2012-04-08 12:12:04

Benedikti XVI Mesazhi "Urbi et Orbi" - "Romës e Botës", në të Dielën e Pashkëve


Surrexit Christus, spes mea” – “U ngjall Krishti, shpresa ime” (Sekuenca e Pashkëve).
Ju uroj të gjithëve ta dëgjoni zërin ngazëllues të Kishës, me fjalët e himnit të lashtë, vënë në buzët e Marisë Magdalenë, e para që u takua me Krishtin e ngjallur në agimin e Pashkëve. Ajo ngarendi tek dishepujt e tjerë e, me zemrën që mend i dilte nga kraharori, u dha kumtin: “Pashë Zotin!” (Gjn 20,18). Edhe ne, që përshkuam shkretëtirën e Kreshmëve dhe ditët e dhimbshme të Mundimeve, sot mund ta japim me brohori, lajmin e fitores: “U ngjall! Vërtet u ngjall!”.
Çdo i krishterë rijeton ato çaste, të cilat i jetoi Maria Magdalenë. Është takim, që ta shndërron jetën: takim me Njeriun e pashoq, që na bën të shijojmë gjithë mirësinë dhe vërtetësinë e Hyjit, na çliron nga e keqja, e jo cektësisht, përkohësisht, por na shpëton rrënjësisht, na shëron plotësisht e na rikthen dinjitetin tonë.
Ja, Maria Magdalenë e thërret Jezusin: “shpresa ime”: sepse ai e rilindi, i dha ardhmëri të re, jetë të mirë, të çliruar nga e keqja, “Krishti, shpresa ime”, do të thotë se çdo dëshirë e mirë që kam në zemër, me ndihmë të Tij mund të realizohet. Me Të, shpresoj se jeta ime mund të jetë e mirë, e përkryer, e amshuar, sepse vetë Zoti erdhi ndër ne e hyri në natyrën tonë njerëzore.

Por Marisë së Magdalës, ashtu si dishepujve të tjerë, iu desh ta shikonte Jezusin të poshtëruar nga krerët e popullit, të kapur, të rrahur me kamxhik, të dënuar me vdekje e të kryqëzuar. Duhet të ketë qenë diçka thellësisht e padurueshme ta shikoje vetë Mirësinë të fyer nga hakmarrja. Me vdekjen e Jezusit u duk sikur mori fund një herë e përgjithmonë çdo shpresë e atyre, që besonin në Të. Por pikërisht besimi nuk u shua kurrë: sidomos në zemrën e Virgjërës Mari, Nënës së Jezusit, flaka e besimit mbeti e ndezur edhe në errësirën e natës më të zezë. Shpresa, në këtë botë, nuk mund të mos e llogarisë forcën e së keqes. Nuk e pengon vetëm muri i vdekjes. Edhe më shumë se vdekja e pengojnë majat e mprehta të zilisë e të mendjemadhësisë, të mashtrimit e të dhunës. Jezusi kaloi përmes leqeve mortore, për të hapur shtegun kah Mbretëria e jetës. Erdhi një çast, kur u duk se Jezusi e kishte humbur betejën: errësira pushtoi mbarë tokën; heshtja e Hyjit ishte e plotë, shpresa tingëllonte si fjalë tanimë krejt e kotë.

Por ja, në agimin e ditës pas së shtunës, varri u gjet i zbrazët. Pastaj Jezusi iu duk Magdalenës, grave të tjera, dishepujve, e feja rilindi, më e gjallë, më e fortë se kurrë, tashmë e pamposhtur, sepse e themeluar mbi një përvojë vendimtare: Vdekja e jeta në bejleg ranë/ Armët vringëlluese n’luftë i ndanë/ Prijës’ i jetës që vdiq, jeton/ Më i gjallë se të gjallët mbretëron!”.
Shenjat e ngjalljes flasin vetë për fitoren e jetës mbi vdekjen, të dashurisë mbi urrejtjen, të mëshirës mbi hakmarrjen: flasin vetë “Varri i Krishtit, i zbrazët /lumnia e Krishtit të ngjallur,/ egjujt dëshmitarë, riza e petkat palosur mënjanë.

Të dashur vëllezër e motra! Në se Jezusi u ngjall, atëherë, e vetëm atëherë – ndodhi diçka vërtet e re, që e ndryshoi jetën e njeriut e të botës. Atëherë Ai, Jezusi, është dikush, në të cilin mund të besojmë në mënyrë absolute, e jo vetëm në mesazhin e Tij, por në Të, sepse i Ngjalluri nuk i përket së kaluarës: është i pranishëm sot, i gjallë. Krishti është shpresë e ngushëllim për botën, posaçërisht për bashkësitë e krishtera, që persekutohen e diskriminohen për shkak të fesë. E është i pranishëm si forcë e shpresës, përmes Kishës së Tij, gjithnjë pranë çdo situate vuajtjeje e padrejtësie.

O Krisht i ngjallur, jepi shpresë Lindjes së Mesme, që të gjithë pjesëtarët etnikë, kulturorë e fetarë të kësaj zone të punojnë për të mirën e përbashkët dhe për respektimin e të drejtave njerëzore. Në Siri, veçanërisht, pushoftë gjakderdhja e rifilloftë pa vonesë rruga e respektit, e dialogut, e pajtimit, siç urohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Refugjatët e shumtë, ardhur nga ky vend, në kërkim të ndihmës humanitare, gjetshin mikpritje e solidaritet, që mund t’ua lehtësojnë vuajtjet e tyre të rënda. Fitorja e Pashkëve inkurajoftë popullin irakian që të mos kursejë asnjë përpjekje për të ecur përpara në rrugën e stabilitetit e të zhvillimit. Në Tokën e Shenjtë, izraelitë e palestinezë rifillofshin me guxim procesin e paqes.

O Zot, ngadhënjimtar mbi të keqen e mbi vdekjen, ndihmoji bashkësitë e krishtera të Kontinentit afrikan, jepu shpresë për të përballuar vështirësitë, bëji veprimtarë të paqes e mjeshtra të zhvillimit të shoqërive, të cilave u përkasin.

Jezus i Ngjallur, ngushëlloji popullsitë e vuajtura të Bririt të Afrikës e nxiti të pajtohen; ndihmoji Zonën e Liqeneve të Mëdha, Sudanin e Sudanin e Jugut, duke u dhuruar banorëve të tyre forcën e faljes. Malit, që po kalon një çast delikat politik, Krishti i Lum i dhëntë hirin e paqes e të stabilitetit. Nigerisë, kohët e fundit teatër ndeshjesh të përgjakshme terroriste, gëzimi i Pashkëve i ndikoftë energjitë e nevojshme për rindërtimin e një shoqërie paqësore, që respekton lirinë fetare të qytetarëve të saj.
Për shumë vjet Pashkët të gjithëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.