Papa: në Eukaristi jetojmë lutjen e Jezusit, që e keqja të mos fitojë.
Në audiencën e përgjithshme të 11 janarit 2012, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan,
duke vijuar reflektimin e tij për lutjen e Jezusit, sipas ungjijve, Papa Benedikti
XVI meditoi pikërisht për çastin e lutjes së Krishtit në Darkën e Mbrame dhe
kujtoi se, duke marrë pjesë në Eukaristi, e jetojmë lutjen e përhershme të Jezusit
për secilin prej nesh, që në shpirtin tonë e keqja të mos fitojë mbi të mirën. Në
Solemnitetin e Darkës së Mbrame, Jezusi flet për vdekjen e ngjalljen e tij të afërme.
Këtë e kujtoi Benedikti XVI, në audiencën e përgjithshme të 11 janarit 2012. Në vijim
shpjegoi se, duke u ulur në këtë sofër me miqtë e vet, Krishti e ndjen fuqimisht afrimin
e vdekjes. E di se do t’ia marrin jetën, duke e gozhduar mbi kryq, dënim me vdekje
ky, për njerëzit që nuk ishin të lirë. Thelbi i darkës së lamtumirës, në të cilën
Jezusi rrethohet nga të vetët, është çasti kur thyen bukën, ua jep dishepujve të vet,
e ndan me ta kelkun e verës, duke e shoqëruar edhe me fjalë: themelon, kështu Eukaristinë: “Jezusi
i shikon Mundimet, Vdekjen dhe Ngjalljen e tij, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm.
Ai dëshiron ta jetojë këtë darkë së bashku me dishepujt e vet. Është një darkë krejt
e pazakontë e, ndryshe nga të gjitha të tjerat, është darka e tij, në të cilën dhuron
Diçka plotësisht të re: Vetveten. Në këtë mënyrë, Jezusi jeton Pashkët e tij, përshpejton
Kryqin e tij e Ngjalljen e tij”. Në lutje, pastaj, tregon identitetin e vet
e vendosmërinë për ta kryer deri në fund të fundit misionin, që i është ngarkuar,
dashurinë e plotë, dhurimin pa kusht, kryerjen pa asnjë ngurrim, të vullnetit të Atit: “Ai
e dhuron jetën, para se t’ia marrin, e në këtë mënyrë, e shndërron vdekjen e vet të
dhunshme, në dhurim: dhuron gjithë vetveten për të tjerët. Dhuna, që pëson, shndërrohet,
kështu, në flijim aktiv, të lirë, shëlbues”. Në fjalët e gjestet e kësaj nate,
shikojmë qartë, tha Papa, se lidhja e ngushtë edhe përhershme me Atin, është vendi
në të cilin Jezusi vë në jetë gjestin, përmes të cilit u lë të tijve, e secilit nga
ne, Sakramentin e dashurisë, “Sacramentum caritatis”. Prej këndej, Papa vijoi të reflektonte
mbi thellësinë e lutjes së Krishtit për dishepujt e vet. Zoti i lutet Atit qiellor
t’i ruajë në çastin e ligështisë e të lodhjes, t’i ndihmojë ta kuptojnë se udha e
Zotit përshkohet nëpër misterin e Pashkëve, mister i vdekjes e i ngjalljes, që Krishti
e përshpejtoi përmes ndarjes së bukës e të verës. Nga ana tjetër, Eukaristia është
ushqimi i shtegtarëve, që bëhet forcë edhe për njeriun e lodhur, të këputur, të çorientuar.
Benedikti XVI kujtoi, më pas, kujdesin e Krishtit për secilin nga ne, gjë që ndjehet
posaçërisht në lutjen për Pjetrin që, pasi të jetë penduar, t’i përforcojë vëllezërit
në fe: “Të dashur vëllezër e motra, duke marrë pjesë në Eukaristi, e jetojmë
në mënyrë të jashtëzakonshme lutjen e vazhdueshme të Jezusit për secilin nga ne, që
e keqja, të cilën ne të gjithë e takojmë në jetë, të mos korrë fitore, por në shpirtin
tonë të veprojë forca shndërruese e vdekjes dhe e ngjalljes së Krishtit. Në Eukaristi
Kisha i përgjigjet urdhrit të Jezusit: “Bëjeni këtë në përkujtimin tim!” Tradita
e Besëlidhjes së Re, lidhur me themelimin e Eukaristisë, që Papa e kujtoi me fjalët
e Palit, Lukës, Markut e Mateut, duke u nisur nga greqishtja e shpjegon këtë fjalë
si të prejardhur nga “falënderim” “Eucaristia/ falënderim; e Eulogia/ bekim, fjalë
që na çojnë drejtpërdrejt tek berakha hebraike, lutja e madhe e traditës së Izraelit.
“Berakha”, shpjegoi Ati i Shenjtë, është sidomos falënderim e lavdërim. I lartohet
Zotit për dhuratën, që na ka bërë. Në Darkën e Mbrame të Jezusit, dhurata është buka,
e punuar nga drithi, që Zoti e bën të mungullojë e të rritet mbi tokë - e është edhe
vera, e prodhuar nga fryti i pjekur i hardhisë. Kjo lutje lavdërimi, lartuar kah Zoti,
kthehet në bekim, që zbret prej Zotit mbi dhuratën dhe e pasuron. Kështu, falënderimi
e lavdërimi i Zotit, kthehet në bekim; e dhurata, që i bëhet Zotit, i rikthehet njeriut
e bekuar nga i Gjithëpushtetshmi. Prej këndej Papa i ftoi gjithë besimtarët t’i
luten Zotit që, pasi të jenë përgatitur detyrimisht me Sakramentin e Rrëfimit, pjesëmarrja
në Eukaristi, e domosdoshme për jetën e krishterë, të jetë gjithnjë pika më e lartë
e gjithë lutjes së tyre. T’i lypin Krishtit që, të bashkuar thellësisht në dhurimin
e Tij për Atin, t’i shndërrojmë edhe ne kryqet tona në flijim të lirë dashurie për
Hyjin e për vëllezërit: “Që në zanafillë Kisha i kuptoi fjalët e shugurimit
si pjesë e lutjes së përbashkët me Jezusin; si pjesë qendrore e lavdërimit plot mirënjohje,
përmes të cilit fryti i tokës e i duarve të njeriut, na dhurohet përsëri nga Zoti
si Korpi e Gjaku i Jezusit, si vet-dhurim i vetë Zotit në dashurinë e Birit (cfr.
Jezusi i Nazaretit, II, fq 146). Duke marrë pjesë në Eukaristi, duke u ushqyer me
Korpin e Gjakun e Birit të Zotit, ne bashkojmë lutjen tonë me atë të Qengjit të Pashkëve
në natën e tij fundme, që jeta jonë të mos humbasë, pavarësisht nga ligështitë tona
e pabesitë tona, por të shndërrohet”.