2012-04-08 13:43:10

Simbolet e Pashkëve sipas Papës, në homelinë e Natës së Solemnitetit


Duke u ngjallur, Jezusi i tërheq të gjithë në dritën e Tij dhe fiton mbi çdo formë të errësirës, pohoi Papa, gjatë Meshës, kryesuar në Bazilikën e Shën Pjetrit Natën e Pashkëve. Në një homeli, që sintetizoi figurativisht mrekullitë e krijimit, sipas Besëlidhjes së Vjetër e asaj të Re, Benedikti XVI krijoi kontrastin e fuqishëm, të përjetshëm, ndërmjet dritës e errësirës, duke shpjeguar edhe ç’do të thotë ‘dritë’ e ç’do të thotë ‘errësirë’.

Prej këndej, shpjegoi edhe kuptimin e fjalëve “dritë” e “ndriçim”.
Në Natën pa gjumë të Pashkëve, natë e krijimit të ri, Kisha e paraqet misterin e dritës me një simbol shumë të veçantë e krejt të përvuajtur: me një qiri pashke. Është drita, që jeton në sajë të flijimit. Qiriu ndriçon, duke shkrirë vetveten. Jep dritë, duke dhuruar vetveten. Deri në fund të fundit! Bëhet, kështu, simbol mahnitës i misterit të Pashkës së Krishtit, i cili, duke dhuruar vetveten, na jep dritën e madhe.
Qiriu i Pashkës na kujton edhe se drita e tij është zjarr. Zjarri është forca që i jep trajtë botës; fuqia që shndërron. E, të mos harrojmë, pa zjarr, nuk ka ngrohje. Edhe këtu bëhet i dukshëm misteri i Krishtit. Krishti, dritë, zjarr, flakë që djeg të keqen, duke e shndërruar, kështu, botën, e të gjithë neve. “Kush është pranë meje, është pranë zjarrit”, tingëllon fuqishëm në Natën e pagjumë të Pashkëve, kjo fjalë e Jezusit, që vjen mes nesh përmes veprës së Origjenit. E ky zjarr është njëherësh edhe ngrohtësi; nuk është dritë e akullt, por dritë në të cilën shkrihen në një ngrohtësia e mirësia e Zotit.
Himni i madh i Exultet, që diakoni e këndon në krye të Liturgjisë së Pashkës, na kujton një aspekt tjetër. Na sjell në mendje se qiriu, në radhë të parë, është fryt i punës së bletëve. Kështu përfshin simbolikisht mbarë krijimin. Në qiriun e Pashkës, krijimi bëhet mbartës i dritës.
Por sipas mendimit të Etërve të Kishës, bëhet edhe simbol i vetë Kishës. Bashkëpunimi në bashkësinë e gjallë të besimtarëve në Kishë, është gati-gati si bashkëpunim i bletëve rreth zgjoit. Ndërton bashkësinë e dritës. E tek qiriu, që ndriçon Natën e pagjumë të Pashkës - kujtoi ende Papa- ne mund të shikojmë edhe vetveten, pjesëmarrjen tonë në bashkësinë e Kishës, që dëshiron ta ndriçojë mbarë botën me dritën e Krishtit.
Ta lusim, prandaj Zotin, në këtë orë të pagjumë, të na mbushë plot me gëzimin e dritës së Tij!
e ta lusim që edhe ne të bëhemi mbartës të dritës së Krishtit të Ngjallur;
e që përmes Kishës, shkëlqimi i fytyrës së Krishtit, të hyjë në jetën e botës!







All the contents on this site are copyrighted ©.