2012-04-12 16:46:18

Çelësi i fjalëve të Kishës: kryqi i Krishtit dhe "Dëshmitarët e Jehovait"


Jemi menjëherë pas Pashkëve të Ringjalljes së Krishtit e duam sot të sqarojmë diçka që ka të bëjë me Mundimet e Vdekjen e Jezusit, hapa, që bënë të mundur Ringjalljen e Tij e shëlbimin e mbarë njerëzimit. Sekti i quajtur “Dëshmitarët e Jehovait” - i cili njihet mirë edhe në trevat shqiptare, pasi ndokush prej anëtarëve troket herë pas here në derë - mohon vdekjen e Krishtit në kryq. Sipas tyre, në Besëlidhjen e Re thuhet se Jezusi “u var në një dru”, por nuk bëhet fjalë për kryqin, i cili, gjithnjë sipas tyre, është thjesht emblemë pagane. A është vërtet kështu? A mos duhet të heqim dorë nga “kryqi” për të qenë në rregull me Shkrimin Shenjt?

Për t’iu përgjigjur “Dëshmitarëve të Jehovait” do të mjaftonte të citonim pikërisht Besëlidhjen e Re, të përmendur prej tyre: fjala greke “stauròs” (kryq), e përdorur, drejtpërdrejt ose jo, për Krishtin përsëritet 27 herë, ndërsa fjala e rrjedhur prej saj “stauroùn” (kryqëzoje), përsëritet jo më pak se 46 herë, të cilat bëhen 52 nëse shtohen edhe kompozitat si “systauroùn” (i bashkë-kryqëzuar me Krishtin), fjalë e dashur, sidomos për shën Palin Apostull.
Nga ana tjetër, njihet historikisht se kryqëzimi praktikohej në Palestinë nga forcat pushtuese romake kundër revolucionarëve të kohës. Për këtë flasin edhe gjetjet arkeologjike. Nëse mund të ngrihet ndonjë dyshim, kjo mund të bëhet për mënyrën e kryqëzimit, e cila ishte pak e ndryshme nga ç’paraqitet zakonisht në artet figurative. Në të vërtetë, gozhdët vendoseshin në kavilje dhe në parakrah, ose në kyçin e dorës e jo në këmbë e në pëllëmbën e dorës, siç shohim zakonisht në piktura e tabllo. Por s’ka dyshim se kryqëzimi ekzistonte dhe ishte “vuajtje e patregueshme e sillte vdekjen më të dhimbshme”, që mund të ekzistonte, siç shkruan historiani hebre romak Xhuzepe Flavio, i cili ka jetuar pak pas Krishtit (shih veprën “Lufta judaike” (VII, 202-203)).
Atëherë pse “Dëshmitarët e Jehovait” kanë kaq probleme me kryqin? Kundërshtia e tyre ka dy arsye kryesore. E para është e rendit “teologjik”: ata mendojnë se kryqi është simbol pagan, prandaj nuk duhet adhuruar. Natyrisht, kryqi përdoret nga shumë kultura, pasi tregon katër pikat e horizontit dhe ndihmon orientimin në hapësirë, por kjo nuk e ndryshon faktin e vërtetë se Jezusi u dënua me vdekje mbi një kryq, që përdorej për ekzekutimet kapitale romake. Pastaj, adhurimi i Kryqit të Krishtit, për të krishterët, nuk është ekzaltimi i drurit të tij, por kremtimi i vdekjes dhe i ngjalljes së Atij, që u flijua për botën. “Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar”, shkruan shën Pali Apostull në Letrën I drejtuar Korintasve, “për hebrenj skandal e për paganë marri, kurse për të grishurit - si për hebrenj si për grekë - …fuqi e Hyjit dhe dije e Hyjit” (1 Kor 1,23-24).
Arsyeja tjetër, që japin “Dëshmitarët e Jehovait” për të mos e pranuar kryqin, ka natyrë më “ekzegjete”, interpretuese. Në veçanti, në Veprat e Apostujve, duke folur për Krishtin, thuhet se ai “u var në shtyllë”, pra në një dru të çfarëdoshëm (10,39; 13,29). Kjo shprehje ka një shpjegim të dyfishtë. I pari, është historik: vërtet, kryqi përbëhej nga një shtyllë vertikale, që ngulej në tokë, ndërsa i dënuari mbarte mbi shpinë të ashtuquajturin “patibulum”, pra krahun horizontal të kryqit, që më pas ngrihej deri në lartësinë përkatëse të shtyllës vertikale, kur i kryqëzuari ishte gozhduar në parakrah ose në kyçin e dorës. Ky “dru” vertikal pra, ishte aksi kryesor, që e mbante kryqin në këmbë. Vërtet, forma përfundimtare e kryqit ishte T-ja (në greqisht, tau), por mbi të vendosej një pllakë tjetër prej druri, që përmbante të ashtuquajturin “titulus”, i cili s’ishte tjetër veçse motivacioni zyrtar i dënimit me vdekje.
Arsyeja tjetër pse përdoret termi “dru”, ka bazë teologjike, siç na mëson Shën Pali. Duke cituar një pjesë të Librit të Ligjit të Përtërirë (21,23), ai dëshmon se Krishti merr mbi vete “mallkimin” e mëkatit, që e shndërron në “bekim” për të gjithë ne. Thotë Apostulli i Popujve, në Letrën drejtuar Galatasve: “Krishti na shpërbleu prej mallkimit të Ligjit duke u bërë Ai vetë Mallkim - sepse është shkruar: “I mallkuar është gjithkush varet në dru ” - që përmbi paganë të arrijë bekimi i Abrahamit në Krishtin Jezus” (3,13-14). Nuk ka pra, asnjë arsye për të mohuar Kryqin e Krishtit e vlerën e tij shëlbuese për njerëzimin – shëlbim edhe për “Dëshmitarët e Jehovait”, nëse kështu vendos Ati Qiellor në Gjyqin e Mbramë.







All the contents on this site are copyrighted ©.