2012-04-12 09:23:09

Brazil: DBR-së do të paraprihet nga ‘Java e misioneve”.


“Java e misioneve” do t’i paraprijë Ditës Botërore të Rinisë 2013, që do të kremtohet në Rio-de-Zhanéjro të Brazilit, ndërmjet 23 e 28 korrikut, me temë “Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt”(Mt 28,19).
Java do të kremtohet në të gjithë Brazilin nga 17 deri më 20 korrik; objektivi, shpjegon atë Jeffersone Goncalves, drejtor i veprimtarive, që i paraprijnë DBR-së, është t’u ofrojë të rinjve mundësinë për të marrë pjesë në takimet kishtare, nismat e përshpirtërisë, ngjarjet kulturore e misionare, së bashku me bashkësitë vendase.
Të rinjtë e mbarë botës do të jenë mysafirë të familjeve të vendit: në këtë mënyrë mund të hyjnë thellë në jetën e tyre, ta studiojnë, ta kuptojnë e edhe të shkëmbejnë përvojën e familjeve të tyre, me atë të familjeve mikpritëse.
Është për t’u nënvizuar se “Java e misioneve” do të zërë vendin e “Ditëve dioqezane” që zakonisht, në çdo DBR, i paraprijnë ngjarjes së madhe. Vendimi për t’i shndërruar këto ditë në Javë misionare, u mor nga kardinali Stanislao Rilko, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët, dikaster vatikanas, që organizon, që në zanafillë, Ditët Botërore të Rinisë. Kjo rrugë, sqaron atë Goncalves, u zgjodh për t’u krijuar të rinjve mundësinë që të fitojnë përvojë në apostullimin misionar.
Ndërkaq, organizatorët e DBR-së së Rios, paraqitën një aplikim falas per iPhone, iPod e iPad, të quajtur “Ec pas kryqit!”: program, që krijon edhe mundësitë e lidhjes me social network, për ta ndjekur, kështu, hap pas hapi, shtegtimin që po bëjnë në Brazil Kryqi e Ikona e Virgjërës Mari.
Nga 18 shtatori, të dyja simbolet e DBR-së, po përshkojnë tej e mbanë vendin, e edhe kombet e tjera, si Argjentina, Uruguaj, Kili e Paraguaj.










All the contents on this site are copyrighted ©.