2012-04-12 09:22:15

Vëllimi i shkruar nga Papa, “Jezusi i Nazaretit. Nga hyrja në Jeruzalem në Ringjallje”, shndërrohet në audiolibër


U paraqit në Radio Vatikan versioni në audio i librit të Papës Benedikti XVI, “Jezusi i Nazaretit. Nga hyrja në Jeruzalem në Ringjallje”. Dhuratë për Atin e Shenjtë me rastin e 85-vjetorit, që Jozef Racinger do ta festojë më 16 prill, teksti i çmuar lexohet nga një prej aktorëve më të mëdhenj të teatrit italian, Ugo Pagliai. I pranishëm gjatë paraqitjes, Pagliai recitoi disa pjesë të librit para gazetarëve dhe dashamirëve të shumtë, të mbledhur në sallën Markoni të Radios sonë. Morën pjesë e folën për vlerat e këtij versioni, don Giuseppe Costa, profesor e drejtor i Shtëpisë Botuese të Vatikanit LEV, Franka Salerno, gazetare e radios sonë, si edhe Flavia Gentili, përfaqësuese e editorit “Emons:audiolibri”, që në bashkëpunim me Vatikanin, ka nxjerrë në dritë këtë version të librit të Papës.
Kujtojmë se vëllimi mbi jetën e jashtëzakonshme e gjithnjë aktuale të Jezusit përfshin kohën nga hyrja triumfale në Jeruzalem, të Dielën e Larit, e deri në Ringjalljen e Pashkëve. Kohë – ikonë e çdo jete njerëzore. Benedikti XVI shkruan duke pasur parasysh Shkrimin e Shenjtë, mjeshtrit e mëdhenj të fesë së krishterë e të teologjisë dhe duke e pasuruar librin me kontributin e tij personal të fesë e të përshpirtërisë.
“Në gjestin e duarve që bekojnë, shprehen marrëdhëniet e qëndrueshme të Jezusit me dishepujt e vet, me botën – shkruan Benedikti XVI në një pjesë të librit. Duke ikur, Ai vjen për të na ngritur lart, mbi vetveten, e për t’ia hapur dyert e botës Zotit. Prandaj dishepujt ishin gjithë gëzim, kur nga Betania u kthyen në shtëpi. Me fe, e dimë se Jezusi, duke na bekuar, na e mban dorën mbi krye përgjithmonë. Kjo është arsyeja e përhershme e gëzimit të krishterë”.
Ugo Pagliai, aktori që u jep zërin e vet fjalëve të Papës, njihet nga publiku italian, falë interpretimeve në disa serialë televizivë të viteve ’70, që patën sukses të jashtëzakonshëm e lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e njerëzve. Ndër to, po kujtojmë “Shenja e komandës” dhe “Rasti i hidhur i baroneshës së Karinit”. Që nga vitet ’80, ai punon gati krejtësisht për teatrin, duke vënë në skenë tekste klasike e bashkohore, për të cilat është vlerësuar me Çmimin e veçantë “Flaiano” në vitin 1988. Ndër interpretimet e fundit, vlen të përmendim “Jobin”(2000), shkruar nga i Lumi Karol Vojtila, për të cilin ka qenë edhe regjizor. Pastaj, “Loja e palëve” (2000-2001), “Herakliu” (2007); “Mbreti Lir” (2008), “Henriku IV” (2008-2009); “Duke pritur Godonë” (2009). Ka luajtur në shumë filma me regjizorë të njohur si Giovanni Fago e Luigi Comencini.
Versioni i plotë në audio i librit të Benediktit XVI mbi Jezusin e Nazaretit zgjat 9 orë e 53 minuta. CD-ja mund të blihet për 19,90 euro në të gjitha libraritë, duke filluar nga data e sotme, 11 prill.







All the contents on this site are copyrighted ©.