2012-04-05 15:17:32

Çelësi i fjalëve të Kishës: 'Eukaristia'!


Të dashur dëgjues, nuk mund të mos ia kushtojmë sot emisionin tonë “Eukaristisë”, pikërisht në ditën e së Enjtes së Madhe të Pashkëve, gjatë së cilës përkujtojmë si na mësoi Jezu Krishti ta kujtojmë në Darkën e Mbrame me apostujt: duke ngritur Kelkun me verë, që bëhet Gjaku i Tij e Hosten Shenjte, Korpi i Tij, që është bukë shpirtërore për ne.
Kemi folur shpesh për Eukaristinë, por kësaj radhe duam ta shpjegojmë duke u nisur nga shkrimet e Etërve të Kishës, nganjëherë alegorike, simbolike e metaforike, por shi për këtë, të kuptueshme për të gjithë. Duke iu drejtuar të sapopagëzuarve, shën Ambrozi, ipeshkëv i Milanos në shekullin IV, bën një krahasim ndërmjet manës, që Zoti u dërgoi hebrenjve në shkretëtirë, dhe Eukaristisë, e cila është bukë për amshim.
“Është diçka vërtet e mrekullueshme - shkruan shën Ambrozi – që Zoti bëri të binte mana nga qielli për etërit tanë, që të ushqeheshin përditë me të. Prandaj është thënë: Njeriu hëngri bukën e engjëjve. Por, ata që u ushqyen me atë bukë, gjithsesi, vdiqën të gjithë në shkretëtirë; ndërsa kjo bukë që ti merr sot – i drejtohet shën Ambrozi të pagëzuarit në Krishtin – kjo bukë e gjallë, që zbret nga qielli, të jep thelbin e jetës së amshuar e kushdo që e ha, nuk do të vdesë në amshim. Vërtet, ky është Korpi i Krishtit. Mendo tani, a është më superiore buka e engjëjve, apo mishi e gjaku i Krishtit, që japin jetën?
Mana vinte nga qielli, ndërsa kjo bukë e ka vendin mbi qiell; mana i përkiste qiellit, kjo tjetra Zotit të qiejve; mana mund të prishej nëse ruhej për të nesërmen, buka e jetës nuk mund të prishet, madje kushdo e merr me përkushtim nuk mund të korruptohet. Etërve tanë në shkretëtirë u doli ujë nga shkëmbi; ty, që po merr Pagëzimin, të jepet Gjaku i Krishtit. Uji ta shuan etjen për pak kohë, gjaku të lan për amshim. Judenjtë pinë e kanë akoma etje, ndërsa ti – vazhdon t’i drejtohet të pagëzuarit, shën Ambrozi – kur ta kesh pirë këtë kelk, nuk do të kesh më etje kurrë. Mana ishte imazhi, korpi i Krishtit është realiteti. Nëse ti arrin të shohësh Krishtin në figurën e manës, mendo sa është i madh Sakramenti që po merr, në të cilin shihet vetë Jezusi.
E thotë edhe shën Pali Apostull në Letrën e parë drejtuar Korintasve: të gjithë pinë të njëjtën pije shpirtërore: pinin nga qeta shpirtërore që i përcillte: qeta ishte Krishti. Por shumica nuk i pëlqeu Hyjit, pasi qenë vrarë në shkretëtirë. Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne”. E duke admiruar Krishtin në manën, që bie nga qielli – përfundon shën Ambrozi – ke mësuar të njohësh atë, që vlen më shumë; vërtet, drita është më e bukur se errësira, e vërteta më e mirë se imazhi i saj, Korpi i Krijuesit më jetëdhënës se mana, që zbret nga qielli”.
Mana, nënvizon shën Ambrozi, është aty që të na përgatisë për ardhjen e Dikujt tjetër. Engjëjt i përgatisin udhën, në mënyrë që, ashtu si shën Pali shihte edhe tek mana fytyrën e Krishtit, edhe ne të njohim Korpin e Krishtin në bukën që hamë. E uji i shkëmbit që shoqëronte hebrenjtë – për të cilin shën Pali na thotë se ishte Jezusi – është pararendës i verës, Gjakut të Krishtit.
Ndoshta, ç’thamë deri tani nuk është e mjaftueshme për t’u thelluar në misterin e papërshkueshëm të një Zoti, që u bë pak bukë e pak verë, për t’ua dhënë të hanë korpin e gjakun e Tij të gjithë njerëzve, për t’u bërë kështu pjesë e jona e brendshme. Në të, në Eukaristinë e marrë si korp e si gjak i Krishtit, qëndron misteri i bashkimit tonë me Zotin e me të gjithë të krishterët, pavarësisht ku ndodhen, pasi ndajmë të njëjtën bukë e të njëjtën verë. Kjo e vetëm kjo na jep mundësinë të vazhdojmë të duam, edhe për ata që s’janë më; të vazhdojmë të marrim Krishtin në zemër, edhe për ata që s’mund ta marrin Eukaristinë, sepse janë të sëmurë e të pamundur; të vazhdojmë të lutemi për ata që nuk ia dalin dot, ose nuk dinë, për të gjithë ata, që nuk e njohin Krishtin. Kjo është forca e Eukaristisë, forcë, që secili prej nesh e ka për amshim.







All the contents on this site are copyrighted ©.