2012-04-05 10:40:59

Në Trediteshin e Pashkëve shpresa e Jetës


Le të ndalemi te çastet më të rëndësishme të së Enjtes, së Premtes e të së Shtunës së Shenjtë e Madhe të Pashkëve, për të kuptuar, pranuar, kremtuar e jetuar mesazhin e shpresës së Jetës që na dhurohet në Jezu Krishtin.
Urrejtja, përçarjet, dhuna, mëkati, vdekja nuk e thonë kurrë fjalën e fundit në ngjarjet e historisë. Me këto fjalë Kisha duke reflektuar mbi Triditshen, që i paraprin Pashkëve, e vënë në dukje me forcë vlerën e amshuar të fitores së Krishtit mbi vdekjen.
Qielli e toka, dy përmasat e pandara të mesazhit të krishterë, bëhen më të dukshme se kurrë në Triditshin e Pashkëve, që Kisha e quan “thelb i fesë së krishterë”; “zemër e strumbullar i tërë vitit liturgjik”; “ditë e pashembullt’, në të cilën besimtari ngjitet në Kalvar, zbret në varr e rigjallet me Krishtin e Gjallë.
Kështu pra, gjatë këtyre ditëve liturgjia e shenjtë na propozon me radhë edhe simbolikën e ditëve të kësaj Jave së Shenjtë e të Madhe të Pashkëve, e cila që nga e Enjtja e Madhe e deri të Dielën e ardhshme të Bardhë të Ngjalljes, do të rikujtojë orët e fundit të jetës tokësore të Jezusit dhe mesazhin e ngadhënjimit të Jetës.
Nga bekimi i vajrave të shenjta, në Meshën e Bagmit, që kremtohet të Enjten e Madhe, tek kremtimi i Darkës së Mbrame të Zotit Jezus, gjatë së cilës Krishti i dhuron Kishës në fasha ‘ilaçin e pavdekësisë”, Eukaristinë.
Më pas liturgjia na flet për misterin e dhimbjes e të vdekjes, që ndjehet fuqimisht të Premten e Madhe: rast i përshtatshëm për të medituar mbi misterin e madh të së keqes e të mëkatit, që peshon rëndë mbi njerëzimin. E për ta kuptuar këtë mister, na ndihmojnë shumë edhe manifestimet e përshpirtërisë popullore, si Udha e Kryqit apo shfaqjet tjera kishtare, të cilat synojnë të lenë gjurmë sa më të thella në shpirtin e besimtarëve, duke u krijuar përshtypjen e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në flijimin e Jezusit.
E kështu, deri në heshtjen e thellë të së Shtunës së Madhe, në të cilën zhyten të gjitha Kishat, me elterët e zhveshur nga stolitë, duke e ftuar besimtarin t’ia hapë shpirtin mëshirës së pakufishme Hyjnore.
Ka rëndësi të madhe në këtë ditë pjesëmarrja në sakramentin e rrëfimit, rrugë e domosdoshme për të pastruar zemrën e për t’u përgatitur që t’i kremtojmë Pashkët me shpirt të përtrirë. Së paku një herë në vit, kemi nevojë për këtë përtëritje të shpirtit tonë. Misteri i mundimeve dhe i vdekjes së Jezusit mbi Kryq, që rijetojmë në Javën e Madhe të Pashkëve, na ndihmon ta ndjejmë thellë tërë vlerën dhe bukurinë e jetës në dritën e Krishtit të Gjallë, të Dielën e Pashkëve.
E kujtimi dhe rkemtimi i këtyre mistereve njëkohësisht, do të thotë edhe t’i jetosh si ngjarje të së sotmes së historisë, me bindjen se gjithçka kremtojmë, është realitet i gjallë e aktual. Ta bëjmë, pra, të pranishme në lutjen tonë, edhe dramaticitetin e fakteve e të situatave që ende sot trondisin shumë nga vëllezërit tanë në të katër anët e botës. E dimë se urrejtja, përçarjet, dhuna, nuk e thonë kurrë fjalën e fundit në ngjarjet e historisë. Këto ditë në shpirtin tonë lind shpresa e madhe: Krishti i kryqëzuar u Ngjall, e mundi botën, e mposhti vdekjen. Dashuria, që është më e fortë se urrejtja, fitoi, e prandaj edhe ne duhet të marrim pjesë në gëzimin e fitores së Dashurisë. Duhet të nisemi nga Krishti Gjallë e të punojmë në bashkim me Të për një botë që ngrihet mbi themelet e paqes, të drejtësisë e të dashurisë.
T’i kërkojmë Hyjit të gjithëpushtetshëm, burimi i jetës dhe dritës, t’i ndriçojë mendjet e zmmrate e të gjithëve dhe t’na japë forcë e guxim të zgjedhin rrugën e jetës e të vëllazërimit.
Në këtë synim na ndihmon shembulli i Virgjërës Mari, që nuk pushoi kurrë s’e kundruari fytyrën e Birit të saj, Jezusit. Të lutemi që Zoja Bekuar të ndërmjetësojë për secilin prej nesh pranë Hyjit, e të kremtojmë vërtetë ringjalljen tonë në Ngjalljen e Jezu Krishtit e kështu t’i kremtojmë Pashkët e Bardha!







All the contents on this site are copyrighted ©.