2012-04-11 19:35:53

Oqeani Indian: tërmet i fuqishëm në gjirin e Sumatrës; kufizohet alarmi i tsunamit.


Pas tre tërmeteve të fuqishme, që tronditën sot zonën e Aceh, në hapësirën detare të ishullit Sumatra, në Indonezi, alarmi i tsunamit u dha në 28 vende, kryesisht në Indonezi, Indi, Sri Lanka.
Por frika e madhe, për fat të mirë, zgjati vetëm disa orë. Pas lëkundjeve të fuqishme, të regjistruara pak kohë më parë në Oqeanin Indian, në hapësirën detare rreth ishullit Sumatra, qendër kryesore e tsunamit në Paqësor, Instituti Gjeologjik Amerikan (National weather service) dha njoftimin për përfundimin e gjendjes së alarmit, duke pohuar se rreziku u kufizua ose përfundoi për shumicën e zonave të lëkundura. Më pas gjendja e alarmit u qetësua edhe në Sri Lanka e në Maldive, ndërsa në Indi, së pari u kufizua, më pas edhe përfundoi. Rreziku kaloi, komunikuan autoritetet e Nju Delhit.
Paniku e frika u përhapën në vende të ndryshme të Oqeanit Indian, pas një lëkundjeje tërmeti prej 8.7 ballësh në ujërat 434 kilometra në jug-perëndim të Banda Aceh, pasuar nga dy lëkundje të tjera, me të njëjtën forcë.
Deti u tërhoq rreth 10 metra nga ishulli indonezian Simeulue, pranë epiqendrës së tërmetit të Aceh, shenjë kjo, tejet alarmante, që paralajmëronte rrezikun e tsunamit. Ndërsa u fol për një valë 30 centimetra të lartë në afërsi të Aceh, qendra amerikane njoftoi se një tsunam më i madh mund të jetë shuar përgjatë brigjeve.
Si masë parandaluese, autoritetet u bënë thirrje popullsive të brigjeve detare Andamane të ngjiten në zona të larta, duke mbyllur edhe aeroportin e Phuket. Çaste paniku u jetuan edhe në Indi, posaçërisht në Kolkata e Chennai, ku popullata doli e alarmuar nga banesat, për të mbushur, në panik, rrugët.
Në Sri Lanka u ndërpre rryma elektrike, ndërsa trenat u ndaluan, për të shmangur rrezikun e aksidenteve të mundshme. Edhe në këtë zonë popullsia u dynd drejt zonave të larta të vendit, ku nuk mund të arrijnë valët e mundshme shkatrrimtare të detit të lëkundur nga shpërthimet vullkanore të thellësive. Tërmeti i sotëm ishte pothuajse në të njëjtën thellësi me tërmetin e vitit 2004. Shumë banorë të kryeqytetit Kolombo, vijojnë të enden rrugëve, nga frika e lëkundjeve të reja.
Tërmetet më të fuqishëm në botë
Në se vlerësimet fillestare konfirmohen, tërmeti i sotëm prej 8.6 ballësh, në Indonezi, do të jetë një nga më të mëdhenjtë e regjistruar ndonjëherë.

10 tërmetet më të mëdhenj sipas Institutit Gjeologjik Amerikan, janë
1. 1960 - Kili - M 9.5
2. 1964 - Prince William Sound, Alaska - M 9.2
3. 2004 – Pranë Bregut Perendimor në Sumatrën Veriore - M 9.1
4. 2011 – Pranë Bregut Lindor të Honshut, Japoni - M 9.0
5. 1952 - Kamchatka - M 9.0
6. 2010 - Maule, Kili - M 8.8
7. 1906 - Ekuador - M 8.8
8. 1965 – Ishujt Rat, Alaska - M 8.7
9. 2005 – Sumatra Veriore, Indonezi - M 8.6
10. 1950 - Assam - Tibet - M 8.6
11. 1957 – Ishujt Andreanof, Alaska - M 8.6







All the contents on this site are copyrighted ©.