E Hëna e Engjëllit të Pashkëve rrëfen se Krishti Gjallë përuron një jetë të re
Kremtimi i Pashkëve liturgjikisht zgjatet gjithë javën, këtë javë, e cila dikur quhej
“In Albis”. Besimtarët vijojnë të kremtojnë edhe të hënën pas Pashkëve, që njihet
me emrin e Hëna e Engjëllit, duke e zgjatur kështu festën, gëzimin e së Kremtes më
të madhe të vitit. Sot e Hëna e Engjëllit është bërë më tepër festë profane, ka
marrë formën e një shëtitjeje jashtë qytetit e cila, për ata që i kanë kremtuar siç
duhet Pashkët, është gjë e bukur, është vijim i gëzimit të festës së ngjalljes. Por
për ata që nuk kanë kremtuar kurrfarë Pashkësh, kurrfarë feste fetare, kjo e hënë
sigurisht është e zbrazët e pa kuptim, sepse do të thotë të festosh në një ditë që
nuk dihet se çka përkujton. Ndërsa për të krishterët edhe ky gëzim njerëzor bën
pjesë në gëzimin e Ngjalljes. Konkretisht, nga ana liturgjike, vijon kumtimi i Ngjalljes,
që këtë herë vjen nga Engjëlli, i cili u duket grave, e prej këndej dita merr emrin
e Hëna e Engjëllit. Java pas Pashkëve, të cilën sapo e kremtuam, quhet in Albis, sepse
të posa pagëzuarit këtë javë visheshin me të bardha – e in albis do të thotë “me të
bardha” – deri sot, në të dielën ‘in Albis’. Të gjitha 50 ditët e kohës së Pashkëve,
që shkon deri për Rrëshajë s’janë tjetër, veçse zgjatje e Pashkëve. E në të vërtetë,
e gjithë koha e Pashkëve deri në Rrëshajë në lashtësi quhej e Rrëshajëve, dmth festa
e Rrëshajëve ishte festa e 50 ditëve e jo e ditës së 50-të. E gjithë kjo kohë është
kohë e përgatitjes për Rrëshajë. E si duhet të përgatitemi? Kisha na e jep shembullin
duke na vënë në buzë këtë lutje të vazhdueshme: “Eja, eja Shpirti Shenjt! Eja, Shpirti
Krijues! Eja! Vetëm se ne shpesh herë themi eja, eja, e nuk e kuptojmë ç’po kërkojmë.
Ose themi: Eja Shpirti Shenjt, veç mos prek gjë në jetën time, mos më ndrysho asgjë.
Që të përgatitemi për Rrëshajë, duhet ta lëmë Shpirtin Shenjt të lirë që të ndërhyjë
si të dojë në jetën tonë, e në se i duket e nevojshme, të bëjë edhe ndryshime. Shpirti
Shenjt është Vetja e tretë e Trinisë, në lidhje trinitare të njëllojtë me Atin e Birin.
Para Krishtit konceptohej pak a shumë si forcë, si rrezatim i Hyjit, një mënyrë për
ta bërë të pranishëm Zotin. Me Krishtin kemi dëftimin e plotë të Trinisë e prej këndej,
edhe të Shpirtit Shenjt, i cili është i dërguar, që dëshmon, që udhëheq drejt së vërtetës
së plotë. Këto janë tiparet e vetjes. Sigurisht nuk kemi figurat. Bibla flet për Shpirtin
Shenjt përmes figurës së erës, të ujit, të zjarrit, të aromës së këndshme, ose edhe
të pëllumbit, sepse ndryshe nuk mund ta përfytyrojmë. Është një realitet pastërtisht
shpirtëror. Teologjikisht Shën Agostini thotë se është dashuri e personifikuar ndërmjet
Atit e Birit. Në se Zoti është dashuri, Shpirti Shenjt është pikërisht lidhja ndërmjet
Atit e Birit, lidhja e dashurisë. Kudo arrin Shpirti Shenjt, arrin dashuria. E ne
kemi tepër nevojë për Të. Sa mirë do të ishte sikur njerëzit ta ndjenin nevojën
për praninë e Shpirtit Shenjt edhe për të jetuar si njerëz. Martesa, për shembull,
që është sakrament dashurie, nuk mund të jetohet, në se në një mënyrë a në një tjetër
nuk është e pranishme dhurata e Shpirtit Shenjt, që është dhuratë e Zotit e e pajis
njeriun me aftësinë të dhurojë vetveten si në martesë, ashtu edhe në mjediset tjera
të jetës. Oh, sa mirë do të ishte sikur ne ta njihnim më mirë Shpirtin Shenjt, ndoshta
kështu jeta do të ishte më pak monotone nga ç’është tani, sidomos për të krishterët.