2012-04-07 09:19:56

Udha e Kryqit: Papa, shthurjet e vlerave njerëzore dhe kriza rrezikojnë familjen


Ja fjala e Papës Benedikti XVI në fund të Udhës së Kryqit mbjatur në amfiteatri romak Koloseum te Premten e Madhe të Shenjtë të Pashkëve.

Të dashur vëllezër e motra,
kujtuam, me meditimin, me lutjen e me këngën, udhën e Jezusit drejt Kryqit: rrugë, që dukej pa dalje, por që ndryshoi jetën e historinë e njeriut, hapi kalimin drejt “qiejve të rinj e tokës së re” (shih Vap 21,1). Veçanërisht në këtë ditë të së Premtes së Madhe, Kisha kremton, me shumë përshpirtëri, përkujtimin e vdekjes në kryq të Birit të Zotit e, në Kryqin e Tij sheh pemën e jetës, nga e cila lulëzon një shpresë e re.
Përvoja e vuajtjes është domethënëse për njerëzimin, është domethënëse edhe për familjen; sa herë rruga bëhet e lodhshme dhe e vështirë! Mosmarrëveshje, ndarje, shqetësime për të ardhmen e bijve, sëmundje, probleme të natyrave të ndryshme. E pastaj, në këtë kohën tonë, gjendja e shumë familjeve rëndohet nga pakësimi i punës e nga pasoja të tjera negative, shkaktuar nga kriza ekonomike. Udha e Kryqit, që e përshkuam sonte shpirtërisht, është ftesë për të gjithë ne, e veçanërisht për familjet, për të kundruar Krishtin e kryqëzuar e për të marrë forcë t’i kapërcejmë vështirësitë. Kryqi i Jezusit është shenja më e lartë e dashurisë së Zotit për çdo njeri, është përgjigjja mëse e plotë për nevojën e dashurisë, që ka çdo njeri. Kur sprovohemi, kur familjeve tona u duhet të përballojnë dhimbjen, mundimin, e hedhim vështrimin mbi Kryqin e Krishtit: aty e gjejmë guximin për ta vazhduar rrugën; aty mund të përsërisim, me shpresë të madhe, fjalët e shën Palit Apostull: “Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata? …E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur” (Rm 8,35.37).
Në hidhërime e në vështirësi nuk jemi vetëm; familja nuk është vetëm: Jezusi është i pranishëm me dashurinë e Tij, e mbështet me Hirin e Tij e i jep energji për të ecur përpara. E pikërisht, këtë dashuri të Krishtit duhet të kërkojmë kur pështjellimet njerëzore e vështirësitë ka rrezik ta plagosin unitetin e jetës e të familjes sonë. Misteri i Mundimeve, i Vdekjes dhe i Ngjalljes së Krishtit na jep guxim për të ecur përpara me shpresë: koha e dhimbjes dhe e sprovës, nëse jetohet bashkë me Krishtin, me fe në Të, përmban në vetvete dritën e ringjalljes, jetën e re të botës së ringjallur, Pashkët e çdo njeriu, që beson në Fjalën e Tij.
Në atë Njeri të kryqëzuar, që është Biri i Zotit, edhe vetë vdekja merr kuptim e orientim të ri, shpërblehet e ngadhnjejmë mbi të, bëhet kalim drejt një jete të re: “nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, mbetet e vetme; po nëse vdes jep shumë fryt!” (Gjn 12,24). T’ia besojmë veten Nënës së Krishtit. Ajo, që e shoqëroi Birin e vet në udhën e dhimbshme, Ajo, që ndenji nën Kryq në orën e vdekjes së Tij, Ajo, që i dha guxim Kishës së sapolindur ta përjetonte praninë e Zotit, drejtoftë zemrat tona, zemrat e të gjitha familjeve përmes “mysterium passionis” drejt “mysterium paschale”, drejt dritës që shpërthen nga Ringjallja e Krishtit e dëshmon fitoren përfundimtare të dashurisë, të gëzimit, të jetës, mbi të keqen, mbi vuajtjen, mbi vdekjen. Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.