2012-04-06 08:20:48

Udha e Kryqit: simbolet, historia e aktualiteti.


Ungjijtë tregojnë ngjarjet e shumta që ndodhën në udhën drejt varrit të zgavruar në zemër të shkëmbit, mbi të cilin kryqtarët ngritën bazilikën vigane të Varrit të Shenjtë të Jezu Krishtit. Të shumta edhe shenjat simbolike që flasin për kuptimin e mbinatyrshëm të kësaj udhe të Kryqit e të përfundimit të saj.
Kujtojmë velin e zi të errësirës që mbështjell gjithë tokën nga mesdita deri në orën tre të pasdites’ (Mateu 27, 45), shenjë e gjykimit hyjnor, parafolur nga Amosi profet (8,9): “Atë ditë do të bëj të perëndojë dielli në mesditë!”. Në këtë mënyrë shpjegohet edhe grisja e papritur më dysh e tisit të tempullit, shenjë e ‘zbulesës’ së misterit të Zotit në Krishtin e kryqëzuar.
Edhe varret e hapura, prej nga dalin të vdekurit e ringjallur, për të cilat na flet Mateu (27, 52-53) ‘pas ngjalljes së Tij’, janë simbol i ngjarjes së lumnueshme të gjyqit të mbramë e i cakut të fundit të njeriut e historisë njerëzore. Fakte të tjera, të treguara nga ungjilltarët, reflektojnë për torturën që provoi Jezusi në orën e tmerrshme të kryqëzimit, kur gozhdat përshkonin mishin e thyenin kockat, plagë që shkaktonin dhimbje përtej durimit njerëzor, në sa shqyheshin nga pesha e trupit që vdiste dalë-nga-dalë.
Simbolik edhe përshkrimi i ‘poskës’ – që në latinisht ka kuptimin e pijes së përgatitur duke përzierë verë me vrer, ose, siç e përshkruan Marku, me mirrë, që ia dhanë Krishtit, kur pati etje e kërkoi të pinte diçka, për të njomur buzët rreshkura nga tmerri i kryqëzimit. Por tradita vë, me të drejtë, theksin mbi fjalët e fundit të Jezusit. Në kundërshtim me çka pohon një nga vargjet e lutjes së famshme të përshpirtshme afro-amerikane: “E gozhduan mbi kryq e nuk pëshpëriti asnjë fjalë”, përdorur si titull i romanit të Hainrih Bëlit: “E nuk tha asnjë fjalë të vetme” (1953) në të cilin tregohet historia e një çifti të kryqëzuar, sipas Ungjijve Jezusi në Kryq shqipton shtatë fraza, të cilat i shërbyen kompozitorit të famshëm Hajden (1787) për t’i muzikuar “Shtatë fjalët e Shëlbuesit mbi kryq”.
Ja edhe fjalët:
Kryqëzuesve: “Fali, o Atë se nuk dinë ç’ bëjnë!”.
Nënës dhe nxënësit të tij më të dashur, Gjonit: ‘Grua, qe yt bir!’; “Qe nëna jote”.
Keqbërësit të penduar, ndoshta ndonjë kryengritës kundër Romës, gozhduar përkrah tij: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në Parajsë”.
Pastaj: “Elì Elì, lemà sabachtani?” -që do të thotë: “Hyji im, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje?”.
E akoma: “Kam etje”.
Së fundi: “Gjithçka u krye” dhe “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim”.
Të gjitha këto fjalë meritojnë një studim tepër të kujdesshëm, siç është bërë në ekzegjezë. Ne mjaftohemi të shënojmë se ato zbulojnë gamën e larmishme të ndjenjave të Jezusit e të temave teologjike që përmblidhen në këto fraza të shkurtra, herë të pëshpëritua e herë të klithura.
Nga njëra anë realizmi i kryqëzimit për Ungjijtë është provë e fuqishme e mishërimit te Hyjit: Krishti vuan pikërisht si çdo njeri.
Tek “Krishti në kryq”, Borges na e përshkruan kështu Jezusin: “Mjekrra e zezë i varet mbi kraharor./ Fytyra e tij s’është fytyra e piktorëve. / Është e rreptë fytyra e tij, fytyrë hebreu. / Po unë atë nuk e shoh./ Vijoj, prandaj, me ankth ta kërkoj/ deri atë ditë, / kur hapat e mi të heshtin mbi tokë”.
Nga ana tjetër, të gjithë mbeten të prekur thellë në shpirt nga heshtja e Atit qiellor. Shën Luka, siç dihet, e zbut këtë mungesë pikëlluese me një lutje plot besim që del nga buzët e shkrumbuara të Jezusit, kur thotë fjalën e shtatë e të fundit.
Por Mishërimi duhet parë edhe si kalim përmes errësirë shpirtërore, përmes përvojës së Jobit, figurë biblike që shpesh lexohet me sy kristologjik. Këtë mendon e shpreh Turoldo në një nga ‘Këngët e fundit’: “Jo, të besosh në Pashkët / s’është fe e vërtetë: / tepër mirë ndjehesh për Pashkë./ Feja e vërtetë / Është tek e Premtja e Madhe!”
“Judenjtë kërkojnë shenja, grekët, dije: ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, shkandull për judenjtë, marrëzi për paganët”. Pali, duke u shkruar Korintianëve (I, 1, 22-23) me shprehje lapidare vë në qendër të krishterimit Krishtin e Kryqëzuar, ashtu si është edhe në qendër të Kishave e të një numri të jashtëzakonshëm ikonash. Që të bindesh për këtë, mjafton të soditësh ‘Të Kryqëzuarin’ e Mathias Grynevald në muzeun alsasian të Kolmarit “kryevepër në të cilën gjen shprehjen e vet më të thellë ankthi i pafund i shpirtit” siç shkruan në ‘Atje’ (dmth në Kalvar)(1891) Joris-Karl Huismans.
Ne po zgjedhim një figurë që i përmbledh të gjitha të tjerat: figurën që e gjejmë te Gjoni Ungjilltar: shporimin me heshtë të kraharorit të Krishtit, prej nga del gjak e ujë: Për ungjilltarin, uji është simbol i tempullit të ri hyjnor, në të cilin hyhet për t’u larë me ujin e pagëzimit e për të pirë gjakun eukaristik. Uji e gjaku janë Shpirti që do t’i japë jetë njerëzimit të vdekur e mëkatar.
Historia e rikujtimit të Mundimeve të Zotit, duke përsëritur skenat tragjike të së Premtes së Madhe, është shumë e lashtë. Nis që në shekullin XII, kur kryqtarët dhe shtegtarët që ktheheshin nga Toka Shenjte, të tronditur nga ç’kishin parë e kishin dëgjuar, nisën të rikrijojnë në lutje skena të gjalla nga orët e fundit tokësore të Jezusit. Në shekullin XIV, dominikani spanjoll Alvaro di Kordoba e organizoi këtë kremtim kaq dramatik kishtar në 6 stacione apo pushime. Por apostulli i vërtetë i Udhës së Kryqit është Shenjti françeskan Leonardo di Porto Mauricio (1676-1751), predikatar i famshëm në të gjithë Italinë. Nën ndikimin e tij u ngritën 572 Udhë Kryqi, e edhe kjo e Koloseut në Romë, ku sonte Papa kremton së bashku me besimtarët e ardhur nga mbarë bota.

O Zot, Jezus,
mundimet tua
janë historia e mbarë njerëzimit:
ajo histori në të cilën të mirët poshtërohen,
të butët... kërcënohen,
të ndershmit… shtypen
e ata që e kanë zemrën e pastër, vihen keqas në lojë.

Kush do të jetë fitimtari?
Kush do ta thotë fjalën e fundit?

O Zot Jezus,
ne besojmë se Ti je fjala e fundit:
në Ty të mirët tashmë kanë fituar,
në Ty të butët kanë ngadhënjyer tashmë,
në Ty të ndershmit kurorëzohen
e zemërpastrit ndrisin si yjet nëpër natë.

O Zot Jezus,
sonte po përshkojmë udhën e kryqit tënd,
duke e ditur mirë se është edhe udha jonë.
Por një bindje na ndrit:
udha nuk mbaron mbi kryq,
udha vijon,
shkon në Mbretërinë e Jetës
e në shpërthimin e Gëzimit
që më askush s’do të mund të na e rrëmbejë!

O Jezus, ndalohem mendueshëm
tek këmbët e kryqit tënd:
‘E kam ndërtuar edhe unë me mëkatet e mia!
Mirësia jote, që nuk mbrohet
e pranon të kryqëzohet
është mister që i kalon kufijtë e kuptimit tim
e më prekë thellësisht.

O Zot, ke ardhur në botë për mua,
për të më kërkuar, për të më prirë
drejt përqafimit të Atit:
përqafimit që më mungon!

Ti je Fytyra e mirësisë
e e mëshirës;
prandaj dëshiron të më shpëtosh!

Në shpirtin tim ka tepër egoizëm:
eja me dhëmbshurinë tënde të pafund!
Në shpirtin tim ka mburrje e ligësi,
eja me butësinë e përvujtërinë tënde!

O Zot, jam unë mëkatari që shpëtimin pret,
Jam djali plangprishës që duhet të kthehet!
O Zot ma fal dhantinë e lotëve ndër sy,
Për të gjetur lirinë e jetën
Paqen me Ty e gëzimin me Ty.

O Zot, Jezus,
mundimet tua
janë historia e mbarë njerëzimit:
ajo histori në të cilën të mirët poshtërohen,
të butët... kërcënohen,
të ndershmit… shtypen
e ata që e kanë zemrën e pastër, vihen keqas në lojë.

Kush do të jetë fitimtari?
Kush do ta thotë fjalën e fundit?

O Zot Jezus,
ne besojmë se Ti je fjala e fundit:
në Ty të mirët tashmë kanë fituar,
në Ty të butët kanë ngadhënjyer tashmë,
në Ty të ndershmit kurorëzohen
e zemërpastrit ndrisin si yjet nëpër natë.

O Zot Jezus,
sonte po përshkojmë udhën e kryqit tënd,
duke e ditur mirë se është edhe udha jonë.
Por një bindje na ndrit:
udha nuk mbaron mbi kryq,
udha vijon,
shkon në Mbretërinë e Jetës
e në shpërthimin e Gëzimit
që më askush s’do të mund të na e rrëmbejë!

O Jezus, ndalohem mendueshëm
tek këmbët e kryqit tënd:
‘E kam ndërtuar edhe unë me mëkatet e mia!
Mirësia jote, që nuk mbrohet
e pranon të kryqëzohet
është mister që i kalon kufijtë e kuptimit tim
e më prekë thellësisht.

O Zot, ke ardhur në botë për mua,
për të më kërkuar, për të më prirë
drejt përqafimit të Atit:
përqafimit që më mungon!

Ti je Fytyra e mirësisë
e e mëshirës;
prandaj dëshiron të më shpëtosh!

Në shpirtin tim ka tepër egoizëm:
eja me dhëmbshurinë tënde të pafund!
Në shpirtin tim ka mburrje e ligësi,
eja me butësinë e përvujtërinë tënde!

O Zot, jam unë mëkatari që shpëtimin pret,
Jam djali plangprishës që duhet të kthehet!
O Zot ma fal dhantinë e lotëve ndër sy,
Për të gjetur lirinë e jetën
Paqen me Ty e gëzimin me Ty.

O Zot Jezus,
e Premtja e Madhe është ditë e errët,
ditë e urrejtjes pa arsye,
ditë e vrasjes së të Drejtit!
Po e Premtja e Madhe s’është fjala e fundit:
fjala e fundme
është drita që rindizet
dashuria që fiton mbi çdo urrejtje.

O Zot Jezus,
në sa jetojmë të premten tonë të madhe,
e në të rijeton ankthi i të gjitha të premteve të mëdha,
na jep fenë guximtare të Marisë
për të besuar në vertetësinë e Pashkëve;
na jep vështrimin e saj të kthjelltë,
për të parë vezullimet
që kumtojnë ditën e fundit të historisë:
“Një qiell të ri e një tokë të re”,
që nisin në Ty,
o Jezus i Kryqëzuar e i Ngjallur! Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.