2012-04-06 16:00:33

Faqe nga tradita: Pashkët në Dukagjin


Pashkët janë e kremtja mâ e madhnueshmja e fés së krishtênë; Ato perkujtojn të ngjallunt e Shelbuesit, e viejn per me ngjallë fén e dashtnín. I Dukagjinsi në ket të kremte mendon me i gëzue të gjith pjestarët e familjes nepermjet fés, nepermjet teshave të reja e nepermjet ushqimeve mâ të mira.
I Zoti i shpís shum dit perpara blén, si mbas takatit, gjithshka lypet, per me jua plotsue veshen gjindve të shpís; ai nuk perjashton kurrkend. Në rendin e teshave hîjn: këmisha, tëlindat, xhamadani, tirqët, kësula, ruba, xhubleta etj.
Shtunden e Madhe e zoja e shpís çon me bekue te kisha djathë të njomë, voe të zieme, krypë e pak kollomoq. - Me ket kollomoq bâhet dorë, kúr vjen koha, per me qitë faren n’arë, mandej perzihet me tjetrin.
Diellen e Pashkvet, të gjith çohen mâ heret; lahen shtetsh, veshen me tesha të pasterta, falen njêni me tjetrin, e mandej ulen, per me hanger bashkarisht të bekuemen; mandej pijn kafe, hán cillen, e mbrapa dalin me shetitë nder shokë. -
Urimet në ket rasë janë: Per shum mot Pashkët! Pashka e Krishtit na ndihmoftë! I lutshi me zêmer të mirë!
Në rasë se ndo’i shpí ká pasë n’at vjetë nji dekë, ndonjêni prej mashkujsh shkon për kryeshëndosh. Pashkët nuk luten me miq. Kah mjesdita aviten të gjith te Kisha, për me pá Meshë. Per pashkë nuk pritet berr. N’at ditë hahet mâ mirë se tjera herë: Qitet mish i thatë, zihet mazë, e ndokund qiten edhe petulla me mjaltë.
Në Dukagjin pak janë ata, qi kuqin voe.
Marrë nga “Zakone e doke shqiptare”, Át Donat Kurti, Botime Françeskane Shqiptare, 2010, fq. 202-203







All the contents on this site are copyrighted ©.