Udha e Kryqit në gjurmët e martirëve të komunizmit në Shqipëri (1946-1990)
Ndalesa
e parë Nga një letër e Dom Shtjefën Kurtit, e datës 16.10.1946, drejtuar
Atit të Shenjtë Papa Piut XII (Famullitar i Tiranës. U arrestua dy herë. Herën e parë
në Tiranë më 28.10.1946 dhe u dënua me 20 vjet burg, prej të cilëve bëri 17, i mbyllur
në burgun e Burrelit. Herën e dytë u arrestua në Gurëz në vitin 1970, u burgos dhe
një vit më vonë u pushkatua).
“Atë shumë i Shenjtë, […] Radhët e martirëve
shtohet çdo ditë; në burgje praktikohen tortura të tmerrshme ndaj të gjithëve pa dallim;
mijëra burra, gra, pleq e fëmijë të zhveshur lakuriq dhe të uritur, internohen në
kampe përqendrimi, në vendet më të izoluara dhe më të rrezikshme, në shtëpi pa dyer
dhe pa dritare, të shtrënguar që të bëjnë punë të rënda, gjithë ditën, vetëm për një
copë bukë. Më qëllim që të burgosurit të dobësohen fizikisht dhe të lëngojnë për shkak
të shterimit të fuqive dhe të tuberkulozit, me një vendim të kohëve të fundit u është
ndaluar familjeve t’u sjellin atyre ushqime. Shenjtëri, do të kisha për të të thënë
edhe shumë gjëra të tjera, por duhet të kufizohem duke hedhur shpesh e shpejt këto
rreshta prej frikës se mos më kapin duke i shkruar. Duke u përulur në këmbët e
Shenjtërisë Suaj, me përvujtëri kërkoj bekimin Tuaj atëror dhe apostolik për mua,
për krejt klerin, për mbarë popullin, me qëllim që të luftojmë, pa e lëshuar veten,
për fenë tonë”.
Ndalesa e dytë Nga dëshmia e Atë Anton Lulit
(Jezuit; bashkëkohës i Gjon Palit II, i mbijetoi komunizmit dhe bëri një dëshmi
në Shën Pjetër me rastin e 50 vjetorit të meshtarisë që festonte me Papën. Vdiq në
vitin 1998).
“Në dhomat e Sigurimit torturat morale dhe fizike ishin të tmerrshme
dhe të padurueshme. Në burgun ku isha unë ndodheshin, me mua, edhe dy meshtarë
të tjerë, të cilët i njihja mjaft mirë. Ata u rezistuan vetëm pak ditë torturave.
I dëgjoja tek kërkonin ndihmë, kërkonin ujë për të pirë, por askush nuk u jepte. I
pari, Dom Aleksandër Sirdani, rezistoi tri ditë. Të dytin, Dom Pjetër Çunin, i
ri në moshë, e torturuan me rrymë elektrike. Unë isha i lodhur prej jetës dhe dëshiroja
të vdisja. Kur policët më shoqëronin u thoja atyre se do t’u isha mirënjohës nëse
do të më goditnin me një plumb mu në lule të ballit për t’i dhënë kështu fund vuajtjeve
të mia të tmerrshme”.
Ndalesa e tretë Nga dëshmia e Imzot Frano
Illisë (U mbijetoi përndjekjeve, sepse dënimi i tij me vdekje, së bashku me Atë
Giovanni Faustin s.j. dhe Atë Daniel Dajanin s.j., iu kthye në burg të përjetshëm
dhe punë të detyruar. U emërua Ipeshkëv i Shkodrës dhe u shugurua nga Papa Gjon Pali
II gjatë vizitës së Tij në Shqipëri më 25 prill 1993. Vdiq në vitin 1998).
“Ishim
kaq të lodhur, kaq të dobësuar dhe kishim kaq shumë vuajtje materiale e shpirtërore,
sa tashmë, gjatë marrjes në pyetje, nuk dinim më ç’të thonim. Ishim të detyruar
të përgjigjeshim: - Po, po, mirë! - Pranonim me sy mbyllur atë që ata thonin. Gjykatësi,
emri i të cilit nuk më kujtohet, ishte një njeri shumë arrogant dhe i ashpër. Na fuste
frikën dhe bërtiste me të madhe: - Ju jeni armiq të popullit! -. Thonin se ishim
spiunë të Vatikanit. Me këto akuza më dënuan me vdekje”.
Ndalesa e katërt Nga
një dëshmi e Dom Josef Marxen (Meshtar me kombësi gjermane, lindi në vitin 1906
në Provincën e Këlnit, misionar në Shqipëri. U arrestua dhe u vra në moshën 40 vjeçare).
Arrestuar
në vitin 1946 nga regjimi, sepse ishte prift dhe, për më shumë, i huaj, Dom Josef
Marxen u mbyll në burgun e Tiranës. Iu nënshtrua torturave çnjerëzore, u pushkatua
me akuzën se ishte një agjent i Gestapos. Një shok i tij i burgut, i cili u mbijetoi
përndjekjeve, tregon: “Të gjithëve ne që e kemi njohur na vjen shumë keq për atë njeri.
Jo vetëm sepse ishte i ri në moshë, por sepse ishte shumë serioz dhe i mëshirshëm.
Nuk hezitonte të ndihmonte çdo të sëmurë dhe racionin e vet të ushqimit e ndante me
të burgosurit, që kishin më shumë nevojë. Ky njeri gëzonte respektin e të gjithëve.
Nëna e tij në Gjermaninë e largët priste për vite të tëra djalin e vet meshtar, por
nuk i shkonte ndër mend se ia kishin pushkatuar, edhe pse nuk i kishte bërë keq askujt.
Kishte ardhur të shërbente në Shqipëri dhe e vranë pa gjyq. Ditët e fundit të
jetës i thoshte një shokut të vet të qelisë: - Jam i gëzuar që po vdes, sepse shqiptarët
do të më kujtojnë gjithmonë si meshtar të fesë së Krishtit! -”.
Ndalesa
e pestë Nga një dëshmi mbi Dom Ndre Zadejës (Lindi në Shkodër në vitin
1891, studioi në Itali dhe Austri. U shugurua meshtar në vitin 1916, më pas u emërua
famullitar në Sheldi. Njihet si orator i madh, Dom Zadeja qe edhe shkrimtar, poet
dhe dramaturg. Akuzohet se në homelitë e veta ka folur kundër ardhjes së komunizmit,
u arrestua dhe më pas u pushkatua më 25 mars 1945, të Dielën e Larit).
Më 25
mars 1945 Dom Ndre Zadeja, së bashku me 13 shokë të tjerë, u nxorrën nga burgu për
t’u çuar drejt vendit të ekzekutimit. Të gjithë të burgosurit ishin të frikësuar.
Shokët e tij meshtarë, para se të dilte, i dhanë bekimin nëpërmjet derës së vogël
të burgut. Dom Zadeja u gjunjëzua së bashku me të gjithë të tjerët. Në vendin e ekzekutimit,
pas varrezave katolike të Shkodrës, iu afrua Dom Tom Lacaj për t’i dhënë zgjidhjen
e fundit të mëkateve. Dom Zadeja e falënderoi atë me këto fjalë: “Të falënderoj që
ke ardhur këtu për të m’i lehtësuar vuajtjet”. Pas pak çastesh, qyteti i Shkodrës
dëgjoi krismat e mitralozit që shtrinë përtokë 14 vetë.
Ndalesa e gjashtë Nga
dëshmia e Atë Zef Pllumit, o.f.m. (Lindi në Lezhë në vitin 1924 dhe vdiq në vitin
2007. Njeri me kulturë të gjerë, u mbijetoi përndjekjeve pasi bëri 25 vjet burg dhe
punë të detyruar).
“Me rastin e Pashkëve të vitit 1949 në qelinë time nr. 7
ndodhi një ngjarje tejet e gëzueshme. Krishti erdhi për të na forcuar në fe! Ja
çfarë ndodhi. Atë Leon Kabashi, frat minor, i kërkoi një palë papuçe të motrës,
Rozës, e cila kishte ardhur për ta takuar. Mundi t’i thoshte: “Përpiqu që në papuçe
të na futësh dhuratën e Pashkëve!”. Policët dhe spiunët që i dëgjuan këto fjalë
nuk e kuptuar se ai po i kërkonte të motrës oste të shuguruara, për kungim. Për Pashkë
Atë Leoni arriti ta takonte Rozën, e cila i solli papuçet. I hapëm fshehtas: brenda
tyre ndodhej një korporal me 50 oste! Rashë në gjunjë. M’u kujtua Shën Tarcizi,
martir i kungimit në kohën e katakombeve… O Qengji i Hyjit, Ti që shlyen mëkatet
e botës, ki mëshirë për ne! Po përsëriteshin në shek. XX po ato skena që kishin
ndodhur në katakombet romake”.
Ndalesa e shtatë Nga një dëshmi
mbi Dom Pjetër Çunin (Lindi në Shkodër në vitin 1914, studioi në Romë dhe u shugurua
meshtar, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në vitin 1940. Pasi u kthye në Shqipëri, u emërua
famullitar në Shkrel e Rrjoll, ku u dallua për përkujdesje dhe përkushtim në shërbimin
e tij baritor dhe për marrëdhëniet dashamirëse me të gjithë. Dha një kontribut të
çmuar për revistën dioqezane “Kumbona e së Djeles” dhe bëri përkthime të ndryshme,
falë njohjes së tij shumë të mirë të gjuhës italiane. Ende famullitar i ri, në korrik
të vitit 1948, u arrestua pa akuzë dhe pa gjyq dhe pesë muaj më vonë u pushkatua).
Një
kushëri i tij tregon: “Dom Pjetri kishte kohë që po përgatitej për ta pranuar Kalvarin
e vet. Flisnim për vendime, dënime e pushkatime, që shtoheshin dita-ditës. Më tha:
- Më duket se Krishti ka vendosur që unë të jem ndër të fundit! -. Jo shumë kohë
pas këtij takimi në shtëpinë time, Krishti vendosi ta thërriste për t’i bërë dëshmi:
ishte korriku i vitit 1948. Në fakt, një mëngjes, një i Sigurimit e ndali në rrugë
duke e pyetur se kush ishte, edhe pse e dinte shumë mirë se kush ishte. Ai e kuptoi
se kishte ardhur koha. Atë ditë u nis me biçikletë për në Koplik, kryeqendra e zonës
së famullisë së tij. E ndaluan dhe e arrestuan pa asnjë shkak e motiv. E lidhën dhe
e çuan në Koplik. Këtu, së bashku me Dom Aleksandër Sirdanin, i lidhën dhe i hipën
mbi dy gomerë. I shëtitën kështu nëpër të gjithë qytetin, ndërsa i fyenin dhe i akuzonin
pareshtur.
Ndalesa e tetë Nga një dëshmi mbi Marie Tucin (Lindi
në vitin 1928. Studioi në Shkodër pranë Institutit të Motrave Stigmatine, tek të cilat
hyri si aspirante. Guximtare dhe e fortë në bindjet e veta fetare, me ardhjen e komunizmit
mori pjesë në grupin klandestin të rezistencës, së bashku me shumë të rinj të shkollave
katolike, si edhe me disa seminaristë. Shumë e bukur për nga pamja, i bëri ballë dhunës
që donin të ushtronin kundër saj në burg. Për këtë arsye e torturuan tmerrësisht,
sa u detyruan ta shtronin në spital, ku vdiq më 24 tetor 1950).
Më 10 gusht
1949 Marie Tuci u arrestua së bashku me familjarë të tjerë dhe u burgos për një vit
në Shkodër. Në burg i nënshtrohej shpesh marrjeve në pyetje dhe rrahjeve mizore.
Burgu i saj ishte një vrimë pa dritë dhe pa ajër. Një herë në muaj, me anë të një
miku të vet, mund të merrte vetëm një komplet ndërresash, që ia çonte e ëma, të cilat
i ndante me shoqen e vet të qelisë. Një dëshmitare tregon se ditëve shumë të ftohta
të dimrit rrinin të përqafuara për t’u ngrohur sado pak. Ndërsa kur binte shi, uji
arrinte deri tek dysheku, i cili rrinte i lagur për ditë të tëra. Kur e çuan në
spital në gjendje shumë të rëndë, përpara se të vdiste i tha Davidës, shoqes së vet,
e cila kishte shkuar për ta parë: - Dolën fjalët e Hilmi Seitit (përndjekësi i saj):
Do të të bëj në atë mënyrë sa as familjarët e tu mos të të njohin!... Falënderoj Hyjin
që po vdes e lirë! -.
Ndalesa e nëntë Nga një dëshmi mbi Atë Giovanni
Faustin (Jezuit, lindi në Brescia (IT) në vitin 1899. U diplomua në teologji dhe
filozofi. Në vitin 1929 u dërguar në Shkodër si profesor në Seminar. U detyrua të
kthehej në atdhe në vitin 1932 për arsye shëndetësore; dhjetë vjet më vonë u rikthye
në Shqipëri si rektor i Seminarit Papnor të Shkodrës. U arrestua më 31 dhjetor 1945
së bashku me Atë Daniel Dajanin s.j.. Të dy u akuzuan se kishin ndihmuar për formimin
e një grupi rezistence kundër komunizmit, brenda në Seminar. U dënuan me vdekje dhe
u pushkatuan më 4 mars 1946).
Një hollësi mjaft mallëngjyese na sjell në kujtesë
diçka prej Mundimeve të Krishtit. Duke kaluar nga burgu për në gjykatë, Atë Faustin
e shanin, e poshtëronin dhe e pështynin. Një gjë e tillë u përsërit për shumë ditë
radhazi, aq ditë sa zgjati edhe procesi. Një ditë ndërsa po bënin këtë rrugë, një
grua u shkëput nga turma: sytë i kishte të skuqur nga gjaku dhe flokët e pakrehura.
Papritmas ajo u doli përpara atyre dhe me një zë të çjerrur prej zemërimit klithi:
- Plumb ballit! -. Dhe me gojën e saj të pistë pështyu mbi fytyrën e Atë Faustit.
Por Atë Fausti ishte shpirtmadh. Iu përgjigj duke e përshëndetur me kokë dhe, duke
ndjekur shembullin e mësuesit hyjnor, tha: - “Fale, o Atë, se nuk e di se çfarë po
bën”.
Ndalesa e dhjetë Nga një dëshmi mbi Dom Dedë Maçajn (Lindi
në vitin 1920. Meshtar i ri dioqezan, i plotësoi studimet e teologjisë në Romë. U
kthye në Shkodër, shërbeu si famullitar në Rragam e Sheldi, ku pak më parë kishte
qenë Dom Ndre Zadeja. U arrestua në vitin 1947. Me një gjyq-farsë, u dënua dhe u pushkatua,
duke pësuar të njëjtin fat si shokët e vet meshtarë).
“E larguan nga salla
e gjyqit. Gjykata mori një vendim pa apelim. Dënim me vdekje dhe ekzekutim të menjëhershëm,
po në atë vend. I kërkuan të shprehte dëshirën e fundit. Tha: - S’kam asgjë për të
thënë përveç asaj që e dini edhe ju, që jeni duke më dënuar pa faj -. E çuan jashtë
zonës ushtarake në një lëndinë pranë Vjosës. I hoqën petkat, siç bënë me Jezusin në
Golgotë, dhe një skuadër qitësish qëlloi mbi të. Por ai nuk ra përtokë. Qëlluan
përsëri mbi të dhe përsëri Dom Deda qëndroi në këmbë. Xhelati, i tërbuar nga inati,
prej faktit se nuk kishte mundur ta shtrinte për tokë me një të goditur të vetme atë
vigan, dha urdhër që të qëllonin për të tretën herë. Por këtë herë ai nuk arriti të
qëndronte! U rrëzua dhe përshëndeti tokën nënë, e cila u skuq me gjakun e tij”.
Ndalesa
e njëmbëdhjetë Nga një dëshmi mbi Dom Anton Muzajn (Lindi në vitin 1919,
studioi pranë Seminarit Papnor të Shkodrës. I përfundoi studimet e teologjisë në Romë.
Në vitin 1946 u kthye në Shkodër, në kohën kur përndjekja komuniste kishte filluar.
U arrestua në vitin 1947, me akuzën se kishte qenë spiun i Vatikanit. Vdiq në moshën
29 vjeçare).
Ishte tetori i vitit 1947 kur Dom Anton Muzaj dhe Atë Frano Kiri
u arrestuan dhe iu nënshtruan torturave më të tmerrshme. I detyronin të qëndronin
në këmbë, me majën e hundës të mbështetur tek muri, të lidhur duar e këmbë, për ditë
e netë të tëra, ndërsa etja ua shtonte edhe më shumë vuajtjet. Çdo ditë, dy të burgosur,
me radhë, lanin dyshemenë e korridorit të burgut, shpesh të lagur me gjak. Dom Antoni
u kërkoi atyre që të mos e thanin krejt ujin, që të mund të pinte pak prej tij. Menjëherë
i hodhën përtokë për të lëpirë si qentë ndonjë pikë ujë që mund të kishte mbetur në
atë dysheme të lagur. Kishte shkuar deri në atë pikë sa nuk mund të qëndronte më
në këmbë dhe për këtë arsye rrahej edhe më shumë. Shpesh i hidhnin përsipër kova uji
të ngrirë dhe e vendosnin mes dyerve dhe dritareve, në rrymat e akullta të muajve
dimërorë. U sëmur rëndë nga tuberkulozi. Pas procesit, gjyqtarët duke parë gjendjen
e tij shëndetësore e kuptuan se nuk kishte veçse pak muaj jetë. Për këtë arsye nuk
e dënuan me vdekje. Shokëve të tij të burgut u tha: - Nëse një ditë do t’i shihni
familjarët e mi, thoni atyre që jam krejt i pafajshëm dhe se po vdes për fenë time
në Krishtin -.
Ndalesa e dymbëdhjetë Nga një dëshmi mbi Dom Mikel
Beltojën (I ndihmuar nga Imzot Ernest Çoba, studioi filozofi e teologji. U shugurua
meshtar në Shkodër në vitin 1961, ndërsa regjimi po shkatërronte plotësisht Kishën
katolike dhe strukturat e saj. Më 19 prill 1973 u arrestua dhe u torturua për katër
muaj rresht. Gjatë procesit, ku do të dënohet me vdekje, Dom Mikeli nuk pati frikë
të fliste deri në fund kundër komunizmit, armik i betuar i fesë dhe i kombit. Do ta
paguajë, në fakt, me jetën e vet faktin se kishte folur me pasion dhe vendosmëri duke
mbrojtur klerin dhe të gjithë intelektualët, që regjimi i kishte zhdukur tashmë me
egërsinë e vet).
Disa dëshmitarë okularë tregojnë se Dom Mikeli ishte një “ushtar”
i vërtetë i Krishtit: i guximshëm dhe i zellshëm për çështjen e Hyjit, i vendosur
dhe i patëmetë, i gatshëm për gjithçka veç për t’i shërbyer Krishtit dhe vëllezërve. Për
këtë arsye komunistët e përgjonin dhe e ruanin vazhdimisht atë. Një ditë agjentët
e Sigurimit hynë në shtëpinë e tij dhe bënë një kontroll të hollësishëm. Morën gjithçka
gjetën: petkat e Meshës, librat liturgjikë, foguret dhe objektet e tjera të shenjta.
Pastaj i dolën përpara dhe e arrestuan përpara kishës së Beltojës, që në atë kohë
e kishin kthyer në një qendër kulture. E futën me dhunë në makinë! Ai me qetësi
përshëndeti ata që ishin aty të pranishëm..., por të gjithë patën frikë t’i përgjigjeshin
dhe e shoqëruan vetëm me sy. Shtëpia e tij u ruajt me roje të armatosura, të cilët,
pasi morën gjithçka, mblodhën popullin duke e detyruar atë që ta akuzonte Dom Mikelin
si armik të popullit dhe si reaksionar.
Ndalesa e trembëdhjetë Nga
një dëshmi mbi Atë Serafin Kodën, o.f.m. (Lindi në vitin 1893. Hyri në Urdhrin
e Fretërve Minorë në vitin 1909. Pasi u shugurua meshtar, në vitin 1915 u bë definitor
provincial dhe famullitar i fshatrave të ndryshëm. Ishte famullitar në Lezhë kur u
arrestua dhe u torturua në mënyrë çnjerëzore për një akuzë të rreme komploti, pasi
kishte marrë pjesë në një mbledhje të Provincës Françeskane. Vdiq më 11 maj 1947 në
moshën 54 vjeçare).
Atë Serafini, njeri shumë i mirë dhe i kujdesshëm, prej
të gjithëve vlerësohej për urtinë dhe guximin e tij, ishte i palodhur në misionin
e vet si meshtar e famullitar. I kryente shërbesat fetare pa pasur frikë prej asgjëje
dhe prej askujt. U arrestua ne kuvendin françeskan të Lezhës nga forcat e Sigurimit:
ishte dita e emrit të tij, 12 tetor 1946. U mbajt i burgosur në stallën e kuvendit,
marrë nga regjimi dhe kthyer në spital. E torturuan duke e futur në një fuçi me
ujë deri në fyt. Ia ngulën aq shumë thonjtë në fyt sa ia shqyen gurmazin. Ai që u
gjend afër tij, tregon se ndërsa po e çonin nga burgu për në infermieri – gjithmonë
brenda kuvendit – Atë Serafini iu drejtua Zojës me këtë lutje: - O Zojë, bëje shpejt
punën tënde! -.
Ndalesa e katërmbëdhjetë Nga një dëshmi mbi Dom
Aleksandër Sirdanin (Lindi në Shkodër në vitin 1892, shumë shpejt mbeti jetim
nga nëna. Studioi në Shkodër pranë Kolegjit Saverian të Jezuitëve dhe i vazhdoi studimet
e teologjisë në Austri. U shugurua meshtar në vitin 1916, shërbeu si famullitar në
fshatra të ndryshëm të dioqezës së Shkodrës. Njeri lutjeje dhe punëtor paqeje, ndërhynte
në situata mosmarrëveshjeje dhe hakmarrjeje mes familjeve. U dallua për urtinë dhe
fisnikërinë e tij të shpirtit. Në vitin 1948 u arrestua dhe u çua në Koplik. Iu
nënshtrua torturave çnjerëzore për pesë muaj, u vra së bashku me Dom Pjetër Çunin).
Njeri
i gojës, Dom Aleksandri ishte shumë i qartë në predikimet e veta. Me fjalë të thjeshta
dhe të kuptueshme prej të gjithëve, përçonte mësimet e urtisë së krishterë, dhe, pa
iu trembur asgjëje dhe askujt, hidhte poshtë teoritë materialiste dhe ia nxirrte bojën,
përpara të gjithëve, ideve antikristiane të komunizmit ateist. Përsëriste me zë të
lartë dhe të vendosur se vetëm aty ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria! Disa
dëshmitarë tregojnë se një ditë, pas predikimit të tij, persona në shërbim të regjimit
e nxorrën jashtë, afër një kryqi dhe me zemërim të madh e kritikuan me fjalë të ulëta
dhe e kërcënuan përpara popullit. Dom Aleksandri, me qetësinë e vet të zakonshme,
tha: - Më godisni. Ja ku jam. Unë e jap jetën për Krishtin! -. Atëherë dikush
iu lut: - Jo, Dom Aleksandër, sepse kështu po na shkatërron ne dhe veten tënde! -.
Dhe ai iu përgjigj: - Është nder për mua dhe për ju ta dëshmojmë Krishtin. Unë
kam predikuar dhe do të predikoj vetëm fenë e Krishtit! -.
Nën kujdesin
e Murgeshave Klarise Manastiri “Sh. Kjara” Shkodër - 2009