E Enjtja e Pashkëve:Jezusi i afrohet gjithnjë më shumë aktit të mbramë
Tani drama e Jezusit i afrohet gjithnjë më shumë aktit e mbramë. Duam t’i njohim hollësisht
këto orë, të kaluara kush e di se si, në pritje të natës, që nisi të endte tri ditët
kulmore të historisë njerëzore. Duam ta shoqërojmë Mjeshtrin, para se t’u dorëzohet
armiqve, t’i rrijmë pranë, ta dëgjojmë vajin e palot të zemrës së tij. Por Ungjilli
nuk na ndihmon fare në këtë çast. Edhe njëri nga dëshmitarët më të zgjedhur të këtyre
ngjarjeve, Gjoni, nuk thekson dhimbjen e pafundme të Krishtit, por dashurinë e dishepujve
të atëhershëm e të përhershëm: “Para festës së Pashkëve, Jezusi, duke e ditur se
i erdhi koha për të kaluar prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët, që ishin
në botë, i deshi deri në fund të fundit” (Gjn.13,1). Gjoni nuk na përshkruan një
Krisht që shqetësohet për vetveten. Jezusi është njeri i jashtëzakonshëm e, më shumë
se çdo qenie njerëzore e historisë, i vetëdijshëm se ka arritur koha kur do të vdesë.
Dhe e di mirë se vdekja nuk do t’i vijë e qetë, pa dhimbje. Si njerëzve biblikë, që
shkonin të flinin me etërit, të nginjur me vite. Atij i vjen vdekja në të kërthnesët
të moshës, me vuajtje të hatashme, që do të mbeten në kohë, si simbol i të gjitha
dhimbjeve. E megjithatë Jezusi nuk shqetësohet për vete, ndonëse nuk mund ta largojë
nga shpirti vegimin e zymtë, që i kërcënohet. Më shumë se për vete, mendon për ata
që do të mbeten, tani e në shekuj të shekujve, përballë luftërash, mundimesh, tundimesh
më të rrepta e më të rrezikshme. Nga ky mendim e nga ky shqetësim plot dashuri vetmohuese,
vjen gjesti i papritur. Ai gjunjëzohet përballë dymbëdhjetë njerëzve të pagëdhendur,
të paaftë për ta kapur kuptimin e ngjarjes, protagonistë të së cilës u bënë papritur. Ndoshta
edhe ne, shumë vjet më pas, e rijetojmë këtë gjest si sjellje rituale, që nuk na bën
aq shumë përshtypje. Por nuk mund të mos vërejmë se ndërmjet atyre njerëzve ishte
edhe Juda që e tradhtoi, Pjetri që e mohoi e të tjerët, që e braktisën. E Njeriu-Zot
është aty, përdhe, me legen e përparëse e pohon me seriozitet të thellë: “Unë, Zoti
e Mësuesi, ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, ta bëni edhe ju”. Krishti
është njeri i lirë. I kryen veprat e veta i frymëzuar nga e Vërteta, nga Hyji. Nuk
druhet se po humbet dinjitetin pse i lan këmbët ca varfanjakëve, siç nuk u druajt
se do të njolloste shpirtin, pse shkoi në kërkim të mëkatarëve për t’i ndihmuar të
pendohen. Ai dëshiron që të tijtë të kenë të njëjtën liri e të njëjtën dashuri. I
vëren tek rrinë si mbi gjemba, ndërsa Pjetri proteston më kot. U jep zemër. I fton
të zenë rishtas vendet e tyre në sofër, sepse gjesti i pastrimit ishte thjeshtë një
simbol, një veprim që e përgatiste për atë, që duhet të kryhej sonte. Ai e njeh mirë
ligshtinë e madhe të të tijve e të mbarë njerëzve, prandaj u jep atyre diçka, që do
t’i mbështesë tërë jetën, që do të mbështesë gjithë jetën e botës. Kryen gjestin themelor,
të paralajmëruar që në Kafarnao, kur pati thënë: “Kush ushqehet me korpin tim e pi
gjakun tim, ka jetën e pasosur e unë do ta ringjall në ditën e mbrame (Gjn. 6,54)”.
Asokohe kjo shprehje pati shkandulluar e pati larguar shumkënd prej tij, por sonte
vihet plotësisht në jetë, përmes pushtetit hyjnor të Krishtit, i cili merr bukën e
verën e thotë: “Ky është korpi im, ky është gjaku im. Përsëriteni në rrjedhë kohe
çka patë se bëra, çka ju autorizoj të bëni e për çka ju jap pushtet”. Kështu ndodhi
ndërmjet nesh mrekullia e pranisë fizike të Jezusit, që do të përsëritet në shekuj.
E ja, pra, o Zot, ne, njerëz të vegjël, që jetojmë në një të imtë kohe, jemi sonte
para teje, para misterit të dashurisë sate. Mezi bëlbëzojmë fjalë mirënjohjeje e mrekullimi,
por e dimë mirëfilli se ti nuk do fjalë. Do një jetë, e cila ushqehet me ty, me korpin
e gjakun tënd, që të përsëritet në shekuj mrekullia e shenjtërisë sate. Detyrë e vështirë,
o Zot, ti e di. Do të thotë të jesh i përvujtë. Po ne e vemë veten në qendër të botës
e s’lemë gjë pa bërë për të fituar pozitë e pushtet. Jo për të shërbyer, jo! Thjeshtë
për t’i shkelur të tjerët e për t’i treguar botës sa na vlen lëkura. Thua mund të
përkulemi për t’u larë këmbët ca halabakëve mëkatarë, ne që i shikojmë njerëzit me
indiferencë e përbuzje? Duke vështruar pas, gjatë shtigjeve të pafundme të kujtesës,
zbulojmë vargonj padurimi, gjykimesh dashakëqija, dënimesh të padrejta, në se nuk
u shtohen edhe mllefet, urrejtjet e hakmarrjet. O Krisht, si dridhet zemra jonë,
përballë butësisë sate! Dashuria jote duket si përrallë, përballë vetdashjes sonë,
që na verbon aq, sa të mos shikojmë fare se rreth nesh ka edhe të tjerë. O Zot i jetës
e i kohës, të lutem më shndërro! Nuk është e lehtë, por për ty s’ ka asgjë të pamundur.
Syri yt është ngulur prej kohe mbi mua. Sonte, kur jepje vetveten si ushqim që të
shuaje urinë time për dashuri, ndërsa shikoje dishepujt e pranishëm e ua matje fatin,
sytë e tu ishin ngulur edhe mbi mua. Për të më nxjerrë nga moria e të paemërve, që
enden shekujsh e për të më mësuar të jem zemërbutë e i përvujtë, si ti, o Zot. Ç’shikon
në mua? Ç’fat do të kem? E di se të kam zhgënjyer shumë shpesh, e di edhe se jam tejet
larg nga shenjtëria jote. Por, të lutem, o Zot i shpresës, përtërije fenë time e dashurinë
time, forcoje shpirtin tim të ligshtë me korpin e gjakun tënd, më zgjidh si një gjë
që të përket e dhuroi zemrës sime atë, që i mungon, për të qenë sot e në amshim ndërmjet
atyre që i deshe pranë në shtëpinë tënde të pamort!