në një çast krize, i pengojmë të rinjtë, pasi oferta e vendeve të punës kufizohet. Por, sapo të kapërcehet kriza, një gjë e tillë duhet menduar. Po shkojmë drejt një superborxhi botëror, me pasoja, që mund ta shtrijnë krizën aktuale nga vendet e pasura, siç është aktualisht, në të gjithë botën. Zgjidhja e vërtetë mund të vijë nga konsiderata mbi veprimtarinë e pensionistëve. Deri tani, e kemi kuptuar pensionin si e kundërta e punës: punojmë me orë të plota deri në një ditë të caktuar e, të nesërmen, nuk punojmë më. Ndoshta, zgjidhja duhet të jetë dalja graduale në pension, pra, fillojmë të punojmë më pak derisa dalim krejtësisht nga puna, pas disa vjetësh. Madje, mund të mendohet edhe zëvendësimi i një lloj pune, me punë më të përshtatshme për të moshuarit, të cilat mund edhe të kursejnë diçka nga buxheti shtetëror në fushën përkatëse.
Pra, kur flitet për “rrezikun e jetëgjatësisë” nuk thuhet se të moshuarit s’vlejnë më për asgjë, por se sistemi duhet të përballojë nevoja të reja…
Po. Do të thosha se roli i të moshuarve duhet menduar nga e para. Shoqëria ka nevojë për të gjithë e të gjithë, sipas mundësive, mund të japin kontributin e tyre. Si do të jetë ky kontribut: punëtor me kohë të plotë, me kohë të pjesshme, me orë që pakësohen me kohën, apo vullnetar në disa fusha për të shmangur shpenzime publike – këto janë të gjitha aspekte për të cilat akoma nuk ka një debat të vërtetë, që duhet të fillojë sa më shpejt.
Nënvizohet edhe një aspekt tjetër: nuk ka më investime të sigurta…
Në të vërtetë, investimet e sigurta nuk kanë ekzistuar kurrë. Të gjitha vendet e pasura, ato që kanë një farë historie financiare, në ndonjë çast të historisë, nuk e kanë njohur të paktën një pjesë të borxheve të tyre. Ekzistenca e investimit të përsosur, me siguri 100%, është një mit, që e kemi krijuar ne.
Duke pasur parasysh Eurozonën, Banka Qendrore Evropiane parashikon keqësimin e tregut të punës. Rritet papunësia, sidomos në radhët e rinisë…
Është një fotografi problematike, për të cilën qeveritë dhe bankat qendrore kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë. Me miopi të jashtëzakonshme, i kanë parë vështirësitë e ekonomive të vendeve të ndryshme, duke menduar se mund të zgjidheshin duke shkurtuar fondet për shpenzimet publike, pa kuptuar – e nuk do donjë mençuri të veçantë – se këto shkurtime sjellin edhe rënien e kërkesës në treg. Nëse unë shpenzoj më pak, dikush tjetër fiton më pak e për pasojë, do të blejë më pak, kur t’i vijë radha.
Dikush mendon se do të duhej një Bankë Qendrore Evropiane e ndryshme nga kjo e sotmja, me më shumë pushtet…
Gjermanët nuk e duan dhe kanë vendosur një klauzolë. Kjo e detyron Bankën Evropiane të mos u japë hua qeverive, për të shmangur rritjen e mëtejshme të borxhit publik të atyre vendeve, që tashmë, janë të zhytura në borxhe. Kjo është ide e mirë, por në gjendjen aktuale përbën një kufizim shumë të rëndë, sepse pengon rehabilitimin e financave publike. Kështu, kemi vende, që po rrëshqasin dalëngadalë drejt depresionit ekonomik.








All the contents on this site are copyrighted ©.