2012-04-08 17:55:15

Imzot Avgustini: Ngjallja e Krishtit çlirim nga vdekja


Porosia drejtuar besimtarëve për Pashkë 2012
“Forcoje me fuqinë e Shpirtit Shenjt
Kishën tonë Dioqezane,
pastroje prej çdo të keqeje dhe mësimeve të gabueshme,
bëj që me besim të pathyeshëm
duke ndjekur shembullin e të parëve tanë dhe martirëve
të jemi një bashkësi dhe dëshmitarë të vërtetë të fesë”.
(Lutja gjatë Vitit jubilar)

Fort të dashur
"Krishti dje dhe sot. Fillimi dhe mbarimi. Atij i përkasin kohët dhe shekujt. Atij i qoftë lavdia dhe pushteti në shekuj e në amshim". Kjo lutje prej liturgjisë pashkore të shërbesës së Dritës në Vigjiljen e Ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krishtit, na nxit që gjatë këtij Viti Jubilar të cilin jemi duke e kremtuar, 950 vjetorin e themelimit të Dioqezit të Sapës si dhe 100 vjetorin e pavarësisë të popullit tonë nga pushtuesit otoman që të mundë të thellohemi e të forcohemi edhe më shumë në besim me Dritën e Atij i cili ka ardhur të largon çdo errësirë dhe turbullim nga jeta e jonë. Në këtë vit Jubilar si dhe duke vazhduar gjatë Vitit të Fesë, që do të fillojë në tetor, Kisha Nënë na e drejton një thirrje të vazhdueshme për kthimin e zemrave kah Krishti dhe në rizbulimin e fesë, që të gjithë anëtarët e Kishës të jenë dëshmitarë të besueshëm e të gëzuar të Krishtit të Ringjallur, të aftë t’u tregojnë shumë njerëzve në kërkim, rrugën dhe Derën e fesë. “Nëse feja nuk përtërihet, duke u bërë bindje e thellë dhe forcë e vërtetë, falë takimit me Jezu Krishtin, të gjitha reformat e tjera nuk do të kenë rezultat”.
Feja jonë, në Krishtin Zot e trashëguar prej të parëve tanë me mija vjet duhet të jetë edhe për ne sot marrëdhënie personale me Hyjin. Të jetosh me forcën e Krishtit të ngjallur do të thotë të përjashtosh nga e përditshmja fuqitë e vdekjes dhe të keqes, të largosh errësirën dhe mjegullimet që na pengojnë ta njohim të Vërtetën dhe Jetën dhe ate ta dëshmojmë. Krishti ngjallur prej së vdekurish është themeli i fesë sonë. Pashkët nuk janë thjeshtë kujtim i një ngjarjeje, por duhet të jetë aktualizim për jetën e çdo të krishteri e të çdo bashkësie kishtare, për jetën tonë.
Kur ne jemi në shoqëri me Krishtin aty nuk sundon vdekja, sepse Ai është "Ringjallja dhe Jeta" (Gjn 11,25), dhe këtë Jetë ua dhuron të gjithë atyre që bashkohen me Te. Shoqërimi me Te, para se gjithash, është dhuratë, "hir". Një hir që nuk imponohet, por që do të duhet të pranohet lirisht nga njeriu. Ky pranim u vullnetshëm ka të bëjë me njohjen, besimin, dashurinë, me përfshirjen si dhe pjesëmarrjen në Trupin e Krishtit të Ngjallur, me misteret e Kishës se Tij. Jeta e re me Krishtin na jepet brenda Kishës me hirin e Shpirtit të Shenjtë. Çdo liturgji hyjnore, çdo kremtim Eukaristik (i meshës Shenjte) është takim dhe shoqërim me Hyjin.
Krishti i ngjallur është fillimi i njerëzimit të ri, “i Parëlinduri ndër të vdekurit, që të jetë në gjithçka i Pari” (Kol 1,18). Me Ngjalljen e Krishtit ka nisur një formë e re ekzistence për njerëzit. Siguria e Ngjalljes, bindja se Atij iu dha “çdo pushtet në qiell e tokë” (Mt 28,18) i çliroi nxënësit e Tij prej çdo lloj frike dhe ankthi dhe i shndërroi në predikues të guximshëm të jetës së re në Krishtin.
Janë të shumta në kohën tonë frikët dhe ankthet që e kërcënojnë jetën. Madje në kohët e fundit janë edhe më të acaruara për shkak të vuajtjeve që shkaktojnë krizat: ekonomike, morale, politike, fesë ... në të gjithë globin tokësor. Brenda kësaj atmosfere të rëndë vjen e kremtja e Ngjalljes së Krishtit që të ftojë çdo besimtar në një rrugëtim lirie nga frika, nga frika. Nga frika që krijon padrejtësia dhe egërsia e shoqërisë sonë. Nga frika e mëkatit shumëformësh që depërton në qenien tonë dhe na e tjetërson.
“Duhet që ta jetojmë misterin e Pashkëve në jetën tonë të përditshme. T’u shmangemi gjërave tokësore, papastërtisë, dëshirave e këqija, epsheve, idhujtarisë dhe lakmisë, që është dëshira e tepruar e të mirave materiale. Duhet ta shuajmë, madje ta asgjësojmë në ne dashurinë e pangopur të të mirave materiale, egoizmin, rrënjën e çdo mëkati.
Pashkët, me kremtimin e ngjalljes së Krishtit, na tregojnë “jo vetëm udhën për të ndryshuar, shndërruar vetveten tonë, por për të shndërruar botën, për t’i dhënë qytetit tokësor një fytyrë të re që favorizon zhvillimin e njeriut e të shoqërisë sipas logjikës së solidaritetit, të mirësisë, në respekt të thellë të dinjitetit të çdonjërit”.
Kulmi i porosisë së Ngjalljes së Krishtit është çlirimi nga frika e vdekjes, frikë që na e ndrydh jetën. E kremtja e Ngjalljes nuk shpall thjesht një lajm, por na fton që të marrim pjesë në lirinë që na fali Krishti. Kjo liri, sigurisht mbështetet në besimin.
“Të lumtur janë të gjithë ata që besojnë...”. Sigurisht se duhet të dimë të përballemi në përditshmërinë tonë, me frikët dhe ankthet, por, sikurse na porositë Shën Pali: “duhet të qëndroni të themeluar në fe, të qëndrueshëm dhe të palëkundshëm në shpresën që jep Ungjilli” (Kol 1,23).
Ngjallja e Krishtit e largon frikën, sepse bashkërendohet me një fuqi të mrekullueshme, të cilën ftohemi ta ndiejmë në një mënyrë të veçantë gjatë kësaj të kremteje: “që të kuptojmë madhërinë e pamasë të fuqisë së Tij, të cilën e tregoi me vepër në Krishtin duke e ngjallur nga të vdekurit dhe duke e vendosur në të djathtën e vet në qiell, mbi çdo Principatë, Pushtet, Fuqi ... Dhe çdo gjë vuri nën këmbët e tija ” (Ef 1, 19-22).
Prandaj: “Zgjohu ti që fle, ngritu nga të vdekurit, dhe do të të shndrisë Krishti! Vëreni me kujdes si jetoni: jo si njerëz të marrë, por si njerëz të urtë, të cilët dinë ta shfrytëzojnë mirë kohën, sepse ditët janë të këqija. Prandaj mos jeni të paarsyeshëm, por dini ta kuptoni mirë vullnetin e Zotit ” (Ef 5, 14-17). Kjo është një thirrje jashtëzakonisht aktuale: “Ngjallja e Krishtit është shenja qendrore dalluese e krishterimit, e vërteta themelore, që duhet ripohuar me forcë në çdo kohë, sepse ta mohosh, ashtu siç është provuar të bëhet e vijon të provohet, do të thotë ta bësh të kotë vetë fenë tonë”.
Ngjallja e Krishtit shpalos se e vërteta është më e fuqishme sesa gënjeshtra; e mira është më e fortë sesa e keqja; është më e fuqishme se urrejtja, është më e fortë se . ynë nuk është as dhe as i kotë. Është burimi i jetës dinamike dhe frytdhënëse. Kjo është thirrja dhe urimi im në këto Pashkë. Me dëshirë që gjithmonë të jemi të angazhuar për Zotin dhe për të mirën e popullit dhe që ta forcojmë besimin tonë, Ju uroj dhe dëshiroj që ta shpallim me guxim Ngjalljen e Krishtit, domethënë thelbin e besimit tonë.

Për shumë vjet Pashkët!

Ipeshkvi i juaj, Mons. Lucjan Avgustini...........00:06:47:28







All the contents on this site are copyrighted ©.