2012-04-13 18:19:00

Benedikti XVI dhe familjet: intervistë me don Luka Violoni-n, organizator i Takimit botëror të Milanos.


Benedikti XVI u rikthye përsëri, sot, në orën 16.20, nga Kastel Gandolfo, në Vatikan pas një prehjeje të shkurtër, që pasoi kremtimet e mëdha të Pashkëve. Ndërkaq, në nivel kishtar, e jo vetëm, është gjithnjë e gjallë jehona e reflektimeve të tij të vazhdueshme për familjet, në qendër të vëmendjes së Papës këto ditë, duke nisur nga reflektimi i së Premtes së Madhe, tek thirrja drejtuar të rinjve në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, kur i ftoi të rinjtë milanezë të përgatiten shpirtërisht për Takimin e ardhshëm botëror të familjeve, që do të mbahet në kryeqendrën lombarde pas një muaji e gjysëm. Në këtë përgatitje, ju ndihmoftë Konaku Shenjt, u tha Papa, i cili pak para se të fillonte audienca e përgjithshme, kishte bekuar një ikonë të madhe të Familjes Shenjte, që do të shtegtojë këto ditë përgatitore, në shtëpitë e Milanos.
E pikërisht njërit nga organizatorët kryesorë të tubimit të qershorit, sekretarit të përgjithshëm të ‘Fondacionit Milano Familjet 2012”, don Luka Violoni, iu lutëm të na komentojë fjalët e Papës:RealAudioMP3

Përgjigje: - Papa ka folur për moskuptime, shqetësime lidhur me ardhmërinë e fëmijëve, për sëmundje e fatkeqësi nga më të ndryshmet: deri këtu, mund ta quajmë diagnozë, të cilën, parë në këndvështrimin sociologjik, mund ta pranojë shumëkush. Por gjëja më e rëndësishme, që u jep vërtet zemër familjeve, duhet konsideruar shprehja e Papës: “Familja nuk është vetëm”. Duke ia ngulur sytë Kryqit të Krishtit, ajo gjen udhën e humbur e zbulon se nuk është e lënë pas dore, në vetmi. Për të hapet rruga e shpresës së vërtetë. Atëherë, ndërsa ne jemi të vetëdijshëm se familja është e rrethuar nga sfida të të gjitha natyrave e edhe nga të këqija të shumta, besoj se është themelore të kujtohet edhe se nuk është në udhë pa krye, pa shpëtim. Shpëtimi i saj është vetë Jezu Krishti, është Kryqi, është Ngjallja e Zotit. Që këtu duhet të rinisemi, për t’i dhënë një mesazh shpëtimi mbarë botës.

Pyetje: - Në ç’mënyrë i ndihmon feja familjet, sot të mbërthyera në morsën e krizës, të nevojës…

Përgjigje: - Përvoja e fesë është përvojë bashkimi me Zotin, që të bën të zbulosh se lidhjet familjare janë shprehje e ngjashmërisë me Të, shembëlltyrë e Tij. Kjo ndikon shumë në bashkimin e njerëzve, të cilët i bën më solidarë, pjesëtarë të një plani të përbashkët, që nuk i nxit t’i kërcëllojnë dhëmbët njëri-tjetrit, por ta mbëshetsin njëri- tjetrin, të ecin krah për krah në udhët e vështira të jetës. Atëhere familja kërkon familje të tjera për të vijuar së bashku udhën e nisur, për të ndarë me të tjerat, ç’ka më të mirë. Në një situatë ekonomike, që është tepër e vështirë e që mund të përballohet pikërisht me përpjekjen për të qenë të bashkuar përballë sfidës. Bashkimi forcon. Ndërsa përçarja e bën gati-gati të papërballueshme sfidën e krizës së dyfishtë: ekonomike e familjare.

Pyetje: - Po flasim për Takimin botëror të familjeve, qershorin e ardhshëm: në ç’fazë përgatitore jeni, në nivel organizativ…

Përgjigje: - Po vërejmë, pikërisht këto javët e fundit, një vëmendje jashtëzakonisht të madhe. Kanali i internetit vizitohet gjithnjë më shpesh, shtohen kërkesat për pjesëmarrje në Kongres e edhe në veprimtaritë e ndryshme, sidomos në ato, që lidhen me Atin e Shenjtë, parashikuar për datën 2 qershor, në festën e dëshmisë e 3 qershor, në Meshën papnore. Na duket se tashmë kemi shkelur në pragun e festës së familjeve, prandaj ditët e fundit të prillit, e të parat të majit, do të jenë vendimtare për pjesëmarrjen, që presim e shpresojmë: 5 mijë pjesëmarrës në Kongres, 200-300 mijë natën e së shtunës me Atin e Shenjtë e 700-800 mijë, ndoshta edhe një milion - në Meshën e së dielës, 3 qershor. E, ajo që ka më shumë rëndësi, tregohet gjithnjë më tepër vëmendje për përmbajtjen e asaj, që po komunikojmë. Po, kemi akoma shumë për të bërë, kuptohet…


Pyetje: - E për pjesëmarrjen nga kontinentet e tjera, ç’ mund të na thoni?

Përgjigje: - Sidomos nga disa kombe evropiane, si Franca e Spanja, kemi shumë kërkesa. Por edhe nga Amerika Jugore: Brazili e Meksika, sidomos. Pastaj janë SHBA e Australia, me delegacionet e tyre të shumënumërta… Është e natyrshme. Bëhet fjalë për një takim botëror të familjeve, e kjo është vërtet diçka tepër e bukur.

Pyetje: - Ndërmjet shumë nismave të Takimit botëror të familjeve, është edhe themelimi i një fondi solidariteti, në ndihmë të familjeve nevojtare, që dëshirojnë të marrin pjesë në takimin e Milanos. Si po funksionon kjo nismë?
Përgjigje: - Tani për tani, kemi arritur të mbledhim 30 mijë euro, shifër domethënëse, po ende jo e mjaftueshme për t’i kënaqur të gjithë. Kemi kërkesa nga familjet e Haitit, të Bjellorusisë, të Zimbaves e të vendeve të tjera, të cilave u kemi dhënë një shenjë të vëmendjes sonë. Por na duket e arsyeshme të vijojmë punën, sepse janë edhe shumë vende të tjera, që dëshirojnë të kenë përfaqësuesit e vet: kemi nevojë t’i dëgjojmë tregimet e tyre, e ata kanë nevojë të dëgjojnë tonat, që pastaj të rikthehen në atdhe me një mesazh të përtërirë. Prandaj përsërisim edhe një herë thirrjen për ndihmë, e pastaj do të njoftojmë konkretisht cilat familje kemi ndihmuar e ç’ përvojë lindi nga ky takim.







All the contents on this site are copyrighted ©.