2012-04-13 18:51:00

Cor Unum-Caritas Internationalis: miliona vullnetarë të krishterë në shërbim të njerëzve më të ligshtë.


Janë 140 milionë, shumica të krishterë, njerëzit e impenjuar në veprimtari të ndryshme vullnetariati në Evropë. Këtë nënvizoi sot paradite kardinali Robert Sarah, kryetar i Këshillit Papnor “Cor Unum”, me rastin e paraqitjes së vëllimit “Ati i Shenjtë dhe vullnetarët evropianë”. Libri, përveç fjalimit të Papës kushtuar vullnetariatit, përmbledh edhe fjalimet më të rëndësishme të takimit, mbajtur në Vatikan më 10 e 11 nëntor 2011, në të cilin morën pjesë ipeshkvij dhe drejtorë të organizatave katolike nga mbarë Evropa, me rastin e Vitit evropian të vullnetariatit. Kardinali Sarah ripohoi se dëshmia e krishterë në ndihmë të të afërmit nevojtar, vijon të jetë në qendër të vëmendjes. Vuri theksin edhe mbi kritikat, sipas të cilave, sidomos në Karitaset evropiane, vërehen prirje shekullariste. Është e vërtetë se ne nuk e kemi pasur kurrë ndër mend t’i kthejmë njerëzit në fenë katolike, duke u premtuar ndihma. Aq më pak, me forcë. Por duhet vepruar në mënyrë të tillë, që në asnjë veprimtari të mos humbasë identiteti katolik. Të gjithë duhet ta marrin vesh mirë se ndihmën e japim në emër të Krishtit, se veprojmë sipas mësimeve të Ungjillit.
Sipas statistikave të Cor Unum, sot në Evropë numërohen 140 milionë vullentarë, që veprojnë në lidhje të ngushtë si me institucionet publike, ashtu edhe me ato të Kishës.
Rreth 500 mijë është numri i vullnetarëve të rrjetit botëror të Caritas Intenationalis, të impenjuar në emergjencat e Planetit: Sahel, Siri dhe Lindje e Mesme, frontet më shqetësuese të organizmit bamirës.
Sipas kardinalit Sarah, Këshilli Papnor “Cor Unum” dhe Caritas Intenationalis, punojnë në përkim të plotë, në bashkëpunim me karitaset e dioqezave në kombe të ndryshme. E gjithnjë, me pikësynin për të çuar kudo në botë dëshminë e Ungjillit. “Kjo është sfida e Kishës për botën e sotme” – pohoi me forcë kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, “të dëshmojë Ungjillin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.