2012-04-06 08:02:31

E Premtja e Madhe dita e dytë e treditëshit të Pashkëve


E Premtja e Madhe e Pashkëve ditë lutjeje e heshtje, ditë e Mundimeve e kryqëzimit të Krishtit, akti më i lartë i dashurisë, që e bën njeriun të lirë.
Të Premten e Madhe të Pashkëve liturgjia na fton të meditojmë mbi misterin e mundimeve , të dhimbjes e të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq.
Mundimet dhe Vdekja e Jezusit mbi Kryq që kundrohen të Premten e Madhe të Pashkëve lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me Darkën e Mbrame. Në të parën Jezusi dhuron Korpin e Gjakun e vet, domethënë, jetën e tij tokësore, vetveten, duke përshpejtuar vdekjen e tij dhe duke e shndërruar atë në një akt dashurie e shëlbimi për njerëzimin. Kështu vdekjen, që për vetë natyrën e saj, është fund i fundit, shkatërrim i çdo lidhjeje, Jezusi e bën akt të dhurimit të plotë të vetvetes, mjet shëlbimi e shpallje të fitores së dashurisë mbi urrejtjen dhe vdekjen. Në këtë mënyrë Jezusi bëhet vendimtar për jetën e vërtet të çdo njeriu, për ta kuptuar Darkën e Mbrame, çastin e shndërrimit të vdekjes së dhunshme në flijim vullnetar, në akt dashurie, që shpërblen e shëlbon njerëzimin e botën mbarë.
Gjithnjë të Premten e Madhe të Pashkëve kemi edhe një rast të përshtatshëm për të medituar mbi misterin e madh të së keqes, të keqit e të mëkatit, që peshon rëndë mbi njerëzimin. E për ta kuptuar këtë mister, ndihmojnë shumë ritet liturgjike si rrëfimi i historisë së mundimeve të Krishtit, pastaj edhe manifestimet e përshpirtërisë popullore, si Udha e Kryqit ose shfaqjet tjera kishtare, të cilat ka si qëllim të lenë gjurmë sa më të thella në zemrën e besimtarëve, duke ndihmuar pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në flijimin e Jezusit.
E kështu, deri në heshtjen e thellë të së Shtunës së Madhe, në të cilën zhyten të gjitha Kishat, me elterët e zhveshur nga stolitë, duke e ftuar besimtarin t’ia hapë shpirtin mëshirës hyjnore. Në këtë ditë ka rëndësi të madhe pjesëmarrja jonë në Sakramentin e rrëfimit apo të pajtimit me Zotin e të afërmin tonë, rrugë e domosdoshme kjo për të pastruar zemrën e për t’u përgatitur për kremtimin e Pashkëve me shpirt të përtërirë. Së paku një herë në vit, kemi nevojë dhe obligim për këtë përtëritje të shpirtit tonë përmes Sarkamentit të Pajtimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.