2012-04-06 07:59:50

Papa: Zoti nuk na braktis kurrë; si Krishti mbi kryq, t’ia besojmë Atij dhimbjen tonë.


Lutja e Jezusit para vdekjes, ishte në qendër të katekizmit të Benediktit XVI gjatë audiencës së përgjithshme të 8 shkurtit 2012, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan.
Sipas shembullit të Krishtit, “para situatave më të vështira e të dhimbshme, atëherë kur duket se Zoti nuk dëgjon, nuk duhet të kemi frikë t’ia besojmë Atij peshën që bartim në zemrën tonë”. Këto janë fjalët e Papës shqiptuar në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Vatikan. Çdo njeri, që ecën në udhët e vështira të jetës, e njeh mirë dhimbjen. Në shpirt e në trup të vet, apo të njerëzve, që i do. I njeh mirë edhe situatat e dhimbshme, në të cilat i duket se Zoti nuk ia kupton vuajtjen e nuk ia dëgjon britmën. I duket, por nuk është ashtu! Zoti është pranë përherë, Zoti na dëgjon gjithnjë. Nuk duhet të kemi frikë, e as të ndjehemi të vetmuar, të braktisur nga toka e nga qielli. Në situata të tilla, duhet t’ia besojmë Atij gjithë barrën e dhimbjes e të ankthit të zemrës sonë të brishtë. T’ia besojmë zemrës së tij, zemrën tonë. Kështu u shpreh mes tjerash Papa Ratcinger gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur më 8 shkurt 2012 në Sallën e Palit VI në Vatikan, kushtuar lutjes së Jezusit para vdekjes.
Benedikti XVI foli për çastet e fundme të jetës tokësore të Krishtit, për gjashtë orët e tmerrshme të Zotit mbi kryq. Duke u nisur nga këto orë, propozoi një reflektim mbi errësirën e këtyre çasteve e mbi britmën e Krishtit: “Zoti im, Zoti im, pse më braktise?”, që çdo besimtar e përsërit në orët e ankthit: ashtu si Krishti, ose me një ndryshim të vogël, shenjë shprese e ngushëllimi: “Zoti im, Zoti, im, mos më lësho dore!”.
Papa u ndalua tek lutja e Jezusit në prag të vdekjes, përshkruar nga dy ungjilltarë, Marku e Mateu, si në greqisht, gjuhë në të cilën u shkrua rrëfimi i tyre, ashtu edhe në një përzierje të hebraishtes me aramajkishten, për të bërë që të kumbojë në shekuj jo vetëm përmbajtja, por edhe tingëllimi rrënëqethës i kësaj lutjeje të fundme, që doli nga buzët e shkrumbuara prej uthullës, të Jezusit: “Eloì, Eloì, lemà sabactàni?”. Krishti ishte i rrethuar me njerëz që e tallnin, që ndiqnin me cinizëm shfaqjen makabre, që nuk mundeshin e as nuk donin ta kuptonin lutjen e Tij, shpjegoi Papa. I duket, prandaj, sikur zhytet në një errësirë të thellë, që dyndet jo vetëm mbi të, por edhe mbi gjithë botën. Atëherë britma e tij gris tisin e territ.
Lutja e të Kryqëzuarit tregon se njëherësh me peshën e vuajtjes e të vdekjes, të braktisjes e të mungesës së Zotit, Ai e ndjen praninë e Atit. Ati është aty, është pranë, e miraton aktin më të lartë të dashurisë, të dhurimit të plotë të vetvetes, ndonëse nuk dëgjohet, si në çaste të tjera, zëri i Tij, që vjen nga lart. Në orët e ankthit, lutja kthehet në britmë. E kështu na ndodh edhe ne. Në orët e vuajtjes e të dhimbjes, lutja jonë drejtuar Zotit bëhet britmë, në përpjekjen e dëshpëruar për t’u kapur deri në kupë të qiellit:
“Para situatave më të vështira e më të dhimbshme, kur duket se Zoti hesht, nuk duhet të trembemi, por ta lëshojmë në dorë të tij gjithë peshën ndrydhëse të zemrës sonë; nuk duhet të kemi frikë, por ta bërtasim në kupë të qiellit dhimbjen, që Zoti të na e dëgjojë lutjen”.
Kur të gjithë e braktisin, kur e rrahin dhe e poshtërojnë, Jezusi lutet, me bindjen e plotë se Ati është pranë, edhe në këtë orë, mbi të cilën peshon gjithë tragjedia njerëzore e vdekjes, e vdekjeve:
“Eshtë me rëndësi të kuptohet se britma e Jezusit nuk është britma e njeriut, që shkon i dëshpëruar e shpresëhumbur drejt vdekjes, e as britma e atij, që beson se është krejtësisht i braktisur. Jezusi, në këtë çast, bën të vetin Psalmin 22, Psalm i popullit të Izraelit, që vuan, e kështu merr mbi vete jo vetëm vuajtjen e popullit të vet, por edhe atë të të gjithë njerëzve, që shkelen nën thundrën e së keqes e, njëkohësisht, e çon gjithë këtë dhimbje, të pakufishme, në zemrën e vetë Zotit, i sigurt se britma e tij do të dëgjohet në ringjallje: “Britma e dhimbjes së fundme shkëputet nga kraharori me bindjen e plotë se përgjigjja e Zotit nuk do të mungojë, se shpëtimi është afër, e jo vetëm për Jezusin, por për shumëkënd”.
Në lutjen e Krishtit ndjehet fuqimisht besimi e lëshimi i plotë në dorë të Zotit, edhe kur duket se Ai mungon, hesht, duke ndjekur një plan krejt të pakuptueshëm për ne, të vdekshmit. Jezusi nuk vuan vetëm. Vuan me ne e për ne. Vuajtja e Tij buron nga dashuria e mbart në vetvete shëlbimin, fitoren e dashurisë mbi vdekjen. Në çastin e fundit, zemra e shporuar e Jezusit nuk mund të mos e ndjejë dhimbjen, por ndjen njëkohësisht, edhe sigurinë, që buron nga prania e Atit e edhe nga miratimi i planit të Tij, shpëtimtar për mbarë njerëzimin:
“Edhe ne e dimë mirë ç’do të thotë ‘e sotme’ e vuajtjes, e heshtjes së Zotit, dhe e shprehim shumë herë në lutje; por e dimë mirë edhe ç’do të thotë ‘e sotme’ e ringjalljes, e përgjigjes së Zotit, që merr mbi vete gjithë barrën e padurueshme të vuajtjeve tona, për t’i mbartur së bashku me ne e për të na ngjallur shpresën se do t’i mundim”.
Kjo ndodh, kujtoi Benedikti XVI, sepse në lutje i çojmë para Zotit kryqet tona të përditshme, me bindjen se Ati Qiellor është pranë nesh e na dëgjon. Këtë koncept Papa e përsëriti edhe në lutjet përfundimtare, shqiptuar, si zakonisht, në gjuhët kryesore të botës e të shtegtarëve të pranishëm në audiencën e përgjithshme të së mërkurës në Sallën e Palit VI, në Vatikan:
“Britma e Jezusit na kujton se nuk duhet të lutemi vetëm për vete, për problemet tona, por edhe për nevojat e vuajtjet e të tjerëve. Urata e Jezusit në grahma mbi kryq na mëson të lutemi me dashuri për shumë vëllezër e motra, që mbartin mbi supe barrën e rëndë të jetës së përditshme, kalojnë çaste të vështira, durojnë dhimbje të padurueshme, nuk i ngushëllon askush. Ta çojmë, përmes lutjes, këtë rektim të zemrës njerëzore, para zemrës së Zotit, që të gjithë ta ndjenë dashurinë e Atij, që nuk të braktis kurrë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.