2012-04-06 16:22:24

Papa dhe e Premtja e Madhe: Jezusi merr mbi vete mundimet e njeriut të të gjitha kohëve.


Kisha, në mbarë botën, sot lutet e reflekton për misterin e Vdekjes së Krishtit. Edhe dita e Benediktit XVI u përqendrua e tëra tek kujtimi i këtij çasti themelor për fenë e krishterë.
Pasdite, në orën 17.00, Papa kryesoi, në Bazilikën e Shën Pjetrit, kremtimin e Mundimeve të Zotit, medituar nga predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Raniero Kantalamesa. Në mbrëmje, pastaj, Benedikti XVI do të shkojë në Koloseum, për të kryesuar, në orën 21.15, ritin e Udhës së Kryqit. Ngjitjes së Krishtit në Kalvar dhe Vdekjes së Tij në kryq, Papa i ka kushtuar një mori reflektimesh. Po kujtojmë vetëm disa.

Tri vjet duke mbjellur në zemër të njerëzve një fjalë të re, të padëgjuar, së cilës nuk i vihet veshi. E pastaj, zhdukja e bujkut. Mësuesit të dashurisë, nxënësit i përgjigjen me urrejtje; njeriut-Zot, me ligësinë më të rafinuar, që mund të fshihet në thellësitë e panjohura, të errëta e të befta të zemrës njerëzore, kur e pushton e keqja. Krishti tradhtohet nga miqtë, sulmohet mizorisht nga kundërshtarët, dorëzohet në duart e xhelatit, në vend të një krimineli, që s’ka lënë gjë pa bërë. I pafajshmi kryqëzohet, që të jetojë fajtori! Hap pas hapi, Jezusi zhvishet nga gjithçka. Me shpejtësi rrufeje. Sa e gjatë ishte rruga e misionit të Tij, aq e shkurtër, rruga e poshtërimit.
Nga arrestimi në Gjetseman, tek gozhdat që ngulen në mish e në nerva, Zoti pëson mundimet, që arrijnë kulmin e dhimbjes, kur, i braktisur nga njerëzit, për një çast, i duket se e ka braktisur edhe qielli:
“Hyji im, Hyji im, pse më braktise? Larg shpëtimit tim janë fjalët e britmës sime. Hyji im, bërtas ditën, e ti nuk më gjegjesh; natën, e për mua s’ka prehje... Jezusi shtypet nën peshën dërmuese të një misioni, që duhet të kalojë nëpër rrugën e poshtërimit e të mohimit” (Audienca e përgjithshme, 14 shtator 2011).
Mbi Kalvar ngjet e pangjara. Tragjedia arrin deri në atë pikë, sa Zoti të braktisë vetveten. Por atje, ku për njeriun do të ishin hapur portat e dëshpërimit më të zi, për Zotin e varur mbi kryq, ndjesia e braktisjes – shpjegon Papa- bëhet braktisje në duart e Atit Qiellor, me sigurinë se Ati ishte e është gjithnjë aty pranë:
“Nga fytyra e këtij “Njeriu të dhimbjeve”, që mbart mbi vete mundimet e njeriut të çdo kohe e të çdo vendi, e edhe mundimet tona, vuajtjet tona, vështirësitë tona, mëkatet tona, “Passio Christi. Passio hominis”- buron një madhështi solemne, një sundim paradoksal” (Meditim për Sindonën, 3 maj 2010).
Është paradoksi i Kryqit! Mbreti përballon armikun e fundit, duke hyrë në strofkën e tij. Tri ditë, për ta mundur, në atë që Benedikti XVI e quan “pushim ndërmjet jetës e vdekjes, i pashoq, i papërsërishëm”. Tri ditë për të fiksuar pikën e moskthimit, të fesë së krishterë, për ta kthyer fundin e jetës, në një fillim, që s’ka mort:
Hyji i bërë njeri, arrin deri në atë pikë, sa të hyjë në vetminë e skajshme, abosolute të njeriut, ku nuk arrin asnjë rreze dashurie, ku mbretëron braktisja e plotë, ku s’ka më asnjë fjalë ngushëllimi: tek “nëndheu”. Jezu Krishti, duke mbetur në vdekje, e kapërceu pritën e kësaj vetmie të fundme, për të na marrë për dore, që ta kapërcejmë së bashku me Të” (Meditim për Sindonën, 3 maj 2010).







All the contents on this site are copyrighted ©.