Exultet është këngë liturgjike, tipike për Kishën katolike. Këndohet Natën
e pagjumë të Pashkëve nga një diakon ose këngëtar. Me të shpallet fitorja e dritës
mbi errësirën, simbol i së cilës është qiriu i Pashkës, që ndizet e kumton Ngjalljen
e Krishtit, ndërsa këngëtari, duke përkujtuar të gjitha mrekullitë e historisë së
shëlbimit, e fton mbarë bashkësinë të ngazëllehet, sepse profecia e misterit të Pashkëve
u përmbush: Krishti u ngjall! Në këndvështrimin stilistik kemi të bëjmë me një
preconio, apo, sipas etimologjisë latine të fjalës Praeconium (praeco-onis
- kasnec, kumtar, tellall) me një tekst poetik, që sjell një lajm solemn; ose, sipas
etimologjisë së encomio, me një lavd solemn. Njihen një mori variantesh,
si tekstuale ashtu edhe muzikore. Sipas dëshmive, Exultet nisi të këndohej
që në shekullin IV, ndërsa formën e sotme ia dha, në gjysmën e dytë të shekullit XII,
Papa Inoçenci III. Teksti ka dy pjesë: prologun, që është i njëjtë në të gjitha
variantet; dhe lutjen solemne, që ndryshon sipas traditës romake, ambroziane ose
beneventane. Vetë ‘Exultet’ s’është tjetër, veçse fjala nismëtare e tekstit liturgjik
që, duke u lidhur pazgjidhshmërisht me kumtim e madh të Ngjalljes së Krishtit, i fton
besimtarët të ngazëllehen për përmbushjen e misterit të Pashkëve, Në zanafillë,
Exultet shkruhej mbi një rrotull pergamene, që diakoni-këngëtar e shrrotullonte nga
amvona e, ndërsa tregonte përmbajtjen, besimtarët shikonin miniaturat e pikturuara
në pergamenë, me qëllim që edhe ata, të cilët nuk e dinin latinishten, të kuptonin
ç’po thoshte diakoni. Exultet merrte, kështu, pamjen e një tregimi modern vizatimor.
Sot, në mbarë botën, gjinden rreth 30 rrotulla, por vetëm 28 prej tyre mund të
quhen vërtet Exultet, sepse nisin me këtë fjalë dhe përshkruajnë liturgjinë e hyrjes
në Natën e pagjumë të Pashkëve.