2012-04-06 16:00:49

Faqe nga tradita: Pashkët në Malsí të Madhe.


Pashkët luten në Malsí të Madhe, të thuesh si në Dukagjin, pá ndo’i ndryshim me randsí. –
Të Shtunden e Madhe bekojn bukë (nji pogaçë të laracueme a të shkrueme), voe, djathë, krypë, kollomoqa. – Të Diellen e Pashkvet gjindja e shpís çohen heret e, mbasi lahen e ndërrohen, hanë të bekuemen, qi lêhet permbi nji trevezë. Seicilli bân kryq perpara e han dý-trí kashatë prej së bekuemes; mandej bashkohen të gjith, merren ngrykë njêni me tjetrin, e bâjn urime; ulen e rrijn, pijn kafe, ziejn mâzë e hán cillë. Per Pashkë, në shêj gëzimit, ngjýjn voe me bojë të kuqe, e jua falin fëmijve e miqve. Ata, qi kanë pasë ndo’i dekë n’atë vjetë, i ngjýjn voet me bojë të zezë. – Per Pashkë nuk ka kenë zakon me pré berr; por tash nder shum katunde kanë nisë me pré berre. Perpara thohej, se çobajt e mbajshin per shêj të keq me pré berr per Pashkë, per arsye se n’atë ditë nuk duhej me hî në vathë, ndersá tash thohet: mjaft mos me hî në vathë me voe në xhep, pse nuk i gjên gjâ dhenët. Fëmijët luejn njêni me tjetrin, a tuj u thye voesh, ja tuj e gjuejtë voen per së largut. – Malsorët per Pashkë shetisin fort te njêni tjetri, e pijn e këndojn. – Kah mjesdita mandej shkojn në Meshë.
Në të dyten ditë të Pashkvet ká kenë zakon me u mbledhë te Kisha i madh e i vogel. Mbas Meshet u bâte logu, dmth delshin këcimtarët e vallzojshin. - Per këcim delte zakonisht nji djalë i lidhun e nji grue e zhdervjelltë. – Këcimi bâhej me ruba e pá. Në këcim paraqitej të marrunt e grues per fat me veletí. – Djali merrte mbrapa gruen me lëvizje të matuna; e grueja i hikte e i qitte pengime me rubë e tuj bredhë në mënyrë të hijshme e pá të keq. Në mbarim të këcimit, qi mund të ngëjasë nji gjysë ore a edhe mâ, grueja dorzohej, e atëherë burri qitte pushkë. – Gëjatë këcimit të gjith rríjshin rreth e perçark e shikjojshin e u argtojshin, pá këndue e pá u rá veglave. – Mbas kësaj çfaqje delshin zakonisht edhe dy burra me ka ‘i thuper në dorë, tuj bâ si të dojshin me u pré me tagana.
Marrë nga “Zakone e doke shqiptare”, Át Donat Kurti, Botime Françeskane Shqiptare, 2010, fq 203- 204







All the contents on this site are copyrighted ©.