2012-04-05 19:07:16

Jemi vërtet të lirë, kur i bindemi vullnetit të Zotit: kështu Papa në Meshën e Darkës së Mbrame


E Enjtja e Madhe, dita e parë e Triditëshes së Pashkëve, në të cilën, gjatë Darkës së Mbrame me apostujt, Jezu Krishti themeloi Eukaristinë, por u ngjit edhe në Malin e Ullinjve me dishepujt e vet, u ndje i vetmuar e i braktisur, ndërsa i afrohej hija e vdekjes. Në këtë ditë bëjnë pjesë edhe tradhëtia e Judës e arrestimi i Jezusit e po ashtu, edhe mohimi i Pjetrit, akuza para Sinedrit e dorëzimi i Jezusit në duar e paganëve, në duart e Pilatit.RealAudioMP3
Kështu e përshkroi Papa Benedikti XVI, të Enjten e Madhe të Pashkëve, gjatë homelisë së Meshës “in Coena Domini”, kremtuar pasdite në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran të Romës. Gjatë liturgjisë, Papa kreu ritin e larjes së këmbëve të 12 meshtarëve të dioqezës së Romës, duke kujtuar kështu, ritin e kryer nga Jezusi me apostujt, përmes të cilit, siç i thotë Shën Pjetrit, i fton në jetën e pasosur. Ofertat e besimtarëve iu dhanë Atit të Shenjtë për të ndihmuar refugjatët sirianë. Në përfundim të Meshës, u kremtua procesioni me vendosjen e të Shenjtnueshmit Sakrament në elterin e Kapelës së Shën Françeskut, ku të gjithë mund ta adhurojnë gjatë natës, siç bëhet në të gjitha kishat e botës.
Papa u përqendrua në lutjen e Jezusit në Malin e Ullinjve, kur Ai hyn brenda natës, parë si simbol i së keqes, si errësim i së vërtetës. Por, shpjegoi Benedikti XVI, Jezusi ia ndryshon kuptimin edhe natës:
“Nata, në analizë të fundit, është simbol i vdekjes, i humbjes përfundimtare të bashkimit e të jetës. Jezusi hyn në natë për ta kapërcyer atë e për të përuruar një ditë të re të Zotit në historinë e njerëzimit”.
Në këtë natë, Krishti i lutet Atit, duke e thirrur “Abbà”, një term i përdorur vetëm nga fëmijët e vegjël, duke dëshmuar kështu se Ai është Biri, fëmija e Atit të vet Qiellor, edhe nga gjuha që përdor. Përmes kësaj fjale e njohim Atin, ashtu siç është, Mirësi e pafundme. E Jezusi, në lutjen e Malit të Ullinjve shton edhe se gjithçka është e mundur për Zotin. Duke u nisur nga kjo, Papa vërejti:
“Ai që është Mirësi, është njëkohësisht pushtet, është i gjithëpushtetshëm. Pushteti është mirësi e mirësia është pushtet. Këtë besim mund të mësojmë nga lutja e Jezusit në Malin e Ullinjve”.
Pastaj, Benedikti XVI përmendi faktin se gjatë lutjes, siç thuhet në Ungjijtë, Jezusi është “me fytyrë përtokë”, ose në gjunjë, duke shpjeguar edhe pse të krishterët gjunjëzohen, kur i luten Zotit:
“Të krishterët, me gjunjëzimin e tyre, hyjnë në lutjen e Jezusit në Malin e Ullinjve. Kur i kërcënon pushteti i së keqes, ata, si të gjunjëzuar, ndodhen drejtpërdrejt përballë botës, por si bij, janë në gjunjë përpara Atit. Para lavdisë së Hyjit, ne të krishterët gjunjëzohemi dhe e njohim hyjninë e Tij, por me këtë gjest, shprehim edhe besimin se Ai fiton”.
Jezusi ishte në ankth në Malin e Ullinjve. Është ankthi, që na kap të gjithëve para vdekjes. Por Jezusi shkon më tej, duke e hedhur vështrimin në netët e së keqes njerëzore. Para tij, deti i llomështitur nga gjithë ato gënjeshtra e turpe, të cilat vërshojnë mbi Të së bashku me kelkun, që i duhet të pijë. Të këqiat e kësaj bote derdhen mbi Krishtin. Ai i sheh e lutet, jo vetëm për vete, por edhe për mua e për ty. Ky është element thelbësor në procesin e Shëlbimit, pasi Jezu Krishti sillet këtu si meshtar, nënvizoi Benedikti XVI:
“Në këtë lutje të Jezusit, pushtuar nga ankthi i vdekjes, Zoti kryen detyrën e meshtarit: merr mbi vete mëkatet e njerëzimit, të gjithë ne e na çon tek Ati Qiellor”.
E duke vazhduar të analizojë hap për hap sjelljen e Krishtit në Malin e Ullinjve, Papa theksoi çastin kur Jezusi-njeri thotë: “Atë! Ti mundesh gjithçka: largoje prej meje këtë kelk! Por jo çka dua unë, por çka do ti” (Mk 14,36). Pavarësisht se kërkon të shpëtojë nga tragjedia që e pret, Jezusi ia beson krejtësisht vetveten Atit, duke shndërruar e shëlbuar kështu sjelljen e njeriut, të Adamit, që me mëkatin e tij e vuri veten mbi Zotin:
“Kjo mendjemadhësi është thelbi i vërtetë i mëkatit. Mendojmë se jemi të lirë vetëm nëse ndjekim ekskluzivisht vullnetin tonë. Zoti na duket si i kundërt me lirinë. Duhet të çlirohemi prej Tij – kështu mendojmë – e vetëm atëherë do të jemi të lirë. Ky është rebelimi themelor, që përshkon historinë, e gënjeshtra bazë, që na e shpërfytyron jetën. Kur njeriu vihet kundër Zotit, vihet kundër së vërtetës së vet, prandaj nuk bëhet i lirë, por ndryshon natyrën e vet. Jemi të lirë vetëm nëse jetojmë në të vërtetën që na përket si njerëz, vetëm nëse jemi të bashkuar me Zotin. Atëherë, bëhemi vërtet “si Hyji” – duke mos iu kundërvënë Zotit, duke mos e hequr qafe apo mohuar Atë”.
Duke përfunduar, Benedikti XVI iu lut Hyjit të na ndihmojë t’i themi “po” vullnetit të Tij, duke u bërë kështu vërtet të lirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.