2012-04-05 10:44:16

Dhunë në Nigeri. Kardinali Turan: nigerianët duan të jetojnë së bashku


Kardinali Zhan-Lui Turan sapo është kthyer në Romë nga Nigeria, ku shkoi këto ditë për t’i dhënë hov të ri dialogut ndërfetar. Temë veçanërisht delikate në vend, ku prej kohësh, grupe të krishterësh e myslimanësh ushtrojnë dhunë kundër njëri-tjetrit. Aktualisht ligji islamik qeveris 9 shtete të Nigerisë e fanatikët myslimanë luftojnë për të vendosur Sharinë në krejt territorin, duke rënë ndesh me të krishterët, gati gjysma e popullsisë, që duan të ndalojnë përparimin e islamizmit fondamentalist të tipit të organizatës famëkeqe “Boko Haram”. Por çfarë gjeti në Nigeri kardinali Tauran, kreu i dikasterit vatikanas për dialogun ndërfetar? Ta dëgjojmë në mikrofonin tonë:
Pikë së pari, nuk e prisja të gjeja një Kishë kaq të gjallë, sepse kur lexon shtypin perëndimor, pret të shikosh një shoqëri me divergjenca të fuqishme në të gjitha nivelet. Përkundrazi, pashë marrëdhënie miqësie të thellë e të sinqertë ndërmjet krerëve të fesë katolike e të asaj myslimane. Pastaj, njerëzit e bashkësitë që takova m’u dukën të qeta, megjithëse të vetëdijshme për rrezikun që u kanoset dhe për faktin se dialogu ndërfetar bëhet në nivelin e krerëve, por jo edhe në bazë. Do të thosha se gjëja më e rëndësishme është të mos e lemë dhunën të mbizotërojë mbi gjërat pozitive të jetës së përditshme: më bëri përshtypje që nigerianët – të gjithë – duan të jetojnë së bashku. E kjo është themelore. Është e qartë se disa grupeve myslimane nuk u pëlqen e po ashtu, ka edhe katolikë, që nuk mendojnë kështu, por – siç them gjithmonë – ne jemi “të dënuar” të dialogojmë, sepse jetojmë në një shoqëri pluraliste.
Cilat ishin takimet, që ju lanë më tepër mbresë?
Përvoja më emocionuese ishte vizita në kishën e Shën Terezës së Madalës, vendi ku shpërtheu bomba, gjatë Meshës së Krishtlindjes së vitit të kaluar. U takova me disa familje, që më treguan për dramën e tyre… E megjithatë, duhet të mendojmë për të ardhmen e në këtë kuptim, mbeta i habitur nga vizita në një qendër formimi profesional të dioqezës së Xhosit, ku ipeshkvi ka mbledhur jashtë qytetit, të rinj myslimanë e të krishterë, për t’u mësuar zanatin e zdrukthëtarit: këta janë nigerianët e nesërm! Ipeshkvi më shpjegoi arsyen e kësaj nisme: sepse – më tha – besoj se nuk mjafton ta dënojmë dhunën, është e nevojshme që të rinjtë – e ardhmja e vendit – të takohen në një vend paqeje e dialogu e të bashkojnë ç’kanë pozitive.







All the contents on this site are copyrighted ©.