2012-04-08 13:44:44

Pashkë në Tokën e Shenjtë


Në përkim me urimet për paqe e pajtim të Bendiktit XVI për Lindjen e Mesme, bashkësia katolike e Tokës së Shenjtë sot paradite kremtoi solemnisht Meshën e Pashkëve, kryesuar nga patriku latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tual, në Bazilikën e Varrit të Shenjtë, rrethuar nga një turmë shumëgjuhëshe besimtarësh, që jetuan së bashku gëzimin e Pashkëve. I pranishëm edhe kardinali Uiljam Levada, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Të gjithë, bashkuar rreth Anastasis, si quajnë grekët Varrin e Zbrazët, apo “Kanisat al Kiama”, Kisha e Ngjalljes, sipas arabëve. Të gjithëve, nga Toka e Krishtit, për shumë vjet Pashkët, pavarësisht nga kërcënimet, që nuk pushojnë mbi këto troje.
Në Tokën e Shenjtë, Pashkët nisën me agimin e së Shtunës së Madhe. Për arsye të statukuo-së së famshme, që përcakton rregullat për bashkësitë e krishtera të pranishme në Bazilikën - zemër e krishterimit, nëna e të gjitha netëve të uratës, në Qytetin e Shenjtë nisi dje në mëngjes, në orën 7. 30. Jehoi, kështu, së pari, pikërisht nga Kisha e Jeruzalemit, himni i lashtë Exultet, që kumton fitoren e Zotit mbi mëkatin e mbi vdekjen.
Kremtimin e kryesoi patriku latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tual, në bashkëkremtim me nuncin apostolik në Jordani, imzot Gjorgjo Lingua dhe me më se njëqind meshtarë.
Kremtimi sipas liturgjisë latine, i pasuruar me traditën e lashtë të Jeruzalemit, nisi me liturgjinë prekëse të zjarrit para portave të bazilikës, tek guri i vajimit. Pastaj, pikërisht përballë Edikolës (Varrit të Krishtit) u ndez qiriu i Pashkëve, nga i cili marrin dritën të gjithë qirinjtë, që ndriçojnë ditë-natë rreth Varrit të zbrazët. Të jesh në atë vend, të provosh emocionet e pashoqe të çastit kur merr dritë nga drita që ndriçon atë Varr, i cili nga simbol i vdekjes, u kthye në simbol i ngjalljes, do të thotë të jetosh një çast të pashembullt liturgjik, që mund të jetohet vetëm në atë vend! Përvojë e jashtëzakonshme, e paharrueshme për të gjithë shtegtarët.
Sipas ritit romak, kremtimi vijoi me shpalljen, në gjuhën latine, të 7 leximeve nga Besëlidhja e Vjetër, duke përshkuar gjithë historinë e shëlbimit. Për të arritur, pastaj, tek Himni i Lavdisë, Letra e Shën Palit dhe shpallja e Ungjillit, përmbushje e premtimeve të lashta. U kumtua pikërisht para atij varri, prej nga u përhap Lajmi i Mirë i Ngjalljes. E kështu Aleluja dhe gëzimi i Pashkëve mbushën plot Bazilikën e Varrit të Shenjtë që, në përfundim të kremtimeve të të krishterëve katolikë, me një frymëmarje të thellë ekumenike, nis të mbushet me shtegtarë ortodoksë, të cilët sot, sipas Kalendarit Julian, sivjet me një javë ndryshim nga Kalendari Gregorian, kremtuan të Dielën e Larit.
Ndërsa përjashta Jeruzalemit kremtonin besimtarët hebrenj, sepse dje ishte dita e Pesha-s, Pashkës hebraike.
Në Bazilikën e Varrit të Shenjtë kremtimet vijuan edhe në orën 15.30, me procesionin solemn; në orën 18.00, me mbrëmësoret rreth Edikolës e pastaj, natën. Pikërisht në mesnatë filloi liturgjia e orëve, kryesuar nga Rojtari françeskan i Tokës së Shenjtë. Ishte kremtimi i parë i Pashkëve 2012.
Nga Jeruzalemi, të dëgjojmë me telefon, imzot Uiljam Shomalin, ipeshkëv -ndihmës i patriarkatit. Na flet pikërisht për kremtimin e Pashkëve 2012 në Tokën Shenjte:

Pyetje: - Pashkët këtë vit kremtohen në rrethana, shpesh dramatike për të krishterët e Lindjes së Mesme…

Përgjigje: - Po, e ne jemi tejet të shqetësuar për vëllezërit tanë në Siri dhe lutemi të arrihet mirëkuptimi ndërmjet qeverisë e kryengritësve, për të mos u derdhur më gjak i pafajshëm…

Pyetje: - Kjo situatë, ndërmet tjerash, ka pasoja të trishtuara edhe për besimtarët, sepse pengon shtegtimet…

Përgjigje: - Klima është e tensionuar: fryn era e luftës ndërmjet Iranit e Izraelit e frika bëhet edhe më e madhe, duke parë ç’po ndodh në Siri. Kur shtegtarët dëgjojnë lajme të tilla, kanë frikë të marrin një udhë, që u duket krejt e pasigurtë; por këtu, në Jeruzalem, në Betlehem, në Nazareth - shtegtarët mund të vijnë e të luten vërtet pa asnjë problem…

Pyetje: - Ç’vlerë të posaçme fiton lutja në Tokën e Shenjtë?

Përgjigje: - Ka shumë pjesëmarrje nga ana e famullive tona; në ritet Javës së Madhe kishat janë aq plot, sa nuk nxenë më e ne jemi plotësisht të kënaqur. Mbarë bota mund të shikojë se njerëzit kanë etje të pashuar të mblidhen rreth Varrit të zbrazët e t’i luten Krishtit të Ngjallur për fatet e njerëzimit, aspak për t’u pasur zili.

Pyetje: - Lutja që i lartohet Zotit nga Toka e Shenjtë, mund të ndikojë edhe mbi fatet e të krishterëve të zonave të tjera të Lindjes së Mesme…

Përgjigje: - Natyrisht! Jemi shpirtërisht të bashkuar me të krishterët e Egjiptit, të Libanit, të Sirisë; kemi një televizon arabo-kristian shumë të fortë; të krishterët tanë e ndjekin ditë për ditë. Ekrani i këtij televizioni krijon frymën e bashkimit gjatë gjithë Javës së Madhe, duke transmetuar lutje e liturgji. E ndjejmë fort solidaritetin edhe përmes mjeteve të komunikimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.