2012-04-07 15:12:32

Nata e Shenjtë e Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit!


E Shtuna e Madhe, dita e tretë e Treditëshit e Nata e Shenjtë e Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit.
E Shtuna e Madhe e Pashkëve është dita e varrimit dhe e heshtjes. Mirëpo në barkun e tokës ruhet e rritet porsi fara, fidanishtja e jetës së re.
Në këtë Natë të Shenjtë, në të cilën Jezu Krishti, Zoti ynë kaloj nga vdekja në jetë, Kisha, e përhapur kudo në botë, i thërret bijtë e vet të rrinë zgjuar në uratë.
Në këtë Natë të Shenjtë, e rijetojmë Pashkën e Zotit përmes dëgjimit të Fjalës Hyjnore dhe pjesëmarrjes në Sakramente;
Krishti i Ngjallur e përforcon në ne shpresën e pjesëmarrjes tonë në fitoren e Tij mbi vdekje e na ofron mundësinë të jetojmë me Të në Hyjin Atë.
Kremtimi i Natës së Ngjalljes së Jezu Krishtit është zemra e thelbi i krishterimit, është qendra e kulmi i tërë vitit liturgjik kishtar.
Besimtarët e krishterë, në këtë Natë të Shenjtueshme, janë në pritje të kumtimit të Lajmit të Mirë të Ngjalljes së Shpëtimtarit të botës, Jezu Krishtit.
Në solemnitetin e Natës së Shenjtë të Pashkëve, me Liturgjinë Hyjnore përshkohen ritet e simbolet përmes të cilave të gjithë besimtarët e dinë dhe kuptojnë mesazhin e shpresës që përçojnë, mesazhin e Jetës që buron nga Krishti Gjallë, që e asgjësoi vdekjen përgjithmonë. Në këtë Natë tejet të Shenjtë, ti bashkojmë zërat tanë me zërin e Kishës, që kumton lajmin gazmor e solemn të Ngjalljes së Krishtit, Dhëndrit e Zotit të saj, fitimtar mbi vdekjen e mbi mëkatin. Ngjallja e Jezu Krishtit është shpresa jonë. Jezusi u Ngjall edhe për ne, që duke besuar në Të, ta kemi jetën e vërtetë e të pasosur. Mase dymijë vjet pas kësaj ngjarjeje, Kisha e jeton si të ndodhte sonte, kur ne ju drejtojmë urimin tonë:
KRISHTI U NGJALL, ALELUJA; VERTETE U NGJALL ALELUJA! - PËR SHUMË MOT PASHKËT! dëgjues të nderuar!
Krishti, Shëlbuesi ynë, fitoi mbi vdekjen: Krishti u Ngjall! E i fton të gjithë, burra e gra, të çdo kohe e të çdo vendi, ta ndihmojnë për ta pohuar e kumtuar fitoren e tij me të njëjtat armë: armët e drejtësisë e të së vërtetës, të mëshirës e të paqes, të faljes e të dashurisë. Kjo është zemra e mesazhit të Pashkëve:
Urime - Gëzuar - Pashkë të bardha!
E liturgjia e Vigjiljes së Pashkëve rregullohet në disa pjesë, rite e simbole, që shprehin e kumtojnë mesazhin qendror të Natës së Pashkëve, e cila quhet dhe konsiderohet me të drejtë si “Nëna e të gjitha netëve të lutjes”, mesazhin e fitores së Jezu Krishtit mbi vdekje, mesazhin e Ngjalljes së Krishtit.
Ritet e simbolet e Natës së Shenjtë të Pashkëve
Treditëshi i Pashkëve arrin kulmin në Natën që kremtohet ndërmjet së Shtunës së Madhe e të Dielës së Ringjalljes. E treta ndër ditët e shenjta është, ndër të gjitha, më e pasura me fjalë e shenja, që shprehin fitoren mbi vdekjen e mbi forcat e errëta të së keqes. Është shpresa që u ofrohet të gjithë atyre që besojnë në Zotin e Kryqëzuar e të Ngjallur.
E Shtuna e Madhe është ditë lutjeje e agjërimi, jo si pendesë, por si pritje e dëshirë për bukën e vetme që ushqen me të vërtetë: bukën e të Ringjallurit.Nata e Pashkëve dallohet nga e Shtuna e bën pjesë në ditën e Pashkëve; është festa e vërtetë, është një Natë “nëna e të gjitha netëve”.
Katër janë simbolet e liturgjisë së natës së Pashkëve, e cila kremton ringjalljen e Zotit: drita, fjala, uji dhe buka. Të gjitha shpjegohen me mënyrat me të cilat Jezusi e ka paraqitur veten: Jezusi është drita e botës, është fjala e fundit e Atit. Është uji që shuan etjen e përtërin, është buka e jetës.
Nata e Pashkëve na bën të hyjmë në plotësinë e misterit të tij: na bën të takojmë Jezusin si i Ringjalluri, i Gjalli, Ai që, duke na treguar fytyrën e vërtetë të Atit, mund të na mbushë me gëzim e shpresë. Nata e Pashkëve është rrënja e çdo shprese dhe e kuptimit të krishterë të jetës. Kush ndjek Jezusin për jetë, kush ka jetuar në ditët e mëparshme solidaritetin në dhimbje, tani mund të jetojë me gëzim festën.
Nëse gjatë Krezhmëve kemi reflektuar mbi peshën e mëkateve e mbi rrezikun e dështimit në jetë, këtu fillon shpresa për një ndihmë nga lart, që i jep vlerë ekzistencës, megjithëse në mes të errësirës e dhimbjes. Bashkësive të krishtera, Nata e Pashkëve duhet t’u japë guximin për ta dëshmuar këtë shpresë, guximin për ta arsyetuar shpresën e jetës, që mbajnë në zemër. T’u japë aftësinë për të ndërmarrë impenjime e iniciativa, që i thonë botës sa e mbushur me të ardhme e me mundësi pozitive është feja në Jezusin.
E tani të përshkruajmë e të përshkojmë së bashku ritet e simbolet liturgjike të Natës së Shenjtë të Pashkëve
Liturgjia e dritës

Çasti i parë i Natës së Pashkëve e përqendron vëmendjen mbi dritën: zjarri i ndezur në errësirë kujton Shpirtin dhe ngrohtësinë e Zotit, forcën e tij ripërtëritëse, por edhe dashurinë njerëzore, që i jep ngrohtësi e kuptim jetës.
Imazhi i qiriut në procesion drejt kishës e thërret popullin e besimtarëve të ndjekë Jezusin, dritën e botës. Qiriu që jep dritë duke u konsumuar, si Jezusi, u thotë të krishterëve se askush nuk mund të jetë dritë për të tjerët, pa flijuar e hequr dorë nga vetvetja. Do të ishim të kënaqur nëse nga sakrificat tona të vogla, të tjerët të përfitonin ngrohtësi e jetë. Për disa aspekte, bota është akoma e zhytur në errësirë. Lajmi i Mirë i Pashkëve nuk mund të mbetet vetëm një himn fjalësh të bukura. Kulti i vërtetë i të krishterit është jeta e tij.
Liturgjia e Fjalës
Liturgjia ofron mundësinë e shumë leximeve: zgjedhja e të gjithave ose vetëm e disave prej tyre duhet të japë kuptimin e domethënien e një historie të përshkuar nga iniciativa e Zotit. Fjala bëhet histori e përgatitet të presë Jezu Krishtin.
Fjala është në fillim të krijimit, nëpërmjet të cilit Zoti dhuron të qenit, pra i jep kuptim gjithçkaje ekziston. Në veçanti, krijon njeriun në përngjasim me Të, duke vendosur tek ai farën e një prirjeje të natyrshme drejt Krijuesit të vet.
Fjala e Zotit udhëheq rrugën e çlirimit e të rithemelimit të popullit, që bëhet popull i Zotit nëpërmjet mundit e kërkimit, gabimit e kthimit drejt Zotit.
Deri tek Ungjilli i shën Markut, ku tregimi i grave që gjejnë varrin e Jezusit bosh e çon besimtarin tek Ai, që nuk duhet kërkuar ndër të vdekurit, tek i Gjalli, që duhet takuar në historinë e përditshme.
Liturgjia e Pagëzimit
Është çasti që na çon tek jeta e re e marrë përmes Pagëzimit: është pra momenti-kujtesë i ngjarjes themelore të qenies sonë si Kishë. Përtëritja e impenjimeve, që të tjerët i kanë marrë për ne në momentin e Pagëzimit do të thotë një vetëdije e re për përgjegjësinë tonë në histori.
Liturgjia Eukaristike

Eukaristia e Natës së Pashkëve është një “akt falënderimi” krejt i veçantë: “Pashkët ishin momenti në të cilin e pati fillesën Eukaristia e vërtetë! Prandaj edhe misteri i natës së Pashkëve përqendrohet tek Eukaristia, të cilën Krishti nuk e paraqet i vetëm, por së bashku me Kishën e vet. Ajo merr pjesë në Eukaristinë e tij, që përuron solemnitetin e madh të Rrëshajëve, në të cilat bashkësia e krishterë e shëlbuar falënderon Atin së bashku me Birin”.

Kremtimi i Natës së Pashkëve nuk duhet të përfundojë para mesnatës, “sepse duhet të presim deri në atë çast të saktë kthimin e Hyjit”. Ajo Natë është e mbushur me misterin e pritjes. Qiriu qëndron pranë ambonit, i cili përfaqëson Varrin bosh. Ai është simbol i të Ringjallurit. Gratë që në mëngjes herët, shkojnë te varri për ta mbështjellë “trupin e vdekur” të Jezusit me një vaj të përmortshëm gjejnë Fjalën e ngjallur. Nata e Pashkëve kremton krejt Misterin e festës e në çdo pjesë të saj kryhet kalimi nga vdekja në jetë. Kulmi i Natës është Eukaristia: buka e të Ngjallurit për bashkësinë e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.